Paraleli 38, mundësitë e gamës së plotë

Azem Parllaku

Azem Parllaku

Kërcënimi koreanoverior dhe roli rus në Siri, janë temat kryesore që, po dominojnë axhendën e ministrave të Jashtëm të G7-ës, i cili po zhvillohet në qytetin toskan të Lukas në Itali. Sulmi raketor amerikan kundër një baze siriane ka rritur së tepërmi tensionet. Rusia, aleate e regjimit sirian, ka reaguar ashpër. Ndërkohë, Pheniani e konsideroi sulmin amerikan një justifikim për programin e tij të armëve bërthamore. Në këtë samit përveç ministrave të Jashtëm nga Britania e Madhe, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe SHBA, marrin pjesë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian. Në vitin 1945, Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut u ndanë përgjatë paralelit 38, e që prej asaj kohe paraleli ka shënuar, një nga vijat ndarëse më absolute në botë, nga pikëpamja ideologjike, politike, ushtarake dhe ekonomike. Kur Lufta e Dytë Botërore përfundoi me humbjen e Japonisë në vitin 1945, Bashkimi Sovjetik dërgoi trupat në Kore nga veriu dhe SHBA dërgoi trupat e veta nga jugu. Ata ranë dakord ta ndajnë vendin më dysh përgjatë Paralelit 38. Ndarja supozohej që duhej të zgjaste deri kur të ishte eliminuar ndikimi japonez. Por në vitin 1948, nacionalistët koreanë në veri të udhëhequr nga Kim Il Sung, një guerilas me bindje komuniste, shpallën krijimin e Republikës Popullore Demokratike. Me ndihmën e sovjetikëve, Kim ndërtoi një ushtri të fuqishme dhe mori kompetenca diktatoriale. Ngjarjet që rrodhën më pas, kulmuan me atë që njihet si “Lufta Koreane” e viteve 1950, kur trupat e Koresë së Veriut kaluan Paralelin 38 në 25 qershor 1950, duke pretenduar se po kundërvepronin pas një sulmi të koreano-jugorëve, një konflikt i armatosur midis Koresë së Veriut e mbështetur nga Kina dhe Bashkimi Sovjetik nga njëra anë, dhe Koresë së Jugut, mbështetur nga SHBA, Britania dhe vendet e tjera të Kombeve të Bashkuara në anën tjetër. Konflikti trevjeçar në të cilin humbën jetën 3,5 milion njerëz, njihet dhe si Lufta e Ftohtë me shumë viktima. Me 27 korrik 1953, pas tre viteve luftë, u firmos një marrëveshje armëpushimi, e cila krijonte një zonë të demilitarizuar dy milje të gjerë përreth paralelit 38. Por, pas vdekjes së 34 mijë amerikanëve, 500 mijë trupave dhe civilëve koreano-jugorë dhe deri në 1.4 milionë koreano-veriorë e kinezë, si dhe disa mijëra ushtarë nga trupat aleate, kufiri mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut ishte praktikisht po aty ku kish qenë në kohën kur kish nisur lufta. Shembja e bllokut komunist në fillimin e viteve 1990 e la Korenë e Veriut me shumë pak miq. Që atëherë, Korea e Veriut, një diktaturë e armatosur deri në dhëmbë, por e paaftë të ushqejë popullin e vet pa ndihmën e huaj, është specializuar në provokimin e komunitetit ndërkombëtar për të siguruar mbijetesën. Ndërsa, Koreja e Jugut u zhvillua gradualisht në një demokraci të vërtetë dhe ka arritur kufirin e një vendi të zhvilluar industrial, me një kapacitet në rritje për të konkuruar në tregjet botërore, krejt ndryshe ndodhi me Korenë e Veriut. Ajo u kthye në një karikaturë të një shteti stalinist, duke qenë si shteti më policor në botë. Suksesi i regjimit koreanoverior, ka qenë dhe mbetet ai i izolimit të popullsisë, teksa agjensitë shtetërore të sigurimit, renditen si nga më të ashprat dhe të pamëshirshme. Duke i kushtuar një pjesë të paprecedent të prodhimit të saj kombëtar bruto për qëllime ushtarake, Koreja e Veriut ka krijuar forca të mëdha tankiste dhe shumë artileri, të dislokuara brenda largësisë së qitjes, kundër kryeqitetit të Koresë së Jugut, Seulit, të