Paradat Greke në New York dhe Boston, me mesazhe shoviniste ndaj Shqipërisë

Motra e terroristit Konstantinos Katsifas do të jetë Marshalle e Nderit e Paradës Greke që do të mbahet në Nju Jork, në 14 prill

Postera që shpalosin pretendime territoriale shoviniste ndaj Shqipërisë janë shfaqur gjatë Paradës Greke në Boston SHBA.
Pasi ka marrë një numër njoftimesh dhe ankesash nga komuniteti shqiptar, Shoqata Shqiptaro Amerikane në Massachusetts, “Besa” ka nisur një peticion si kundërpërgjigje.
“Duam të njoftojmë komunitetin tonë se kryetari ynë, Mark Kosmo, bashkëkryetarja Jeta Kaziu dhe shkrimtari Gazmend Kapllani janë koordinuar me udhëheqës të komunitetit lokal për të nisur një peticion, ku do të bëhet e qartë se nuk do të tolerojmë sllogane urrejtjeje dhe përçarjeje kundër vendit dhe komunitetit tonë në qytetin e Bostonit apo në Kamënuelthin e Masaçusetsit, që është edhe shtëpia jonë!”, thuhet në njoftimin e postuar nga MassBesa, në Facebook.
Një nga nismat e disa qarqeve greko-amerikane në Boston dhe Nju Jork ka qenë edhe nderimi i terroristit Konstantinos Katsifas, që u vra pas një përplasje të armatosur me policinë shqiptare në Jug të Shqipërisë.
Motra e militantit të vrarë Hermione Katsifas do të jetë Marshalle e Nderit e Paradës Greke që do të mbahet në Nju Jork, në 14 prill. Deri tani vetëm Shoqata “Rrënjë Shqiptare” ka reaguar ndaj këtij nderimi.
“Rrënjët Shqiptare” kanë vendosur të nderojnë Çamërinë, në 75 vjetorin e tragjedisë, gjatë parakalimit shqiptar në Paradën e Emigrantëve që bëhet çdo vit në muajin qershor në Nju Jork.
(Ruben Avxhiu)

Comment

*