Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore : Refugjatët dhe azilantët drejt Amerikës

Albana M Lifschin

Nga Albana M. Lifschin

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në kongresin amerikan debatohej se çdo të bëhej me refugjatët e Evropës. Megjithë keqardhjen për viktimat e luftës shumë amerikanë ishin kundër emigrantëve. Ata mendonin se njerezit duhej të ktheheshin në vëndet e tyre dhe të rifillonin jetën e tyre atje, jo në Amerikë. Në vitin 1946 presidenti Harri Truman lëshoi një direktivë që lejonte 40.000 refugjatë të vinin në SHBA, 28 mijë prej të cilëve ishin hebrej. Shumë hebrej shkuan në Palestinë ku në 1948 formuan shtetin e ri të Izraelit. Dy vjet më vonë politika e emigracionit e SHBA ndryshoi në mënyre drastike. Me fillimin e luftës së ftohtë politikanët ishin më të interesuar të ndihmonin refugjatët e komunizmit se ata të nazizmit. Në aktin e vitit 1948 kongresi amerikan aprovoi Ligjin e “njerëzve të çvendosur” që lejonte SHBA të pranonte në territorin e vet 400.000 refugjatë nga viti 1948-1952.


Shumë njerëz të larguar nga vendi i tyre gjatë luftës nuk kishin dëshirë të ktheheshin më, sidomos në ato vënde që u aneksuan nga Bashkimi Sovjetik, apo ranë nën influencën e tij. Me aktin e 1948-tës, në Amerikë mbërritën 30 mijë letonezë, 10 mijë estonezë, 25 mijë çekosllovakë. Të gjithë refugjatëve u gjëndej punë, shtëpi dhe ishin gjendur sponsorët për të pritur e marrë nën kujdes refugjatët e ardhur nga vendet komuniste. Shumë refugjatë u sponsorizuan nga Kryqi i Kuq Amerikan, agjensi vullnetare, kisha, sinagoga, etj.
Bashkimi Sovjetik dhe vendet e Evropës Lindore, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, iu përgjigjen këtyre akteve duke e bërë të pamundur largimin e qytetarëve të tyre. Sipas karakterizimit të Çërçillit qeveritë e këtyre vendeve i kthyen ato në vende të “perdes së hekurt”.
Megjithatë pati njerëz nga të gjitha vendet që u arratisën nga kufijtë duke vënë në rrezik edhe jetën e tyre. Në dekadën 50-60 në Amerikë mbërritën 918 çekosllovakë, dhjetë herë më shumë polakë dhe pas shtypjes se revolucionit hungarez të 56-tës nga trupat sovjetike, nga Hungaria emigruan në SHBA reth 36 mijë hungarezë. Me ligjin e ri të emigracionit të vitit 1965 Amerika i hapi më shumë dyert për emigrantët. Ajo vuri një kuotë të re emigrantësh për çdo vend e çdo hemisferë. Për hemisferën perëndimore kjo kuotë ishte 120 000 vetë në vit ndërsa për hemisferen lindore arrinte deri në 170.000 njerëz në vit. Ky ligj i ri hapi udhë për miliona refugjatë dhe emigrantë nga Azia e Amerika latine.
Në mesin e viteve 60-të, 430 mijë hebrej u larguan nga Bashkimi Sovjetik. Prej tyre 180 mijë emigruan në SHBA. Shumica e emigrantëve rusë që erdhën në Nju Jork, u vendosën në Bruklin, ku krijuan lagjen e tyre të quajtur ” Odesa e vogël”.
Për emigrantët e ardhur nga Evropa Lindore përshtatja me jetën e re nuk ishte e lehtë pasi ata erdhën nga një sistem ku gjithcka ishte e gatshme e ishin mësuar që të prisnin gjithëcka nga qeveria. Në Amerikë, ata duhet të mbështeteshin në aftësitë e tyre, të ecnin me këmbët e tyre. U duhej të mësonin gjuhën dhe adoptonin kulturën e jetesës amerikane. Të ushqyer me mendimin se në Amerikë do të gjenin parajsën ata u zhgënjyen kur panë se edhe në këtë vend kishte të varfër, njerëz pa shtëpi apo ndodhnin krime si kudo në botë. Me kalimin e kohës nga radhët e emigrantëve dolën njerëz të shquar që dhanë kontribut në kulturën, ekonominë apo edhe politikën e SHBA. Në 30 vitet e fundit shumë artistë, skulptorë, shkencëtarë, etj., gjetën hapësirë në lirinë e krijimit në këtë vend, që në atdheun e tyre u ishte mohuar.
Mihail Barishnikovi ylli i baletit sovjetik, u arratis në 1974 kur ndodhej në Kanada me një shfaqje. Atëhere ai ishte 26 vjeç. Nga viti 1980 ai u bë drejtues i Teatrit te Baletit Amerikan. Zbigniev Brzezinski, i lindur në Varshavë në vitin 1928 erdhi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1950, fitoi Ph.D nga Universiteti i Havardit. Në 1961 u bë këshilltar pranë presidentit Xhon Kenedi ndërsa Presidenti Xhimi Karter i besoi atij postin e kryetarit të këshillit të sigurimit kombëtar.Madaleine Ollbrajt, lindur në Pragë, në 1937 është e para grua që u emërua në postin e sekretares së shtetit të Shteteve të Bashkuara te Amerikës. Edhe komuniteti shqiptar i Amerikës, ndonëse i vogël I dha këtij vendi emra të dëgjuar si artistët e komedisë,vëllezërit Xhon dhe Xhim Belushi, fituesin e çmimit Nobel në mjeksi Ferid Murad, biznesmenët e dëgjuar Anthony Athanas, Peter C. Kole, etj.
Duke filluar nga viti 1990, Shtetet e Bashkuara pranuan çdo vit, rreth 700 000 emigrantë e refugjatë nga Evropa, nga Azia, Lindja e mesme dhe Amerika latine.

Website: http://albanalifschin.tripod.com/

Comment

*