Patër Gjergj Fishta – Atdhetarizmi dhe Kryeveprat

“Lexova ‘Lahutën e Malcis’ dhe u habita. Jam gati të bëhem katolik për hir të Atë Gjergj Fishtës”*.

Eqrem Çabej

 

 

Shkruar nga Luigj Çekaj

E fillova këtë shkrim pikërisht kështu, sepse n.q.s.  “Poezia është si një kombinim gjërash për të cilat njeriut nuk i kishte shkuar mendja’më parë’ atëherë edhe vetë pohimi i albanologut më të shquar të të gjitha kohërave, Prof. Dr. Eqrem Çabejt, është njëri nga vlersimet më të bukura dhe më të papritura, që si njohësi më i mirë i gjuhës shqipe, i ka bërë mjeshtrit më në zë të përdorimit artistik të saj – kryepoetit Atë Gjergj Fishta, ndryshe të poetit tonë kombëtar.

Patër Gjergj Fushta ka lindur më 23 tetor të vitit 1871, në katundin Fishtë të Zadrimës, është fëmija i katërt i Ndok Simon Ndocit, më qenë se para tij Ndokës i kishin lindur edhe dy djem dhe një vajzë tjetër, dhe se parashikimi më i çuditshëm i Zefit të vogël ka qenë, se ai qysh në vitet e para të fëmijërisë, thoshte për veten e vet, si me të qeshur: “Mua më ka lind nana me të mendueme”, pa i shkuar ndoshta aspak mendja, se vetë poeti i ardhshëm profetizonte kështu një të vërtetë kaq të madhe, sa për ata që nuk e njohin Atë Gj. Fishtën, vështirë se mund të besohet.

Mësimet fillestare Fishta i ka marrë në Kolexhin Françeskan të Troshanit, i cili drejtohej nga Atë Leonardo De Martrino, një arbëresh nga Italia, i cili krahas lëndëve të tjera, filloi që t’i mësonte Zefit të viogël edhe gjuhën italiane, latinishten e vjetër dhe greqishten antike.Studimet e mesme Patër Gjergji i ka përfjunduar në Bosnje, ku, përveçse ka vendosur bazat e gjuhëve gjermane, frënge dhe serbo-kroatishte, është njiohur edhe ka zënë miqësi të madhe me disa nga poetet më të përmendur të Kroacisë, ku do të veçojmë emrin e poetit të pavdekshëm Silvije Stahimir Kranjçeviq (Silvije Strahimir Kranjčević), i cili përveç mjeshtrisë letrare dhe psikologjisë së krijimit, në zemrën dhe mendjen e Fishtës së ri student, nguliti përjetësisht edhe dashurinë për atdheun e vet, ndaj geneve të kombit dhe lavrimit të gjuhës shqipe, e cila, sipas poetit të madh kroat, ishte edhe njëra nga gjuhët më poetike të të gjithë Europës mbarë. Ndërkohë dhe krahas studimit të filozofisë dhe teologjisë, Patër Gjergji nisë që të shkruaj dhe të botojnë tek revista “Albania” e Faik Konicës vjershat e para, duke lexuar njëkohësisht edhe poetë të ndyshëm klasikë, si Homerin, Danten, Alfierin dhe Manzonin. Vitin e Provës Fishta e ka bërë në Kuvendin Françeskan Guça Gora (Guča Gora) në periferi të qytetit Travnik, ku, sipas një rituali të domosdoshëm të Urdhrit Françeskan, Fishta emrin Zef e ka ndrruar me emrin tjetër Gjergj. Më vonë dhe me kalimin e viteve të djalërisë, Fishta mendoi që të shkruante një këngë baritore, si “Bukoliket” e Virgjilit, me të cilat sigurisht ka shumë përngjasime edhe kënga e Marash Ucit, d.m.th. kënga e parë e “Lahutës së Malcis”.

 

“Te nji mriz, te nji lajthí

Kishin ndodhun tre barí

Dy me dhên e nji me dhí,

Njâni plak e dy te rí:

Marash Uci e t’ bijt e Calit:

Dy djelm t’ letë si shpezt e malit….”

