Osmani: Vettingu, parakusht për funksionim të sistemit gjyqësor

Prishtinë, 22 maj 2020 – Procesi i vettingut në sistemin gjyqësor është parakusht thelbësor për funksionimin e mirëfilltë të shtetit, ka thënë kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Zyra e kryeparlamentares njofton se zonja Osmani e ka theksuar rëndësinë e rishikimit funksional të sistemit gjyqësor, përfshirë edhe procesin e vettingut, në një takim me ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny.

Kreparlamentarja Osmani ka thënë se ajo do ta përkrahë çdo nismë lidhur me vettingun në drejtësi.

Çështja e vettingut në drejtësi ka ngjallur debat në Kosovë. Ministria e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, ka inicuar procesin për krijimin e bazës ligjore për vetting, por Këshilli Porkurorial dhe Këshilli Gjyqësor kanë refuzuar t’i dërgojnë përfaqësuesit e tyre në komisionin e themeluar lidhur me këtë çështje. Sipas kryetarëve të këtyre dy organeve të drejtësisë, në sistemin e drejtësisë është kryer një proces vettingu para disa vitesh, prandaj një proces tjetër i vettingut është i panevojshëm.

Partitë që kanë shprehur vullnet të krijojnë një koalicion të ri qeverisës, në qoftë se Gjykata Kushtetiuese e vlerëson këtë si veprim kushtetues, kanë dhënë sinjale se nuk janë për vetting në sistemin e drejtësisë.

Sistemi i drejtësisë gëzon besim shumë të ulët te qytetarët e Kosovës. (r.m.)

Comment

*