afta për të shkaktuar shkatërrime shumë të mëdha dhe qindra mijëra viktima pa ndonjë paralajmërim. Ajo e ka kthyer prodhimin e raketave dhe armëve bërthamore në një mjet të suksesshëm për shantazh ndërkombëtar. Në maj të vitit 2009, Koreja e Veriut u tërhoq nga Traktati i Armëpushimit me Korenë e Jugut dhe për këtë arsye ekziston akoma edhe sot “de jure” gjendja e luftes midis dy vendeve. Sot, Koreja e Veriut është një fuqi nukleare dhe përbën një kërcënim serioz për fqinjët tepër të zhvilluar të azisë juglindore. Regjimi i Kim Jong-unit ka arritur të prodhojë 20 koka raketash me përmbajtje bërthamore. Në 2016, Pheniani bëri dy teste shpërthimesh të fuqishme atomike dhe pretendon se ka fuqinë për ti vendosur këto koka në raketa, të gatshme për sulme bërthamore. Rrezet e raketave aktuale bërthamore përfshijnë Korenë e Jugut dhe Japoninë, ndërsa nuk ka të dhëna se, disponon një raketë ndërkontinentale për të qenë kërcënim për Shtetet Bashkuara. Posedimin e armëve nukleare, Koreja e Veriut e konsideron si një “politikë të saj të sigurisë së ekzistencës si shtet”. Por vënia në përdorim e tyre në një konflikt sado të kufizuar në rajon rrezikon jetën e miliona njerëzve. Javën e fundit, Koreja e Veriut testoi 4 raketa balistike me rreze të mesme veprimi, të cilat ranë në detin e Japonisë dhe që, Pheniani tha se ishin prova për të sulmuar bazat amerikane. Analistët thonë se shteti komunist po përpiqet të tregojë muskujt, tani që po izolohet më shumë ndërkombëtarisht, pas vrasjes së gjysmë-vëllait të Kim Jong-unit në Malajzi në fillim të shkurtit. Por rritja e tensioneve mund të jetë edhe një provokim për presidentin e ri amerikan Donald Tramp, i cili pati thënë se ishte i gatshëm të zgjidhte në mënyrë paqësore dhe me bisedime të drejtpërdrejta me Kim Jong-unin, krizën nukleare me Korenë e Veriut. Por më pas shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi Phenianin se testimi i një rakete ndërkontinentale bërthamore nuk duhej të ndodhte, pasi do të kishte pasoja të rënda. Aktualisht i vetmi mjet presioni si për Shtetet e Bashkuara, por edhe për Kinën sa i përket armëve nukleare koreanoveriore i të njejtës linjë me Kombet e Bashkuara mbeten sanksionet ekonomike, për ta detyruar Phenianin të ulet në negociata. Presidenti Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të veprojnë edhe të vetme përballë kërcënimit bërthamor nga Koreja e Veriut. Kërcënimi numër një në rajon vijon të mbetet Koreja e Veriut, për shkak të programit të pamatur, të papërgjegjshëm dhe destabilizues të testimit raketor dhe kapaciteteve të armëve bërthamore. Testi me raketat balistike që, Pheniani kreu së fundmi, e devijuan kursin e grupit të anijeve amerikane nga Singapori për të vijuar drejt Paqësorit perëndimor, aty ku kohët e fundit kishin zhvilluar edhe stërvitje ushtarake me Marinën e Koresë së Jugut. Vendi i izoluar komunist lëshimin e raketave balistike e bëri në prag të vizitës së presidentit kinez, Xi Jinping në Shtetet e Bashkuara, për t’u takuar me presidentin Donald Trump. Testimi u dënua nga Japonia dhe Koreja e Jugut, ndërsa Presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar shefat ushtarakë që të bëjnë gati çdo mundësi për të eliminuar ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut. Shefat ushtarakë të Pentagonit, janë duke u përgatitur për të marrë masa kundër Phenianit të uritur për luftë derisa tensionet janë shtuar në Gadishullin Korean. Top shefat e luftës kanë zbuluar se Presidenti amerikan i ka urdhëruar ata që të përgatitin “mundësitë e gamës së plotë” në përpjekje për të ndaluar Korenë e Veriut.

38thParallelMapV1paral2 paral

Comment

*