 

Ditën e dielë të datës 25 shkurt të vitit 1894 Fishta ka thënë meshën e tij të parë në kishën e Troshanit. Në vitin 1899, Fishta caktohet në famullinë e Gomsiqes ku, si për fat njihet dhe miqsohet shpejt me Abatin e Mirditës Imzot Preng Doçin, për të cilin Franc Baron Nopça kishte shkruar: “Imzot Doçi ashtë nji peshkatar i vërtetë njerëzish”. Në vitin 1903 Fishta, i sapoemruar si Drejtor i Shkollës Françeskane, vendosë që gjuha shqipe të ishte si gjuhë e parë në të gjitha lëndët mësimore. Po këtë vit, nën kujdesin e mikut të vet, Atë Pashko Bardhit, Fishta boton në Zarë të Kroacisë një si libërth të vogël xhepi me 48 faqe, ku bënin pjesë këngët : 1- Marash Uci, 2- Besa e lidhun, 3- Kushtrimi dhe 4- Kasneci. Ky libër u shpërnda fshehtas në të gjithë Shqipërinë, dhe pati një sukses vërtetë të pazakontë. Kjo i dha zemër poetit, që të botojë përsëri në Zarë edhe blenin e dytë, ku tashmë hero ishte shkodrani Oso Kuka, qytetari i paepërm në trimëri, mbrojtësi i guximshëm i dinjitetit personal, trashigimisë fisnore dhe identitetit shqiptar.

Në të 52 faqet e këtij bleni ishin stamposur radhazi këngët: 1- Çeta, 2- Cubat, 3- Kuvendi i Cetinës dhe 4- Deka – Vdekja.

“Te figura poliedrike e Atë Fishtës – ka shkruar në Romë Studiuesja shkodrane Ana Luka më 1991 – lexuesi mund të njohin dhe të dallojnë, misionarin, poetin, hartuesin e alfabetit, gojtarin, regjizorin, dramaturgun, piktorin…, burrin e shtetit, pedagogun, dhe jetojë flijimin e madh, ku, çdo orë, poeti bëhet fli për fratin, frati për atdhetarin, atdhetari rraskapitej për me qenë gojtari, dramaturgu, regjizori, publicisti…, sepse Shqipëria kishte nevojë për gjithçka, dhe vetëm ai mund të bënte gjithçka për Shqipërinë e vet…”

Në vazhdim të vlerësimeve mjaft superlative, që Ana Luka i bën Atë Gjergj Fishtës së kudogjetur, megjithatë unë do të theksoja se, dy shkëlqimet Fishtiane, që e dallojnë këtë gjenialitet nga të gjithë rilindasit tjerë, janë vjershërimet e pakrahasueshme dhe atdhetarizmi i tij i pambarim.

 

“O Perendi a ndjeve,

tradhtarët na lane pa Atdhé.

E Ti rrin e gjuen me rrfé,

lisat n’për male kot!”

 

Ka shkruar dikur Fishta në kryeveprën e tij dramatike “Juda Makabe”, duke na dhënë të kuptojmë se asgjë më tepër nuk e shkatrron një komb sesa tradhtarët e tij të brëndshëm të cilët fatkeqsisht si mungojnë asnjë kombi.

Kryevepra poetike e Atë Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malcis”, e botuar në variantin e saj të plotë në vitin 1937 ka rreth 15600 vargje, të shpërndara në tridhjetë këngë të ndryshme, me gjashtë cikle. Konsiderohet si vepra më e realizuar në epikën e letrave shqipe. Por Fishta, në letrat tona, ka edhe kryevepra të tjera, siç janë përshembull, poezia “Gjuha Shype” e pa arritshme kurrë më, “Anzat e Parnasit”, “Juda Makabe”, “Gomari i Babatasit”, etjera vepra të medha, nëpër të cilat ka akumuluar nga dhëmbjet e shpirtit të vet, pak më shumë se 50000, pra pesëdhjetëmijë vargje, njërin më të fuqishëm se tjetrin. Fishta është mjeshtër i përdorimit të fjalëve të më ralla shqipe, si dhe i të gjitha figurave letrare pa përjashtime ku vendet e para i zënë krahasimet, metaforat e sidomos hiperbolat, ngaqë Fishta ka një aftësi të çuditshme që t’i smadhojnë gjërat.

