Paul Ryan: Nuk do të kandidoj më për Kongresin Amerikan

Ruben Avxhiu

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve lë një zbrazëtirë në udhëheqjen republikane në Kongres përpara betejës historike të zgjedhjeve të nëntorit

 

WASHINGTON – Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, në Kongresin Amerikan, Paul D. Ryan njoftoi sot, të mërkurën, se nuk do të kandidojë përsëri këtë nëntor.
Ai tha se do të largohet në janar, kur të mbushen 20 vjet që shërben si kongresist dhe se ka besim se do ta lërë shumicën republikane në duart të sigurta dhe me një të ardhme të ndritur.
Largimi i tij, megjithatë, nuk është vërtet një lajm i mirë për shumicën republikane. Ryan si kryetar ishte rezultat i një kompromisi të vështirë mes dy krahëve të Partisë Republikane, kompromis që është bërë akoma më i vështirë tani që Presidenti Donald Trump është bërë faktor shtesë në debatet mes konservatorëve.
Zgjedhjet e nëntorit do të jenë një sprovë jo e lehtë për Partinë Republikane që ka shumicën në të dy dhomat e Kongresit. Demokratët shpresojnë se pakënaqësia prej Presidentit Trump do të sjellë përmbysje historike në Capitol Hill.
Një Kongres i mbizotëruar nga Demokratët në mos do të votonte për rrëzimin e Presidentit Trump për shkak të abuzimeve të zyrës, do t’ia kufizonte mundësitë për ndryshime drastike.
Ryan ka qenë shpesh ndërmjet dy zjarreve. Kampi pro-Trump e ka parë gjithnjë me dyshim, kurse kritikët e presidentit e kanë akuzuar për dobësi dhe dorëzim të parimeve. Po kryetari në dalje i Dhomës së Përfaqësuesve mund të ketë realizuar ligjet dhe reformat që dëshironte duke u sjellë butësisht dhe në mënyrë aprovuese me Presidentin Trump, por duke siguruar që pikëpamjet e tij më shumë se ato të Presidentit të mbeten në letër.
Në fund, megjithë premtimet dhe ambicjet e tij, Paul Ryan nuk arriti të sigurojë një disiplinim historik fiskal amerikan. Defiçiti, borxhi j jashtëm, çdo gjë që ai ëndërronte të kufizonte ka vazhduar të rritet dhe të thellohet. Demokratët oa dyshim nuk kanë sesi ta shohin këtë ngjarje përveçse si një sinjal se nëntori do të sjellë një fitore të madhe. Republikanët po shkojnë drejt betejës me një kryetar në ikje. Pa një udhëheqës me gjuhë të moderuar si Ryan, figura e vetme mbizotëruese në parti mbetet Presidenti Donald Trump. Pasojat e këtij zhvillimi do të maten më mirë pas shtatë muajsh.

Comment

*