Pacolli kërcënon ambasadorët

Prishtinë, 12 nëntor 2019 – Ambasadorët e Kosovës kanë pranuar të hënën një kërcënim nga ministri në detyrë, Behgjet Pacolli.

Nëpërmjet një shkrese adresuar atyre, Pacolli u ka thënë se do të konsiderohet “shkelje e detyrës zyrtare” në rast se ata e zbatojnë udhëzimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme që misionet diplomatike të mos i pranojnë rekrutët politikë të deleguar jashtëligjshëm nga Pacolli.

“Duke shprehur konsideratat e larta për angazhimin tuaj, marr shkas t’ju shkruaj pas një e-maili që keni pranuar ditën e premte nga Drejtoria e Përgjithshme, e-mail i cili një ditë më pas ka dalë edhe në media. Përmbajtja e e-mailit, përpos që nuk është në pajtim me ligjet dhe rregullat e aplikueshme, e njëjta gjithashtu është adresuar në atë mënyrë që tejkalon edhe fushëveprimin e kompetencave ligjore të Drejtorisë së Përgjithshme”, thuhet në letrën e Pacollit, një kopje të së cilës e ka siguruar gazeta “Koha Ditore”.

“Koha Ditore” ka publikuar të shtunën përmbajtjen e letrës së kësaj drejtorie, ku kërkohej që të deleguarit e fundit në misione diplomatike nuk mund të akreditohen si diplomatë të Republikës së Kosovës në vendin pritës.

Letra informonte ambasadorët se asnjëri nga personat që janë dërguar në misione nuk ishte pjesëtar i shërbimit civil, i shërbimit diplomatik dhe as i Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe si të tillë nuk ishin “subjekt i trajtimit të kornizës ligjore të Republikës së Kosovës dhe as konventave ndërkombëtare për marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore”.

(r.m.)

Comment

*