Partizani befason Skënderbeun, Luftëtari ndal Kukësin

Partizani i mori me prepotencë Skënderbeut vendin e dytë në renditje, dhe këtë e bëri përmes një fitoreje në Korçë në tempullin e kampionëve të Shqipërisë.

Demat e kuq triumfuan 2-1 në fundin e një 90 minutëshi emocionues që e nisi keq, por diti ta kthejë në favorin e tij.

Një trekëndësh i bukur në hyrjen e zonës së kryeqytetasve solli golin e Xhejms Adenijit me një qetësi olimpike, dhe kjo ndezi festën e korcarëve, që gjithsesi rezultoi para kohe.

Ekuban i vodhi kohën mbrojtjes së vendasve duke barazuar rezultatin në 1-1.

Rastet pasuan radhazi por shifrat mbetën njësoj deri në limitin e një ore lojë, kur pikërisht i njëjti futbollist i dha epërsinë Demave.

Kaleb Ekuban Ansah, italo-ganezi i Partizanit përfitoi nga një gabim i prapavijës për të shkarkuar në rrjetë të majtën që vlen 3 pikë dhe vendin e  dytë.

Pretendimet e Kukësit për titullin kampion morën një tjetër goditje serioze me barazimin në Gjirokastër që ngjalli jo pak polemika.

Skuadra e trajnerit Gjoka u ndal në shifrat 2-2 në fushën e Luftëtarit por protagonist veç lojtarëve në fushë ishte dhe arbitri Klajdi Kola me disa vendime të diskutueshme.

Vetëm 5 minuta zgjati loja e qetë pasi Luftëtari mori epërsinë me Rexhinaldon që i rezistoi ndërhyrjes së mbrojtësve për të shënuar me një të djathtë të saktë.

Minutat rrodhën shpejt dhe në të 34 Imami u rrëzua në zonë dhe arbitri akordoi penallti për Kukësin pavarësisht protestave të vendasve për një vendim që lë hapësirë për diskutime.

Nga pika e bardhë Pero Pejic tundi rrjetën e gjirokastritëve, goli i 5 i kroatit me penallti nga 11 në total.

Fraksioni i dytë solli për herë të parë avantazhin e Kukësit me Izair Eminin që shfrytëzoi një krosim nga krahët për të shënuar.

Krenaria e Luftëtarit dhe respektimi i emrit që mban, bëri lojtarët të ngulmojnë për barazimin e merituar që erdhi në finale me Rapon, një supergol që ndezi festën në stadium.

Vllaznia dhe Tirana ndanë nga një pikë mes tyre në ndeshjen në Loro Borici, që thuajse nuk i ndryshon hierarkitë në renditje.

Asnjë gol por disa raste në impiantin shkodran në Klasiken që mblodhi jo pak tifozë për ta ndjekur.

Laçi humbi 0-2 me Teutën dhe zhytet më shumë drejt rënies pas një ndeshjeje ku u akorduan 2 penallti në 4 minuta.

Ribaj i dha avantazhin durrsakëve por Akuino dështoi për të bërë të njëjtën gjë për vendasit.

Në fraksionin e dytë sërish sulmuesi Ribaj vulosi suksesin.

Ai që po lufton me çfarë të mundet për mbijetesë është Korabi që fitoi 1-0 me Flamurtarin në një transfertë ku emigroi sërish, këtë herë në Peqin.

Sebino Plaku i dha 3 pikë dibranëve që kanë nevojë për një mrekulli që të mbeten në elitë.TopChannel

Comment

*