PARADIGMA KULTURORE E NJË MISIONI

Emin AZEMI

(Përkitazi me librin Nga Gonxhe Bojaxhiu deri tek Nëna Tereze – Një sagë për jetën e Katolikëve Shqiptarë nga Shkupi”. Figura qendrore e këtij libri është Nënë Tereza, por hulumtuesit e ITSHKSH janë kujdesur që peshën dhe rëndësinë historike e aktuale të kësaj figure ta vendosin në kontekstin social, kulturor, shoqëror e fetar, ku ajo u zhvillua si personalitet – që nga fëmijëria e deri sa i mbylli sytë për të fundit herë)

 

Libri më i ri “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri tek Nëna Tereze – Një sagë për jetën e Katolikëve Shqiptarë nga Shkupi” që po vjen në duart e lexuesve është botimi i radhës i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, por njëherësh edhe projekti nismëtar i Departamentit të Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Tereza. Ky i fundit është ngritur pikërisht si platformë idesh shkencore e hulumtuese mbi korpusin tematik e problemor të përpunimit arkivor e dokumentar të jetës, veprës dhe dimensioneve njerëzore e humane të Nënë Terezës dhe rrethit të saj familjar

Duke iu përmbajtur kësaj metodologjie hulumtuese, libri rifreskon kujtesën e lexuesit me kronologjinë e ngjarjeve e zhvillimeve që ishin pjesë e pa ndarë e formimit të një vetëdije kulturore e shpirtërore në Shkupin e fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Mirëpo për të vendosur komunikim diakronik me këtë periudhë të rëndësishme kohore, duhej të dokumentohej prania dhe fryma kësaj vetëdije.

Kështu lindi edhe ideja për të përgatitur librin e parë për “Familjet Katolike Shqiptare në Shkup”, një vepër kjo që arriti ta brendojë ITSHKSH-në si një prej institucioneve më të kualifikuara për ta deshifruar të kaluarën nën prizmin e objektivitetit dhe paanësisë, duke ruajtur të paprekur edhe autenticitetin dhe dokumentaritetin e pranisë fizike e shpirtërore të familjeve katolike shqiptare në Shkup këtu e një shekull  më parë.

Figura qendrore e këtij libri është Nënë Tereza, por hulumtuesit e ITSHKSH janë kujdesur që peshën dhe rëndësinë historike e aktuale të kësaj figure ta vendosin në kontekstin social, kulturor, shoqëror e fetar, ku ajo u zhvillua si personalitet – që nga fëmijëria e deri sa i mbylli sytë për të fundit herë.

Libri “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri tek Nëna Tereze – Një sagë për jetën e Katolikëve Shqiptarë nga Shkupi”, përfshin një korpus materialesh arkivore mbi rrugën jetësore e familjare të Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze, disa prej të cilëve bëhen publike për herë të parë. Mbi bazën e këtyre dokumenteve mund të konkludohet se Familja Bojaxhiu e kishte bartur farën e përtëritjes nga brezi në brez, nga koha në kohë, edhe atëherë kur i kanosej rreziku i harresës dhe zhdukjes.

Lidhjet e Nënë Terezës me Shqipërinë dhe Kosovën, ishin rezultat i rrethanave dhe kauzaliteteve që e bëjnë këtë figurë më të afërt për vrojtuesin e zakonshëm, i cili një kohë më të hershme  ka mund të jetë skeptik sa i përket rolit dhe kontributit të Nënë Terezës në artikulimin dhe afirmimin e drejtë të kauzave humane e liridashëse të popullit të cilit ajo i takonte. Por, tani në dritën e dokumenteve e dëshmive të reja.

Libri ngërthen angazhimin e parë  institucional nga vendlindja e saj Shkupi,  për të paraqitur Shën Nënë Terezën sa më objektive ashtu siç meriton të trajtohet figura e saj. Vetë titulli i librit deshifron lajtmotivin që përshkon dy faza të jetës së Nënë Terezës, e cila fillon nga Gonxhja e re e Shkupit, e vazhdon me Shën Nënë Terezën e gjithë botës, lajtmotiv ky që  është i lidhur me identitetin kombëtar dhe qytetin nga ajo është lindur. Ajo lindi në qytetin shpirtëror i cili përveç që është qendër e krishterizmit në siujdhesën ballkanike, aty u lindën dhe vepruan figurat e mëdha historike si perandori bizantin me prejardhje  ilire Justinani, Andrea e Pjetër Bogdani, Mihael Suma, Dom Ndue Bytyçi, Don Lazër Mjeda, At Zef Ramaj, atdhetari Kolë Bojaxhiu dhe Gaspër Gjini, studiuesi e autori i librit më argumentues i autoktonisë tonë të pandërprerë iliro – arbëroro – shqiptare “ Ipeshkvia Shkup – Prizren nëpër shekuj”.

Comment

*