PARAMITHI, PARAMITHI!

NË PËRKUJTIM TË GENOCIDIT GREK -27 QERSHORIT 1944

Poeti atdhetar Gjergj Komnino përshkruan më 1945, Genocidin ose më mirë Holokaustin që kryen shovinistat grekë ndaj Shqiptarëve në Paramithi e në gjithë Çamërinë

Paramithi, Paramithi
O pellg me gjak,
O vënd fatzi,
Aty ku hyn fashisti grek,
Ku hapen varre me hendek,
Ku çdo hendek është një varr,
Për çdo Çam për çdo Shqiptar,
Ku një zervist, nazist-gjerman,
Një katil, një shpirt katran
Po bën batërdi,
Jo s’është grek
As palikar
Për trimëri,
Po një kusar
Një mercenar
Një faqezi.
Është turp i tokës ku u le,
Një i pabesë, një i pafe,
O dorë mizore me çfarë mënxyre
Lakmitë gjaksore t’u ngosën?
Ku janë kufomat të bëra vandak
Të shtrira përdhe pa faj pa gjak
Ku vallë u groposën?
Paramithi, qivur i mjerë
Ku janë gjashtëqind të nderë me pabesi?
Me gjuhë të kafshuar kërkon të të flasim?
Me fyt të këputur kërkon të bërtasim?
Pa këmbë, pa duar kërkon të lëvizim?
Oh! Ç’farë të padisim?
Dy zgavrat-kokalla t’i njomim me lotë?
Kurrë!!
Se ç’vepër të ndotë, se ç’farë torture
Askush s’mund ta thotë.
Shiko kufomat,si qiellin munxosin,
Shiko zervistat, si po na çfarosin
Në befasi!!
Ah! Hesht hipokrit, ç’bën sikur s’sheh
Kur klithma e jonë u ngjit gjer në re
O mershë e fëlliqur në botën e re,
Këlysh i zervës sulet mbi ne,
Si qen i tërbuar dhe s’ka kush e ndal,
Dhe s’ka kush e vret,
U ngjall prapë fantazëm e skelet!

O Çam Martir
O grek i lirë,
Ngrehu dhe zhduki këta vampirë me furri!
Lufto për jetë, lufto për Atdhe,
Ballkan I Ri të jetë për ne,
Një çerdhe e dashur për Paqe edhe Liri!

Paramithi, Paramithi edhe tani
Po shoh kukudhin si po ha
Eshtra dhe gjak nga im vëlla,!!

 

Nga Gjergj Komnino e publikuar në “Zëri I Çamërisë “ 22 gusht 1945.Shkruar për masakrat çnjerëzore të kryera nga bandat greke të gjeneralit famëkeq Zerva mbi popullësinë e pa fajshme të Paramithisë më 27,28 e 29 Qershor 1944.

One Response to “PARAMITHI, PARAMITHI!”

Read below or add a comment...

  1. Sali Bollati says:

    Ne se do “gjejne kohe” per ta lexuar politikanet e janullatosit “shqiptar” te Tiranes
    Se janullua i ka detyruar ta “fshijne” ÇAMERINE SHQIPTARE; Aqe me pak ta permendin kur pijne raki skrapari

Comment

*