Pasardhësit e Normales së famshme të Elbasanit takohen pas 40 vjetësh

Nga Keze Kozeta Zylo

Në Elbasanin e njerëzve të mëdhenj si Onufri i shekullit të 16-të, Kostandin Kristoforidhi hartuesi dhe përpiluesi i fjalorit të parë të Gjuhës shqipe, Dhaskal Todri, dëshmori i parë i shkollës shqipe dhe krijuesi i një alfabeti me 53 shkronja, Ethem Haxhiademi shkrimtar dhe dramaturg etj, Aleksandër Xhuvani, filolog i shquar, emrin e të cilit mban Universiteti në Elbasan, u mblodhën ish studentët e Gjuhë–Letërsisë të vitit 1975 – 1979, për të festuar 40 vjetorin e përfundimit të studimeve nga ky universitet.
Pasardhësit e shkollës së famshme të Normales së Elbasanit, shkolla e parë e mesme kombëtare e krijuar ne vitin 1909 ndjenin një ngazëllim në shpirt dhe e mirëpritën me plot dashamirësi, ftesën nga organizatori i këtij takimi, ish shoku ynë i universitetit, studenti i talentuar me origjinë çame Hiqmet Zane. Natyrisht me ndryshimin e sistemeve shumë miq, studentë, shok janë larguar në çdo cep të globit dhe largësia bën punën e vet për mos të qenë të gjithë prezent.
Kur e vendosëm së bashku me bashkëshortin tim se do të shkonim në këtë takim të rendesishëm në Elbasan emocionet më përfshinë të tërën dhe kujtimet ridhnin si një ujëvarë që vjen nga Alpet dhe bjeshkët dhe s’ka nevojë kurrë për filtrim, ngase ato janë kujtime të moshës së artë, të moshës më të bukur të cilat janë futur në palcë të shpirtit.
Fluturimi me avion mbi ujërat e thella të oqeanit dhe hapësirës së pafund natyrore ma zvogëlonte kohën, sepse unë luaja me fijëzat e mendjes në tastierën e memorjes vitet që kishim kaluar bashkë me shokët dhe shoqet e universitetit,vitet më të florinjta. Aq i përjetova këto kujtime sa më dukej sikur avioni kishte peshë mbi normën e lejuar ligjore, sepse ishte i mbështjellë me folenë e mallit që peshon sa 7 kala…
Dita e shtunë,më 30 qershor së bashku me mbesën tonë të parë Dean na çoi në Elbasan. Dea me dukej si nje flutur e lehtë që kishte ardhur nga Nju Jorku në emër të mamit të saj Valbonës, bebes se parë në Universitet që pedagogët dhe shoqëria u përkujdesën aq shumë për ta rritur sa më mirë edhe pse kushtet nuk ishin të favorshme.
Dikur për të shkuar nga Tirana në Elbasan shkonim nga qafa e Kërrabës, rrugë tejet e vështire, por këtë radhë për herë të parë shkuam nëpërmjet tunelit që e shkurtonte udhëtimin deri në 20 minuta dhe këtë e çmoj…
Ja ndaluam përballë turizmit ku ishte lënë takimi ynë si dikur…Me kursimet tona shkonim shpesh tek turizmi për të marrë ndonjë zup 15 lekësh, zupa që amvisat e Elbasanit i gatuanin me shumë shije. Të takohesh pas 40 vjetësh kuptohet se çfarë ndodh me trurin tënd, ndonëse rryma e dritës nga sytë e tyre bëhet një mozaik si i Bezistanit të Elbasanit, një mozaik me karaktere të ndryshme, por me një respekt krejtësisht të vecantë. Në qendër të tavolinës ishte Dr.Tomor Arianiti zv/drejtues i Institutit të Lartë Pedagogjik dhe njëkohësisht profesori ynë i nderuar dhe tejet i devotshëm për lëndën e pedagogjisë, ish studentët si Hyqmet Zane, Remzi Kalemi, Fatos Laze, Fuat Memlikaj, Reshit Hida, Hatixhe Shtama, Vera Alushin, edhe më vonë në drekimin së bashku erdhi dhe Vasilika Lubonja.
Nuk e di, por në thinjat e tyre ndjeva dhe më shumë fisnikërinë në harmoni me fjalën e bukur shqipe të cilët dhe ishin diplomuar për të ligjëruar në auditore apo klasa shkollash të ndryshme, për të sjellë elegancën e fjalës së epërme, ku të parët tanë në Normalen e Elbasanit kishin sakrifikuar aq shumë. Bukur e tha poeti i mirënjohur Fuat Memlikaj se takimi me ju më rinon, më gazmon dhe rilind shpirtin.
Ndonëse kishte mungesa sepse siç e përmenda më lart largësitë, ndarjet kanë bërë punën e vet, përsëi nga Italia na telefonoi shoqja jonë Marilda Kurti, e cila me zërin e saj të pandryshuar me nje timbër të veçantë që dallohej kur intepretonte në aktivitetet tona kulturore dhe dukej që ishte geni i aktorit kombëtar Sulejman Pitarkës si mbesa e tij, na përqafoi virtualisht kokë më kokë. Zëri i saj vinte valë-valë nga lotët e mallit dhe dukej sikur godiste në kupat e pijes si të Maria Magdalenës, shenjtores që është gjendur në mozaikun e Elbasanit.
Të fala të përzemërta dërgonte nga Kanadaja mikesha jonë e shtrenjtë redaktore për disa vite në gazetën “Mësuesi” pranë Ministrisë së Arsimit, Vjollca (Hoxha) Spaho, e cila i ndoqi nga afër bisedat dhe momentet tona të bukura.
Me shumë emocion mirëpritëm dhe telefonatën nga prof.Bardhyl Matraxhiu i cili në pamundësi për të ardhur na uroi plot dashamirësi, ishte urim i një profesori që na ka lënë mbresa për dijet e tij, humorin e hollë dhe mënyrën se si ligjëronte në auditoret e universitetit.
Këta profesorë të nderuar dhe të paharruar si Dekani i Universitetit i ndjeri prof.Vasil Kamami, prof.Bedri Dedja, Tomorr Domi, Qamil Buxheli, Skender Kongoli, Sali Tabaku, Fatmir Selita, dijetari prof.Mehmet Celiku, Hysen Qosja, Mustafa Karapinjolli, Mihal Naska, etj janë një memorje e gjallë të skalitur në kulturën tonë, të cileve u shprehim publikisht mirënjohjen tonë të pakufishme.

