Partia Demokratike humbet votën amerikane

Ruben Avxhiu

Fjalia më e rëndësishme në intervistën e zëvendës-ndihmësit të Sekretarit të Shtetit, Mattheë Palmer, me “Zërin e Amerikës” ishte: “Të zgjedhurit duhet të lejohen të fillojnë detyrën dhe të qeverisin”.
Kjo do të thotë që kur të nesërmen e ditës së votimeve, bashkitë e ndryshme në rrethe do të kenë nga dy kryetarë bashkie e nga dy këshilla bashkiakë, SHBA do të njohë ata që kanë dalë nga 30 qershori.
Këto qendrime kanë qenë shumë të qarta që nga fillimi.
Përveç vendeve në Kuvend, tani Partia Demokratike do të humbasë edhe mijëra vende në pushtetin administrativ lokal.
Unë nuk kam parë ende, gati gjashtë muaj më vonë, se çfarë nga veprimet që janë kryer gjatë këtij gjysëm-viti nuk bëheshin dot pa djegur mandatet në Kuvend?
Jam seriozisht kurreshtar të di procesin e mendimit që çoi në dorëzimin e pushtetit të çmuar legjislativ. Opozita në vend që t’u kërkonte ndërkombëtarëve të ndryshonin qendrimin e 20 deputetëve në Kuvend, për të sjellë rrëzimin e qeverisë dhe ndryshimin e kodit zgjedhor, vendosi t’i vinte në pozitën e aprovimit të një rruge të paprecedentë në historinë e demokracisë.
Ajo që ka në fakt plot precedentë në historinë e demokracisë nga ana tjetër janë zgjedhjet e manipuluara. Demokracia nuk ka përparuar duke anulluar zgjedhjet e braktisur parlamentet po duke i përmirësuar ato në radhën e ardhshme, duke luftuar me institucionet, duke përkryer angazhimin e vullnetit të popullit. Kjo është një betejë të cilët aleatët e Shqipërisë dhe ata të Partisë Demokratike në Perëndim e kuptojnë mirë dhe do të ishin gati ta përqafonin.
Partia Demokratike ka treguar në këtë vitin e fundit, një paaftësi të jashtëzakonshme për të debatuar alternativat e saj. Aleanca me LSI-në, e cila kishte tetë vite në pushtet e donte t’i bënte 12 vetëm sa ia ka sabotuar pretendimin se ofron një fillim të ri. Përjashtimi i figurave të partisë që nuk ishin dakord me strategjinë e zgjedhur kanë dhënë mesazhin se Basha ka po aq prirje autokratike sa Rama.
Protestat në rrugë kanë rëndësi për të shprehur ndjenjat e popullit, po në Shqipëri në këto muaj të fundit, protestat duken të organizuara për hir të protestave. Ato kanë shërbyer më shumë për të mbuluar mungesën e qartë të një strategjie.
Kur Rama u detyrua të ndryshojë qeverinë në fund të vitit të kaluar, ai filloi udhëtimin zbritës nga pushteti. U provua se revolta popullore jep fryte. Vetë partia kishte mbetur e përçarë. Plot socialistë në Kuvend, ose ishin të pakënaqur që kishin mbetur jashtë qeverisë (apo tepsisë) ose që i kishin hequr prej saj.
Raportet zyrtare të vendeve perëndimore për manipulime në zgjedhje, për probleme me trafikun e drogës, për mbështetje të projekteve për ndryshim kufijsh në Ballkan etj, ia kishin dobësuar shumë imazhin ndërkombëtar.
Viti 2019 mund të ishte viti i rrëzimit të tij të parakohshëm. Edhe sikur të fitonte zgjedhjet për pushtetin lokal. Madje akoma më shumë nëse fitonte në zgjedhjet lokale.
Në këtë situatë, vendimi i papritur i opozitës për të braktisur Kuvendin, madje për të djegur mandatet ishte zhvendosja e vëmendjes që Rama kishte aq shumë nevojë. Papritur në Shqipëri kishte akoma më keq se një autokrat që ndalon median e lirë, po nuk ndalon dot tregëtinë e drogës. Ishte një opozitë që dilte fare nga binarët e demokracisë.
Që atëhere, shpresa e vetme e atyre që ende kanë kohë për Shqipërinë në Perëndim ka qenë që të provohet të paktën në zgjedhje lokale një shans për funksionimin e demokracisë. Tani edhe ky shans është djegur. Rama sigurisht për hir të Shqipërisë duhej t’i kishte shtyrë zgjedhjet, po ashtu si Gramoz Ruçi nuk duhej të kishte pranuar djegien e mandateve. Po këta nuk janë burra shteti që mendojnë për të ardhmen e demokracisë në Shqipëri. Ata depozituan me vrap dhuratën bujare që u dha opozita.
Këto sharjet nga mëngjesi deri në darkë të “kryeministrit të drogës” dhe puna që “vendimet i merr populli” janë teatër kot. Opozita mungon aty ku ka nevojë më shumë Shqipëria. Në parlament dhe në fletët e votimit. Nga 1 korriku do të mungojë edhe në pushtetin lokal. Mungesa e tyre në sistemin e demokracisë do ta bëjë akoma edhe më të vështirë hetimin e nxjerrjen përpara drejtësisë të çdo prove që zbulohet nga regjistrime si ato të gazetarit gjerman.
Të paktën për këtë 30 qershor, nisur nga intervista e fundit e zyrtarit të lartë Palmer, duket se e kanë humbur edhe votën amerikane. Mesazhet nga përfaqësitë e të gjitha vendeve perëndimore janë të qarta për opozitën. Pas gjashtë muaj protestash, deklaratash të ashpra e poza të moralit të lartë, PD duhet të ndalojë një çast e të rishikojë strategjinë e zgjedhur.

One Response to “Partia Demokratike humbet votën amerikane”

Read below or add a comment...

  1. Sadik Elshani says:

    Titulli i shkrimit duhet te jete: “Partia Demokratike humb voten amerikane”.

Comment

*