Pavarësia dhe tërësia teritoriale e Kosovës janë të pa negociushme

Sadik Elshani

Negociatat Kosove – Serbi, as andej, as këndej

 

Kohëve të fundit janë shtuar përpjekjet për ta vazhduar procesin e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë. Një ngjarje e rëndësishme ishte marrëveshja e 4 shtatorit që u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Është shkruar mjaft për këtë marrëveshje, prandaj nuk ka nevojë që të thellohemi më tepër në këte shkrim. Dikush e cilësoi si historike e dikush tjetër si tradhti. Kjo marrëveshje, që më tepër ishte një nënshkrim i një dokumenti të parapërgatitur nga Shtëpia e Bardhe dhe jo si një rrjedhojë e një procesi negociator në mes të dy palëve, nuk ishte as historik dhe as tradhti. Historike do të ishte kur Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës, Vuciqi vjen në Kosovë dhe në Prekaz përkulet përpara viktimave, ashtu siç bëri Vili Brandti në Varshavë; Serbia kërkon falje për krimet dhe shkatërrimet e bëra dhe zotohet që t’i kryejë te gjitha detyrimet e saj, e në radhë të parë të angazhohet për gjetjen e më shumë se 1600 shqiptarëve të zhdukur. Por, siç duket nga ky hap jemi shumë larg dhe ndoshta nuk do të ndodhë kurrë.

Ata, qofshin qeveritarë, politikanë e gazetarë që deklarojnë se njohja reciproke Kosovë – Serbi do të vijë së shpejti gabohen rëndë. Serbia kurrë nuk do ta njehë Kosovën pa ia futur dikush asaj te dyja këmbët në një këpucë ose pa u ballafaquar me një gjendje të rëndë, izolim të përgjithshëm nga bashkësia ndërkombëtare – dilemë hamletiane: Të jeshë apo të mos jeshë. Do te jeshë nëse e pranon pavarësinë e Kosovës, ose përndryshe nuk do të jeshë. Derisa Serbia e gëzon përkrahjen e Rusisë dhe Kinës dhe deri diku përkëdheljen e BE-së, ajo kurrë nuk do të ngutet që ta njohë Kosovën. Kush mendon ndryshe e gënjen veten dhe popullin e Kosovës. Është me rëndësi që Serbia ta njehë shtetin e Kosovës, sepse do ta mundësonte njohjen edhe nga shumë vende si dhe anëtarësimin në organizatat botërore, OKB, etj. Por, në ndërkohë Kosova nuk duhet të mbetet peng i këtij procesi, akti të munguar. Ne duhet të përqëndrohemi që ta ndërtojmë shtetin e Kosovës sikur Serbia të mos ekzistonte fare dhe të përgatitemi, të jemi gjithmonë të gatshëm që të ballafaqohemi me të në çdo çast e cdo rrethanë.Tekefundit, kemi të bëjmë me një shtet që nuk na ka njohur kurrë, madje gjithmonë është munduar që të na zhdukë nga faqja e dheut.Të mos e krijojmë dhe të mos bëhemi të varur nga një Sindrom i Serbisë, sikur nuk mundemi pa Serbinë. Të mos e lidhim fatin tonë me Serbinë. Mirë do të ishte që armiqtë shekullorë të pajtohen, por për këtë ka një proces që u cek pak më lart. Pa e njohur Serbia Kosovën nuk mund të ketë as “Mni Schengen”, sepse ky koncept ngërthen në vete, nënkupton marrëdhëniet e mira në mes të dy vendeve dhe jo vendeve që nuk e njohin njëri – tjetrin.

Kosova në mes të Scillës dhe Haribdës

Në këtë proces të negociatave secila palë, Serbia, SHBA-të, BE-ja, po mundohet që ta hedhë vallen e vet, por ne duhet ta hedhim vallen tonë nën ritmin e daulleve tona dhe të mos lejojmë që askush të hedhë valle në kurrizin tonë. Gjer më tani vetëm SHBA-të janë treguar si partner, përkrahës e dorëzan serioz të Kosovës, ndërsa nga BE-ja vetëm Gjermania e deri diku edhe Anglia. Ndaj udhëheqjes së Kosovës është duke u ushtruar një trysni e vazhdueshme dhe e pakuptimtë që të bëjnë lëshime në dobi të Serbisë. Prandaj, faktori politik i Kosovës duhet të jetë i bashkuar dhe jo i përcarë siç është tani. Ndërtimi i një shteti ligjor me institucione demokratike e funkcionale është mënyra më e mirë për t’ua mbyllur gojën kundërshtarëve tanë. Ne u jemi mirenjohes perjete te gjithe miqve tane qe na perkrahen ne ditet me te veshtira, por sot disa nga ata nuk jane duke u sjellur si miq te vertete. Atij që i është bërë një e mirë duhet ta vlerësojë atë, por edhe ai që e ka bërë atë të mirë nuk duhet ta keqpërdoë atë. Miku i mire, miku i vërtetë nuk të vë në pozitë të vështirë. Kërkesat e ndërkombëtarëve për krijimin e Associacionit të Komunave Serbe në formën e tanishme janë të papranueshme. Nuk e di a ka asociacione të tilla komunash të pakicave kombëtare në ndonjë shtet të BE-se, si p. sh. në Sllovakinë e z. Lajçak. Madje, një shtet anëtar i BE-së, Greqia, as që e njeh ekzistencën e shqiptarëve në shtetin e saj. Shqiptarët në Greqi nuk gëzojnë kurrëfar të drejta: u mohohet kombësia, gjuha, nuk kanë shkolla, gazeta në gjuhën shqipe, etj. Udhëheqësit e Kosovës duhet t’i ngulin këmbët dhe t’i mbrojnë interesat e Kosovës. Ne i dimë më mirë problemet tona sesa ndërkombëtarët, ata nuk do të jetojnë në Kosovë, ne do të jetojmë dhe do të ballafaqohemi me këto probleme tërë jetën. “Mikun prite mirë, nderoje, por zot shtëpie mos e bëj” – thotë një fjalë e urtë shqipe. Ne duhet të këshillohemi, t’i dëgjojmë kur e kanë me vend, por vendimet duhet t’i marrim vetë. E di që ky është një process delikat dhe i ndieshëm, por siç ka thënë poeti dhe prozatori gjermano – amerikan, Charles Bukoëski (1920 – 1994): “Ajo që ka rëndësi më tepër, është menyra sesi ecën përmes zjarrit”. Qeveria e Kosovës nuk e ka luksin që të ballafaqohet me BE-në dhe përfaqësuesit e saj të ngarkuar në proceset e dialogut Kosovë – Serbi. Këtë më së miri mund ta bëjnë shqiptarët përmes lidhjeve të tyre në vendet përkatëse të BE-së dhe në vetë selinë e BE-së. Duhet bërë një lobim duke shfrytëzuar të gjitha mënyrat: kontakte me politikanë, gazetarë e publicistë që gëzojnë autoritet në profesionin e tyre dhe që kanë ndikim të fortë në qeveritë e vendeve përkatëse, si dhe te publiku i gjërë.

