Pajisjet e Teknologjisë Informative lirohen nga tatimi doganor

Prishtinë, 11 prill 2018 – Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka prezantuar sot para vendimin për lirimin nga tatimi doganor të pajisjeve të teknologjisë informative, të pjesëve rezervë të pajisjeve të prodhimit për subjektet prodhuese, si edhe iniciativat tjera ligjore nga fusha e tatimeve.

“Pas pranimit të rezultateve pozitive në sektorin e prodhimit të cilat kanë ardhur si rezultat i vendimeve për lirim nga tatimi doganor për lëndë të parë, gjysmë produkte, linja të prodhimit dhe pajisje të teknologjisë informative për prodhues, kemi vazhduar me takime intensive me komunitetin e biznesit duke përfshirë këtu të gjitha Odat, Klubet dhe Këshillat që veprojnë në Republikën e Kosovës në emër të subjekteve prodhuese, tregtare dhe zejtare, kemi dëgjuar për së afërmi sfidat me të cilat vazhdon të përballet komuniteti i biznesit në vend, po ashtu kemi pranuar të gjitha kërkesat e tyre për t’i përfshirë ato në ndryshimet e ardhshme”, tha Hamza në takimin e mbajtur me mediat.

“Si rezultat i kësaj pune të madhe, për t’u ardhur në ndihmë prodhuesve tanë, si në kërkesa ashtu edhe në sfida, Ministria e Financave ka marrë vendim për lirimin nga tatimi doganor për pjesët rezervë për pajisjet e prodhimit për subjektet të cilat janë të regjistruar në Administratën Tatimore të Kosovës si prodhuese. Po ashtu duke e parë trendin shumë pozitiv të ofrimit të shërbimeve të TI-së jo vetëm brenda por edhe jashtë vendit kemi marr vendim që ti lirojmë nga tatimi doganor të gjithë importuesit për importimin e pajisjeve të teknologjisë informative në Kosovë”, ka shtuar Hamza.

“Me vendimin për lirimin e pjesëve rezervë për prodhuesit, Qeveria e Republikës së Kosovës po ua ofron një mundësi tjetër të madhe prodhuesve për të prodhuar me kosto më të ulët se që e kishin deri më sot dhe këtë sfidë të prodhuesve tanë po e zgjidhim në mënyrën më të drejtë të mundshme”, ka thënë ai.

Hamza ka bërë të ditur se subjektet prodhuese do të lirohen plotësisht nga tatimi doganor, nga akciza dhe nga TVSH-ja për lëndët e para, për gjysmë produktet dhe për pajisjet e prodhimit.

Ai ka thënë se mMinistria e Financave, përveç prodhuesve, ka vendosur ta ndihmojë edhe sektorin e shërbimeve dhe ka shtuar se kjo do të jetë ndihmesë e madhe për të rinjtë, të cilët janë shumë aktivë në ofrimin e shërbimeve të IT-së edhe jashtë vendit.

Ministri Hamza ka thënë se vendimet për lirim nga tatimet kanë impakt financiar në buxhet, por ka theksuar se impakti më i madh i tyre do të jetë pozitiv dhe do të ndikojë në zhvillimin e sektorit të prodhuesve privatë dhe në sektorin e shërbimeve.

“Pritjet tona janë që këto vendime do të sjellin rezultat shumë pozitiv në zhvillimin ekonomik, sikur që na kanë sjellë vendimet të cilat janë në fuqi nga 1 janari i vitit 2018. Këto vendime janë në harmoni me planin e Punës së Qeverisë dhe Strategjinë për zhvillim ekonomik të vendit”, ka thënë ai.

Nga tatimi doganor lirohen këto pajisje teknologjike:

Printerët, skanerët të cilët lidhen me kompjuterë.

Të gjitha ngjyrat që lidhen me çipa të ketrigjave.

Serverët, shtëpizat etj.

Kartelat amë, ram, qendra e procedimit qendror të të dhënave, DD Ram, SD Ram.

Të gjitha makinat për zyre apo ato të cilat mund të përdoren në ofrimin e shërbimeve.

Furnizuesit me rrymë, invertorët për sistem kompjuterik, modemet, ruterat etj.

Altoparlantët për sisteme kompjuterike.

Mediumet optike, CD, DVD Softuer, Softuer rrjeti etj.

USB, Flash etj.

Video digjital kamerat për sisteme kompjuterike.

Monitorët monokrom, me ngjyra në forma LCD, LED OLED etj.

Modulet digjitale.

Konektorët për fibra optike, kabllo optike etj.

Bordet, panele dhe kabinat për të dhëna.

Modulet dhe pajisjet për Box Digjital.

Këto nuk do të jenë vendimet e fundit, ne do të vazhdojmë me reformën legjislative fiskale me Ligjet në të ardhura personale, Korporata, TVSH dhe Procedura të Administratës Tatimore.

(r.m.)

Comment

*