Copëza kujtimesh…

Të gjithe ashtu gati të përqafuar u nisëm tek konvikti ku krah tij ka qenë dhe Instituti i Lartë Pedagogjik. Ja i tregoja Deas me dorë dhomën time ku kishja fjetur me vite dhe që e ndaja së bashku me miken time të shtrenjtë Liri Kllapin.
Të fokusuar në kujtimë të ndryshme herë duke qeshur dhe herë me trishtim, kujtonim vitet e largëta, kujtimet e mjalta dhe që këto kujtime na kishin sjellë si zogjtë shtegtarë nga larg pranë folezës së argjendtë në Elbasan që s’mund të harrohet kurrë.
Në biseda e sipër para nesh me një delikatesë dhe mikpritje të një gruaje të fisshme erdhi drejtoresha Jonajda Doçi (Hoxha) e cila tha se është nder dhe kënaqesi që të takohet me studentë dhe pedagogë të Universistetit “Aleksander Xhuvani”. Ne gjithmonë i mirëpresim dhe është respekti ynë të bisedojmë dhe t’i ftojmë në zyrën tonë vazhdoi zonja Doci.
Themeluesi dhe producenti i TV “Alba Life” Qemal Zylo fokusoi në kamera bisedën natyrale që u bë rreth tryezës të shtruar me shije nga drejtoresha. Zv/Dekani i universitetit Dr.Tomorr Arianiti foli për historinë e Universitetit duke shprehur dhe mirënjohjen për Drejtorin e parë Vasil Kamami i cili tha se i kishte ndryshuar jetën. Midis të tjerash Dr.Arianiti tha: “Një ditë të nxehtë korriku të vitit 1972, po punonim në zyrë me prof.Vasil Kamamin. Ai më pyeti: “Qeveria na hapi një kredi prej 11 milionësh për ndërtimin e shkollës së re. Të ndertojmë shkollë apo konvikt? -Unë ngula këmbë për shkollë. Ai më tha: Unë mendoj të ndërtojmë konvikt, sepse shkollën, në mos sot nesër do të na e japin, por konvikt nuk na japin… Dhe kështu bëri me inteligjencën e tij. Kjo qe një fitore e madhe sepse pas dy vjetësh na akorduan një kredi prej 20 milion lekësh me të cilën ndërtuam një godinë mjaft të mirë, ndërsa Instituti i Gjirokastrës që bëri shkollën në fillim, u rraskapit për 10 vjet rresht në konviktet e shkollave të tjera, sepse nuk i dhanë fonde për konvikt.
Ndërsa për Unviersitetin “Aleksander Xhuvani” tha se zyrtarisht njihet si vazhdim i Normales së Elbasanit e cila u hap, më 1909 dhe për drejtor të parë kishte vigan liberatorin Luigj Gurakuqin i cili në fjalën e hapjes ka thënë: “…Shqipnia u lëkund e tana nga zani i Shkollës Normale; atdhetarët nuk kursyen ndihmat e veta të begata, ndersa djelmët tanë rrodhën nga të gjitha viset e Shqipnisë e u derdhën këtu në Elbasan… Jo vetem nga Toskëria që ka qenë gjithmonë e para nder tregimet kombtare e nder luftat e Gjuhës, por ma fort nga Gegënia e Siperme, nga ajo Kosovë sa fisnike e trimoshe, me përpjekjet e të ndershmit Hasan Prishtina, i cili, na rrnoftë përjetë, na erdhën mjaft nxanës sa mund të thuhet pa frikë lajthimi se nuk ka asnji kand të Shqipnisë që të mos të ketë këtu mbrenda perfaqësuesit e vet.”
Normalja e Elbasanit u quajt më pas Instituti i Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” dhe në vitin 1991 Universiteti i Elbasanit i cili ka bërë një rrugëtim të natyrshëm dhe që është nje institucion i rëndësishëm kombëtar.