Asociacioni – kurtha, Kali i Trojës i Serbisë

Kërkesa e BE-së për krijimin e asociacionit sipas orekseve të Serbisë është një kërkesë paradoksale. Europa e bashkuar që hoqi barrierat, kufijtë në pjesën dërmuese të teritorit të saj, tani kërkon nga një shtet i ri me 10 mijë kilometra katrore që të krijojë një shoqëri, shtet të stilit, modelit “Apartheid” në gjirin e saj. Përmes krijimit të këtij asociacioni Serbia është duke u munduar që ta fusë përsëri Kosovën nën kthetrat e saj. Vështirë shuhen ëndrrat dhe lakmitë shekullore të Serbisë për tokat shqiptare. Serbët dhe të gjitha pakicat tjera kombëtare, grupet etnike në Kosovë i gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutën e vendit. Ata gëzojnë më shumë të drejta se shumë pakica kombëtare që jetojnë në shtetet anëtare të BE-së. Rastin ekstrem (të tejskajshëm) të Greqisë e cekëm pak më lart. Ndërsa shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës e Sanxhak gëzojnë shumë më pak të drejta sesa serbët që jetojnë në Kosovë. Por, për këtë BE-ja nuk e çanë fare kokën.  BE-ja nuk kërkon nga pesë shtetet anëtare të saj që ta njohin Kosovën, ndër këto është edhe Sllovakia e z. Lajçak. Ne shqiptarët si pjesë përbërëse e kontinentit europian që nga lashtësia e gher në ditën esotme, duhet t’i përqafojmë idealet europiane, t’i mishërojmë vlerat europiane, perendimore. Është për t’u habitur se i dërguari i BE-së për Kosovën, z. Lajçak, komisioneri Borrell dhe para tij komisionerja Mogherini, me sjelljet, veprimet e tyre mospërfillëse ndaj shtetit të Kosovë tregojnë qartë se janë pikërisht ata që snuk i mishërojnë këto vlera, këto ideale. Vlen të thekësohet këtu se edhe vendi prej nga vjen z. Borrell, Spanja, ende nuk e ka njohur Kosovën.

Deklaratat joserioze, skandaloze të z. Lajçak

Zoti Lajçak deklaroi se Kosova duhet ta ndryshojë kushtetutën e saj për ta formuar asociacionin sipas kërkesave të papranueshme të Serbisë, kërkesa të cilat i përkrahë edhe z. Lajçak.Është Serbia ajo që duhet ta ndryshojë kushtetutën e saj në të cilën Kosova ende figuron si pjesë përbërëse e saj. Z. Lajcak dhe BE-ja duhet ta ndryshojnë qasjen, qëndrimin e tyre për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, për t’i dhënë fund konfliktit Kosovë – Serbi, duke përfunduar me njohje reciproke. Z. Lajcak pastaj deklaroi se për të marrë diçka duhet dhënë diçka, domethënë, për të arritur një kompromis, Kosova duhet të japë diçka. Duhet t’ia bëjmë të ditur z. Lajcak se Kosova ka dhënë shumë, ka sakrifikuar shumë ndër shekuj për lirinë dhe pavarësinë e saj: mijëra shqiptarë të burgosur, të vrarë, gra të dhunuara, shtëpi dhe objekte industriale, shkollore, kulturore të shkatërruara. Lista e vuajtjeve të shqiptarëve nga dhuna serbe është shumë e gjatë dhe shqiptarët do të bëjnë cdo gjë që kurrë më të mos kthehen nën sundimin serb. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë, miqtë dhe armiqtë tanë. Qëndrimet e z. Lajçak nuk janë në të njejtat valë me vendet kryesore të BE-së të cilat e kanë njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës me kufijtë ekzistues. Ka mjaft tema, ceshtje që duhen diskutuar me Serbinë, por jo pavarësia dhe tërësia teritoriale e shtetit të Kosovës. Kosova ka dhënë mjaft, ndërsa Serbia nuk është ndëshkuar fare për krimet e saj të kryera në tërë teritorin e ish Jugosllavisë.

 

Philadelphia, 18 tetor, 2020

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

 

Comment

*