Fishta ka shkruar në dialektin gegnisht, jo se nuk e ka njohur toskërishten, por me shpresë se me përsosjen e evolucionin e kësaj gjuhe në të ardhmen, do të vinte një kohë, siç thoshte vetë, “Që ‘Lulet e Verës’ së Naim Frashërit me ‘Lahutën’ të takoheshin diku aty në të folmen e Elbasanit”, ku, sipas gjasave, kombëtaristi i madh, parashihte shkrirjen dhe harmonizimin e dy dialekteve bazë në një dialekt dhe në një gjuhë të njësuar, siç ndodhi më vonë.

Krijimtarinë e pashoqe të Atë Gjergj Fishtës e kanë superlartësuar disa nga personalitetet më të spikatura të kulturës dhe letërsisë shqiptare, ku do të veçoja emrat e Poradecit, Luigj Gurakuqit, E. Koliqit, F. Konicës, Atë Zef Pllumit, Ismail Kadaresë, Martin Camajt, Nikolla Spatharit, Aurel Plasarit, e shumë të tjerëve si këta, pa harruar që të përmendi me respket këtu edhe emrat e miqëve të mi Dom Pjetër Popaj dhe Mark K. Shkreli, me porosinë e sinqertë të të cilëve e sipërmora këtë “aventurë”, gati si të pamundur, gjë që lexuesi e kupton vetë, sepse Fishta është kaq i madh, sa është tejet e vështirë të “ngujohet”, si ta them, në kornizën e një shkrimi modest, si ky i imi, thjeshtë, një si ese dashamirëse. Përfundimisht mund të themi se, krahas vlerave të mëdha shqiptare, që krijoi arti i pavdekshëm nëpër kryeveprat e njerëzimit, sikur janë, “Iliada” dhe “Odisea”, “Komedia Hyjnore”, “Don Kishoti”, “Hamleti”, dhe “Vëllezërit Karamazov”, edhe vendet ballkanike si, shqiptarët, malazezët, kroatët, bile dhe polakët, krijuanë edhe ata kryeveprat shpirtërore të letërsisë së vet si, “Lahutën e Malcis”, “Kunorën e Maleve”,  “Vdekjen e Smailagës”,  “Osmanin” dhe “Pan Tadeushin” e famshëm të zhargonit polak.

Patër Gjergj Fishta ka vdekur me datën 30 dhjetor të vitit 1940, duke e lënë atdheun e pushtuar nga Italia fashiste e B. Musolinit, për të cilin Fishta këmbëngulte megjithatë se nuk do ta kishte jetën e gjatë. Në ditën e funeralit madhështor të poetit të madh, njëri nga burrat më të ditur të qytetit Shkodër, Hafiz Ali Kraja, me zërin që i dridhej dhe me lot në sy, e krahasoi “Lahutën e Malcis” vetëm me poemen “Shahname” të Firdusit, që është, si me thëne ndryshe, të poetit më popullor të Persisë antike.

Kur kam lexuar diçka nga jeta e Firdusit dhe kam marrë vesht se taman në çastin fatal kur kufoma e tij e mbështjellur me qefin të bardhë po zbriste në kuotën më të thellë të varrit, dhe në qytetin e tij kishte arritur një karrocë e ngarkuar plot me dhurata nga shahu i Persisë, dhurata ku nuk mungonin pëposë gjërave të tjera as qindra mijërat e monedhave prej floriri, kam thënë me veten time se të gjithë poetet e mëdhej të kësaj bote, kanë pothuaj se të njëjtin fat “pagan”. Kurse ndryshimi midis fatit të Firdusit me fatin e Gjergj Fishtës, si ma merr mendja mua, qëndron në faktin se, së pakut persiani e ka një varr, të cilin Fishta nuk e ka, madje Fishta nuk ka as shtëpi as një monument, aniçka se Fishta të gjitha këto nderime të domosdoshme, sikur i ka të “zëvendsuara” në zemrën dhe mendjen e kombit të vet që e lindi…

 

 

 

 

 

 

Një fragment nga Kënga e tretë e “Lahutës së Malcisë”

 

PREJA

……………………………….

