Pacolli e quan kërcënim deklaratën e kryeparlamentares Osmani

Prishtinë, 4 shtator 2020 – Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka kritikuar kryeparlamentaren Vjosa Osmani, e cila tha se çfarëdo marrëveshje që arrihet me Serbinë duhet të kalojë në Kuvend.

Pacolli ka thënë se kjo i duket si kërcënim i zonjës Osmani se marrëveshja që mund të nënshkruhet në Shtëpinë e Bardhë nuk do të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës.

“Këtë herë po i drejtohem Kryetares së Kuvendit, Znj. Vjosa Osmani. Kryetare, sa herë që jeni deklaruar (shpesh ka ndodhur) në një veprim të Kryeministrit Hoti (i cili në të vërtetë konsiderohej si një hap drejt një marrëveshje me Serbinë), ju keni thënë: ‘Marrëveshja duhet të kalojë në kuvend’. Kjo duket sikur se ju nuk e doni këtë marrëveshje. Deklaratat e juaja duken si kërcënim se ajo marrëveshje nuk do të kalojë në kuvend. Po tingëllon kështu, Kryetare. Po tingëllon kështu.. por edhe, si duket, ju po betoheni qe kjo marrëveshje nuk do të kalojë në Kuvend”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

“Kryetare, mendoni pozitivisht!! Leni anash inatet politike, Kosova nuk mundet më kështu! Kosovës i nevojitet marrëveshja!!! Pozicioni juaj (në përgjithësi) është i ndryshëm nga ai i popullatës së Kosovës e cila sot vuan nga varfëria, papunësia, privimi i lëvizjes së lirë, getoizimi i vendit, etj. që varen ekskluzivisht nga paqësimi në rajon!!” ka përfunduar ai.

Sot gjatë ditës, kryeparlamentarja Osmani, në një takim me ambasadoren e Finlandës, Pia Stjernval, ka thënë se çfarëdo marrëveshjeje përfundimtare që arrihet me Serbinë, duhet të kalojë nëpërmjet Kuvendit.

(r.m.)

Comment

*