Partitë e koalicionit qeverisës në Kosovë e mirëpresin marrëveshjen me Serbinë

Prishtinë, 4 shtator 2020 – Liderët e partive politike të koalicionit qeverisës në Kosovë e kanë mirëpritur nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë, e cila u nënshkruar të premten në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ia atribuon meritat kryesore Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kosova është e bekuar me miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo u dëshmua edhe një herë sot, me nënshkrimin e marrëveshjes së negociuar nën drejtimin e Shtëpisë së Bardhë”, shkruan ai në Facebook.

Mustafa e cilëson marrëveshjen si një të arritur të madhe të Kosovës kryeministrit dhe të Qeverisë së Kosovës.

“Kryeministri dhe Qeveria, me maturi e përkushtim, në pak javë, arritën ta ribëjnë Kosovën partner të besueshëm të aleatëve tanë strategjikë, SHBA dhe BE, prandaj ky Kryeministër dhe Qeveria e tij meritojnë mbështetje në rrugëtimin që kanë nisur”, shkroi zoti Mustafa.

Kosova është e bekuar me miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo u dëshmua edhe një herë sot, me nëshkrimin e…

Posted by Isa Mustafa on Friday, September 4, 2020

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e përshëndeti marrëveshjen, duke shprehut kënaqësinë që në marrëveshjen e nënshkruar u adresua shqetësimi i tij për shkak të përfshirjes së çështjes së Liqenit të Ujmanit në draftin e marrëveshjes.

“Miqtë e vërtetë gjithmonë e kuptojnë shqetësimin e drejtë. I lumtur që shqetësimet tona në pikën kontestuese për Ujmanin, kanë reflektuar në Marrëveshjen e nënshkruar. Besimi ynë në rolin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithmonë ka qenë i paluhatshëm dhe i tillë mbetet!”, shkroi Haradinaj.

E përshëndes Marrëveshjen e nënshkruar sot në Shtëpinë e Bardhë!Miqtë e vërtetë gjithmonë e kuptojnë shqetësimin e…

Posted by Ramush Haradinaj on Friday, September 4, 2020

Nënshkrimi i marrëveshjes në Uashington u mirëprit edhe Nisma Socialdemokrate, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës në Kosovë.

“Marrëveshja për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, që parasheh investime miliardëshe në shumë fusha, është e mirëpritur për Kosovën. Investimet në infrastrukturën hekurudhore e rrugore, në rrjetin e gazsjellësit, etj. do t’i japin shtytje të madhe ekonomisë̈së vendit tonë!”, thuhet në reagimin e Nismës Socialdemokrate.

Kjo parti thekson se njohja e shtetit të Kosovës nga Izraeli është ”dëshmi e  përkushtimit të madh dhe të vazhdueshëm të SHBA-ve në procesin e njohjeve të shtetit të Kosovës nga shtetet tjera!”

(r.m.)

Comment

*