“Urra!” m’ shpinë, atbotë, si bisha

I u lshue Kerrni neper plisha,

Neper plisha e bregut t’ uj’ t,

M’ “karajfile” m’ nja tue e gjujtë,

M’ nja tue e gjuejtë, por veç per ânë:

Gjallë me dorë dote m’ e xânë.

Por me dorë nuk xëhej djali,

Pse kisht’ kênë nji sokol mali:

Kisht’ kênë Shkjau, po, me trí zêmra!

Tek e ndieu Kerrnin te thêmra,

E hodh pushken m’ nji ferrmanë,

Edhè xuer aj t’ idhtë tagâ’n,

Qi kisht’ fikë mâ se nji nânë;

……………………………….

 

–Or Shqyptár, qi tash n’ e vona,

Tuj perbuzun Fé e zakona,

Veç mbas shpine msýn anmikun,

Hec e shif si dredhë çelikun

Kerrni Gila e njaj Jovani:

Shif si dahet, bre, mejdani!

……………………………….

 

Kur i a behë, qe, n’ at fushore

Oso Kuka rrfé mizore,

Kah po kthete asajta n’ shpí

Me dy rob edhè me dhí,

Qi kisht’ marrë prej Malit t’ Zí.

Oson Kerrni tuj e pá

Disi marre atbotë i rá

Ke nene s’ kisht’ pré anmikun;

Prandaj çon të prehtë çelikun

Edhè e siell me kaq furí,

Qi t’kish ndeshë n’ cub t’ Malit t’ Zí

Fíll per gjysë, tham, kje tu’e pré.

Por jetë – giatë cubi kisht’ lé;

Pse ndermjet tagâ’n i a qiti

Me tê deken edhè e priti.

Kur tagânat janë zatetë,

Fort shunglloi Vranina e shkretë.

Edhè u kpu’n t’ dy per mjedisit,

Si t’ ki’ n kênë dý krande lisit.

 

“Jam ndermjet!” atbotë vikati

Oso Kuka edhè u ndêi gati.

U ndêi gati me i shkatrrue,

Pse me dorë kjenë t’ u pushtue.

“Trima, mjaft pask’ ni luftue:

Dikû veç nuk ká kênë shkrue.”

Zûni Osja atë herë me u thânë,

“Dikû shkrue veç nuk ká kânë

Njâni tjetrin dekë me e lânë…

Prá, ti cubi i Malit t’ Zí,

Prehi kâmbët e dredhò n’ shpí,

E thuej nânës e nuses s’ ré

(Per n’ i paç ti kund n’ at dhé),

Se per s’ dytit sod ké lé.

Jem’ tuj t’falë, po, n’ ket ditë t’ sodit

Pse, me giasë, qi kênke rodit.

Por ket fjalë shokve m’ u a thuej:

T’ mos u rrêjë njaj Cari i juej

Se sundon mbi né kurr Nika,

Per pá mbetë Shqypnija m’ çika.

Ndoshta t’ dám na jem’ nder veti;

Por kû né t’ na lype Mbreti,

Por kû Shkjau t’na ngasë n’ vend t’ t’ Parve,

Per ket besë, fara e Shqyptarve

Turk e i kshtênë — merr vesht, or djalë —

Kan me u gjetun krejt me ‘i fjalë…”

Kshtû tha Osja. Atbotë Jovani

Njâ as dý mâ nuk i a bani,

Por, si i a lidhen varrët e shtatit,

Rroku pushken e u nis shpatit:

Lum! e lum! po, kopilani

Pse i u kput n’ at ditë tagâni…

U nis shpatit per Cetinë

E Oso kuka per Vraninë,

Per Vraninë, kû kndote Zâna:

Ke bje dielli e ke mêrr hâna

Oso Kukë nuk bân mâ nâna

As n’ Begllerë as n’ Kapidana!

 

 

Gjuha Shqype

Porsi kanga e zogut t’veres,

Qi vallzon n’blerim të Prillit;

Porsi i ambli flladi i erës,

Qi lmon gjit e drandofillit:

Porsi vala e bregut t’detit,

Porsi gjâma e rrfés zhgjetare,

Porsi ushtima e nji termetit,

Njashtû â gjuha e jonë shqyptare.