Prof.Vasil Kamami ishte me kulturë kishte mbaruar studimet shkëlqyeshëm për gjuhë dhe letërsi italiane në Firence të Romës dhe ne ndiheshim krenar si studentë që kishim profesoë dhe drejtues të këtij kalibri. Personalisht në këtë shkrim dua të ndajë një detaj nga jeta ime studentore me profesor Vasil Kamamim pasi si studente kishja nje “status” te vecante sepse ne vitin e dyte linda vajzën e parë Valbonën dhe ishte vështirë për studimet e mia. Mos u shqetëso më tha professor Kamami unë kam biseduar me drejtoreshën e çerdhes së fëmijëve këtu afër Universitetit pasi bebja juaj në shtator bëhet 2 muajshe dhe s’mund t’ja ndërpresësh gjirin, ndaj ata më kanë thënë se do të kujdesen, ndërkohë në shtator që kemi zborin ushtarak dhe në tetor punën prodhuese nuk do të vish se ja rritja që do i bësh bebes futet ne punë dhe zbor vazhdoi me një sens humori që e karakterizonte shpesh.
Me plot elekuencë folën dhe studentët e tjerë të talentuar si poeti Fuat Memlikaj dhe Remzi Kalemi mësues i përkushtuar dhe drejtor i shkollës “Andon Xoxa” në Fier për shumë vite.
Pasi bëmë fotot e radhës drekuam së bashku në nje restorant antik “Kondar 2”, kur befas mbërriti Vasilika Lubonja studentja e ëmbël nga Korça. Pasi u përqafuam së bashku e pyeta për miket e afërta si për Vasilika Lolin, Mamica Podën etj… por tek Mamica pashë që i rodhën lot sepse kishte pak ditë që mjerisht ishte ndarë nga kjo botë. Heshtëm dhimbshëm dhe gjithëkush solli kujtimet për shoqen tonë të mirë që dritë i pastë shpirti. Bisedonim dhe kuvendonim së bashku dhe dukej sikur erërat e Krastës na përkëdhelnin shkronjat e Alfabetit Shqip në buzët tona, dhe hidhnin rrënjë të forta në memorjen tonë si Rrapi i Bezistanit në qendër të qytetit. Kujtimet tona pasurohen më tej me takimet e ndryshme dhe ushqehen si degët e pemëve të ullirit që jane kurora e gjelbër e qytetit që aq shumë kemi qenë në pikniqe së bashku dhe kemi kundruar nga afër kurorën e gjelbër të qytetit që të mrekullonte me pamjen e saj dhe për më tepër kanë simbolin e pemës shekullore të quajtur “Ulliri i qejfit”.
Sollëm rreth tryezës me nga nje gotë verë përpara kujtimet tona dhe ndiheshim krenar që kishim mbaruar studimet e larta në qytetin e Normales, shkollës së parë të mesme më të famshme kombëtare dhe ne ishim pasardhësit e Normales, student të universitetit “Aleksandër Xhuvani” i cili me tekstet brilante Didaktikë e Edukatë, u përpoq që shkollën shqipe ta nxjerrë nga prapambetja dhe kaosi i rrymave të ndryshme. Në këtë plan, sipas Xhuvanit, rol të rëndsëishëm ka sidomos mësuesi, vokacioni i tij “sepse arti i edukatës, që ushtron mësuesi, asht ma i nalti e ma fisniku i arteve. (Wikipedia).
Ishte nje takim tejet mbresëlënës midis studenteve të gjuhë letërsisë të viteve 1975-1978, pasardhësve të Normales së Elbasanit, ku për rolin e Normales në edukimin kombëtar dhe pedagogëve pasardhës e bën që të njihet si një universitet elitar.
Ishin kujtime plot aromë si trëndafilat e Elbasanit që zbukurojnë portat dhe avllitë e tyre, ishin kujtime që u servirën midis nesh si ballokumet e verës së Elbasanit që miqte tanë të Elbasanit na i sillnit të ngrohta prej zemre çdo ditë vere, më 14 mars…

Korrik, 2018
Elbasan, Shqipëri

 

Comment

*