Osmani: LDK duhet të dalë menjëherë nga koalicioni me PDK-në

Prishtinë, 19 prill 2017 – Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Kuvendin e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se LDK-ja duhet ta prishë menjëherë koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës.

“LDK-ja është ajo që duhet ta prishë koalicionin, sepse nuk ka nevojë ta mbajë barrën e projekteve të gabuara të Hashim Thaçit. Unë mendoj që duhet ta prishë që sot. Madje është dashur edhe më herët. Pra, jemi vonë”, ka thënë ajo për Ekonomia Online.

Osmani ka thënë PDK-ja po e mban LDK-në me shantazhe dhe me kërcënime, duke iniciuar mocione të pasinqerta.

“Unë kam qenë dhe vazhdoj të jem kundër bashkimit të partisë sime me PDK-në që nga momenti i parë dhe akoma vazhdoj të mendoj që LDK-ja është ajo që duhet ta prishë koalicionin me PDK-në. Për shkak se është në koalicion me një partner që nuk e ka mbajtë fjalën dhe me një partner që vazhdimisht e mban në presion LDK-në, me kërcënime të ndryshme dhe me iniciativa të pasinqerta”, ka thënë ajo.

Ditëve të fundit janë shtuar zërat edhe nga radhët e PDK-së për prishjen e koalicionit me LDK-në dhe për mbajtjen e zgjedhje të parakohshme parlamentare. (r.m.)

Comment

*