Ah! po; â, ambël fiala e sajë,

Porsi gjumi m’nji kerthí,

Porsi drita plot uzdajë,

Porsi gazi i pa mashtrí;

Edhè ndihet tu kumbue,

Porsi fleta e Kerubimit,

Ka’i bjen qiellvet tue fluturue

N’t’zjartat valle t’ameshimit.

Prá, mallkue njaj bir Shqyptari,

Qi ketë gjuhë të Perendís,

Trashigim, qi na la i Pari,

Trashigim s’i a lên ai fmís;

Edhè atij i u thaftë, po, goja,

Qi e perbuzë ketë gjuhë hyjnore;

Qi n’gjuhë t’huej, kúr s’âsht nevoja,

Flet e t’veten lên mbas dore.

Në gjuhë shqype nanat t’ona

Shì prej djepit na kanë thânun,

Se âsht nji Zot, qi do t’a dona:

Njatë, qi jetën na ka dhânun;

Edhè shqyp na thanë se Zoti

Per Shqyptarë Shqypnín e fali,

se sá t’enden stina e moti,

Do t’a gzojn kta djalë mbas djali.

Shqyp na vetë, po pik’ mâ para,

N’agim t’jetës kúr kemi shkue

Tue ndjekë flutra neper ara,

Shqyp mâ s’pari kemi kndue:

Kemi kndue, po armët besnike,

Qi flakue kanë n’dorë t’Shqyptarvet,

Kah kanë dekë per besë jetike,

Kah kanë dekë kta per dhé t’Parvet.

Në këtë gjuhë edhè njaj Leka,

Qi ‘i rruzllim mbretnín s’i a xûni,

Qi kah bijte ai, shkelte deka.

Shekllit mbarë ligjë t’randë i vûni;

Në këtë gjuhë edhè Kastriota

U pat folë njatyne ushtrive,

Qi sa t’ndrisë e diellit rrota,

Kanë me kênë ndera e trimnive.

Prá, Shqyptarë, çdo fés qi t’jini,

Gegë e Toskë, malcí e qyteta,

Gjuhen t’uej kurr mos t’a lini,

Mos t’a lini sá t’jetë jeta,

Por per tê gjithmonë punoni;

Pse, sa t’mbani gjuhen t’uej,

Fisi i juej, vendi e zakoni

Kanë me u mbajtë larg kambet s’huej.

Nper gjuhë shqype bota mbarë

Ka me u njohtë se ç’fis ju kini,

Ka me u njohtë jú per Shqyptarë:

Trima n’zà sikurse jini.

Prandej, prá, n’e doni fisin,

Mali, bregu edhè Malcija

Prej njaj goje sod t’brohrisin:

Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnija!

 

 

Marrë nga “MRIZI I ZANAVE”, At Gjergj Fishta

(1913)

Oj Zanë t’kndojm… t’ vajtojm deshta me thanun;

Pse sot ditë kangët s’ asht për mue e tye.

Po ç’ gzim kjo ditë ne mundet me na dhanun,

Kur qe ; mbas nji motmoti q’iu pelqye

Evropës shqyptarin zot n’ shpi t’ vet me e lanun

E kujt pose Hyut, n’ ketë jetë mos me i sherbye,

Shqiptari i ndam prap me vedvedi gjindet

E ç’ka asht ma zi, prej vedit edhe s’ bindet.

E ku kjo pune kisht ndodhë posë se n’Shqypni,

Qi‚i popull, s’parit, dalun prej robnimit,

Për nji mot mot t’ rri ai n’ anarki

E t’ bahet prralla e gazi i rrozullimit,

Ke i zoti s’ asht ai sot me u vu n’ hulli,

Edhe me u thanë anmiqve e tanë njerëzimit:

Un ktu sundoj! M’ ketë shkam mue m’ vuni Zoti

E kndej nuk luej pa u shuemun stina e moti!

