PAN-i nuk heq dorë nga e drejta për zgjedhjen e kryeparlamentarit

Prishtinë, 10 gusht 2017 – Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se PAN do të marrë pjesë në seancën konstituive të radhës vetëm nëse votohet për kryeparlamentar kandidati i këtij koalicioni, Kadri Veseli.

I pyetur nga Gazeta Express çfarë do të ndodhë në qoftë se Vetëvendosje dhe Koalicioni LAA nuk e votojnë Kadri Veselin për kryeparlamentar, Haliti ka thënë se Kushtetuta lejon që koalicioni fitues ta hedhë në votim të sërishëm postin e kryeparlamentarit.

“E hedhim në votim sërish. Sipas rregullave Kushtetuese, PAN-it nuk i kushtëzohet e drejta për kryetar të Kuvendit, për disa herë”, ka thënë nënkryetari i PDK-së.

Ai ka theksuar se ky është qëndrimi PAN-it që nuk do të ndryshojë.

Neni 67 i Kushtetutës së Kosovës thotë se “Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”.

Në kushtetutë nuk shpjegohet se si veprohet në rast se kandidati i subjektit që ka dalë i pari në zgjedhje nuk e fiton shumicën e votave në Kuvend. (r.m.)

Comment

*