Pakuptimësia e një “solidariteti”

Daut Dauti

Mbledhja e parave për të paguar gjobën e FIFA-s për Shaqirin, Xhakën dhe Lichtsteinerin nuk ka kurrëfarë kuptimi e as nuk është solidaritet me veprimin e këtyre djemve. Pakuptimësia bëhet edhe më e madhe dhe brengosëse kur kjo iniciativë përkrahet zyrtarisht edhe nga kryeministri i shtetit shqiptar.

Euforitë që kaplojnë segmente të shoqërisë apo të një pjese të konsiderueshme të popullit janë të kuptueshme dhe të “arsyeshme”. Por, kur shteti, madje vetë kreu i shtetit, merret me to, duhet ta kuptojmë që nuk i kemi punët mirë.

Pagesa e gjobës është pranim i fajit. Dhe, si pasojë, është edhe pranim i ndalesës së përdorimit simbolik të shqiponjës në fushat sportive të botës apo aty ku ushtron pushtet FIFA. Shteti dhe shoqëria shqiptare është dashur të angazhoheshin në drejtim të ofrimit të mbrojtjes juridike apo administrative kur FIFA filloi procedurën. Por, edhe pas kësaj procedure. Pasi vendimi ishte i padrejtë, është dashur që të krijohet mundësia për të ndikuar në Federatën e Futbollit të Zvicrës që të ushtrojë të drejtën e ankesës. Prandaj, paratë dhe angazhimi është dashur të kanalizohen në këtë drejtim.

Tashti, me këtë eufori, e kemi pranuar se jemi pjesë e vendimit për ndalimin e shfaqjes simbolike të shqiponjës. Pra, mbledhim para me gëzim që të dënohemi vullnetarisht.

Comment

*