Ah! T’ mjerët na t’ mjerët! E sot me i pecë të kuqe

E me i orrl, duem q’i Shqypnija e mjera

Të dalë vedit n’ dritë, si vedit çilë n’ burbuqe

Nji drandofille e njomë , kur kthen pranvera …

Jo, Jo shqyptarë! Po banje duqe

E zhytnje n’ Dri, t’ mos e zhvillojë kurr era.

Flamuri kombëtar nuk ka ç’ka ban ndër ne,

Po kje se dashni nuk kem’ për Atdhe!

E, drue dashni për Atdhe nuk ka shqiptari;

Me gjasë, s’çan kryet shqiptari për komb t’vet,

As pse Shqypnija n’vedi u ba sot shtet;

Pse e shoh se veç atje ku xhixhllon ari

Pa frymë e tue dihatë vrap ai nget,

Si Krishtin shiti Juda Iskarjot,

Drue Atdheu ndër ne po shitet për nji zallotë….

A thue mos fola keq?… Po lypi t’falun,

Përse ktu vetë nuk due me fye kurrkendin.

E se asht mirë fjalën n’ zemër t’fryt m’ e ndalun,

Por njai qi t’ liruem me e pasë s’do vendin,

A prej se s’ mundet n’ shkamb t’ naltë me dalun,

A prej se tjerve s’ don me u lshue rendin

A thue ai s’ asht Judë? Po, kambë e krye Iskariota!

E pra ksi nipash ka dhe shume kastriota…

E po për ata, qi zyre e nder harrue,

Qi marre e turp kaherë flakrue mbas shpinet,

M’ visar t’ Atdheut me t’ huej shkojnë tue tregtue

( Kush ndyet mbas frankut rrejtë , kush mbas sterlinet,

Kush pse dinari tepër i asht lakmue).

E Atdheun prej s’ huejsh me e qitun duen bashtinet,

Thue edhe per kta ndokuj do ti vijë çuda

Kur thom se nuk janë tjetër veçse Juda ?

Po, Juda janë gjinde janë tradhtare…

……………………………………………………..

Oh, vaj ! Oh, kob! Oh marre e turp për ne!

Sot sheklli mbarë prir sytë prej shqyptarve

Me pà si perkujdesemi për Atdhe;

E si u dëshmojmë me punë na kundershtarve

Se jemi t’ zott me u lidhë me besë e fe

Edhe vetë me sundue vendin e t’ Parve:

E na, haru e si polipa deti ,

Veç hapim sytë me shkye ndoj send per veti!…

Shqyptarë! Shqyptarë!

Ndigjoni pashi Zotin!

Pa Ju kurrë s’ mundet n’ dritë me dalë Shqypnija:

A thue pra, n’ terr po e lini me e shkue motin

Tash qi u dergoi t’ bardhe fatin Perendija

Flamur me ngrehun n’ vedi ? E Gjergj Kastriotin

E t’Parët, a thue kshtu do t’i korisë nipnija?

Ke shoq me shoq ende s’ kemi ra n’ fije?

Ke vemë fitimin para çdo Shqypnije?

Ah! Jo, Shqyptarë, jo mos e lshoni dorët,

Shqypnin’ e mjerë –ketë Atme tuej t’ bekueme,

E cila sot, pervuejtë si vashë kunoret

S’ pari po hyn ndër fise t’ qytetnueme.

A thue pse tepër t’ ngushta i ka terthoret

M’e lanë me dnesë nën kambë t’ huej, t’ poshtnueme?

Ma e vogël se Rusija pat kenë Sparta,

Por nami i saj asht shkrue me shkrola t’ arta.

Ah! Ktu shqyptarë, po ktu’ n’ vorr t’ Kastriotit,

Përreth Flamrit tonët’ bahemi i ‘ vlla

E t’ japim shoshojt besën e Zotit,

Se per Atdhe na kem m’u orvatë pa dà ,

Tue shkri për Te të gjitha ditt ‘ e motit’

Se para t’ gjith n’ vorr na kem me u kjà’

Se e lamë Shqypnine me e shkelë prap themra e huej,

Posë Zotit n’ qiell, s’ do t’i sherbejmë ma kuej.

 

 

*) Lekë Dukagjini, “Atë Gjergj Fishta, Jeta dhe Veprat”, f. 258)

Comment

*