Padi të reja ndaj Gruevski e tre ish-ministrave të tij, përfshirë Bujar Osmanin

Shkup, 10 tetor 2018 – Prokuroria Speciale e Maqedonisë njoftoi të mërkurën për nisjen e hetimeve për raste të reja që kanë të bëjnë me shpërdorimin e detyrës zyrtare, raporto REL.

Në mesin e të akuzuarve janë ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-ministri i Financave, Zoran Stavreski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, ish-ministri i Shëndetësisë, Bujar Osmani, dhe shumë zyrtarë të tjerë të lartë dhe drejtues e anëtarë të komisioneve të tenderit.

Sipas Prokurorisë Speciale Publike, të akuzuarit dyshohet se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me rreth 80 milionë euro.

Ish-kryeministri dhe ish-ministrat akuzohen për gjashtë raste të veçanta, me emrat e koduar: “Dhurata”, “Propaganda”, “Dizajni”, “Harmonia”, “Stacionet bazë” dhe “Pacienti”.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Bujar Osmani, tani zëvendëskryeministër për çështje evropiane, akuzohet për shpërdorime në kohën që Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ishte në pushtet me VMRO-DPMNE-në.

Hetimet përfshijnë periudhën nga viti 2010.

Ish-kryeministri NIkolla Gruevski është duke u gjykuar edhe për vepra të tjera, ndërsa për një prej tyre është dënuar me 2 vjet burgim.

Akuzat e Prokurorisë Speciale kanë për bazë bisedat e përgjuara telefonike, të publikuara në shkurt të vitit 2015. (r.m.)

Comment

*