Pandemia zvogëlon të hyrat tatimore në Kosovë

Prishtinë, 7 qershor 2020 – Masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, siç janë kufizimet në ushtrimin e aktiviteteve ekonomike, shlyerja dhe shtyrja e obligimeve tatimore ka ndikuar në uljen e të hyrave në Administratën Tatimore Kosovës.

Ilir Murtazaj, drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës, ka treguar se në pesëmujorin e parë të këtij viti ka pasur rënie të të hyrave nga tatimet. Ai ka thënë se, nga muaji janar deri në muajin maj, Administrata Tatimore ka inkasuar 186 milionë euro apo 22 milionë euro më pak se gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Murtezaj ka thënë se rënie e shkallës së inkasimit të të hyrave është pasojë e rënies së qarkullimit financiar të bizneseve. Sipas të dhënave të ATK-së për muajin prill, rënia e qarkullimit ka qenë rreth 44 për qind në krahasim krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

“Njëkohësisht janë edhe vendimet e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, pasi periudha për pagesa të detyrimeve tatimore dhe kontribute pensionale është zgjatur deri më 15 maj 2020, si dhe pagesa e kësteve tremujore është zgjatur deri me 30 qershor 2020”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

Murtezaj ka thënë se masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë së koronavirusi do të ndikojnë edhe në projeksionet e planifikuara vjetore. Sipas projeksioneve, ATK-ja duhet të mbledhë 557 milionë euro, por Murtezaj thotë se kjo është shifër është vështirë e realizueshme.

”Edhepse është herët të parashikojmë fundin e vitit, ne synojmë të arrijmë realizimin e të hyrave tatimore të vitit të kaluar”, ka thënë ai.

Murtezaj ka thënë se ATK synon ta arrijë këtë duke zvogëluar evazionin fiskal.

Vitin e kaluar Administrata Tatimore e Kosovës kishte grumbulluar 504 milionë euro.

(r.m.)

Comment

*