Pacolli paralajmëron shkëputjen nga LAA dhe bashkimin me PAN-in

Prishtinë, 9 gusht 2017 – Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka paralajmëruar shkëputjen e partisë së tij nga koalicioni me LDK-në dhe Aternativën dhe bashkimin me koalicionin PDK-AAK-NISMA (PAN).

Pacolli ka thënë se ai e ka bërë hapin e parë drejt “zhbllokimit” të ngërçit politik.

Ai ka konfirmuar se për këtë qëllim ka pasur takime me kandidatin e PAN-it për kryeministër, Ramush Haradinajn, dhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

“Zoti Haradinaj më ka vizituar. Në ora 10 më ka ardhë në familje. Kemi biseduar për dy orë me të. Kemi biseduar gjerë e gjatë për brengat, për konsekuencat e vonesës së formimit të institucioneve, për përparësitë që do të ketë Kosova me këtë qeverisje dhe për mangësitë që do t’i ketë në këtë qeverisje”, ka thënë Pacolli në një intervistë në RTK.

Ai ka deklaruar se është “konstruktiv” dhe se nuk do ta bllokojë vendin, por do ta bëjë hapin e parë drejt zhbllokimit të ngërçit politik.

“Jam për zgjidhje konstruktive, por nuk mund t’u them se do ta votoj Kadri Veselin apo Milaim Zekën apo dikë tjetër. Ne duhet ta shohim kush është kandidat”, ka shtuar ai.

Duke folur për takimin me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, Pacolli ka treguar se ai ka paralajmëruar shkëputjen nga koalicioni LAA, në qoftë se ky koalicion dhe Vetëvendosje nuk arrijnë të krijojnë shumicën për formimin e qeverisë.

“Sot kam folë edhe me z. Mustafa. Do të flas edhe me z. Kurti. Kam thënë se brenda dhjetë ditësh ju duhet të merreni vesh dhe nëse ju dy nuk jeni të gatshëm ta formoni një qeveri, unë nuk di çfarë kuptimi ka qëndrimi im aty”, ka thënë Pacolli.

Ndërkohë, Pacolli është takuar edhe me kandidatin e Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurtin. Detaje nga ky takim nuk janë publikuar. (r.m.)

Comment

*