Pavarësia e Kosovës përmes pullave postare

Prishtinë, 23 shkurt 2018 – Posta e Kosovës ekspozoi sot pullat postare për nder të vitit jubilar, 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Eksponatet e pullave postare, të cilau u ekspozuan në kuadër të ekspozitës së përhershme në Muzeun e Kosovës, pëbëjnë një kontribut në rrugëtimin e Kosovës prej vitit 2000, si dhe afirmimin dhjetëvjeçar të shtetit të Kosovës.

Drejtuesit e Postës së kosovës thanë se gjatë periudhës 18-vjeçare kjo kompani publike ka emetuar pulla postare me pamje të trashëgimisë kulturore, me imazhe të heronjve, dëshmorëve, të personaliteteve me famë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ata thanë se në këto pulla është promovuar flora e Kosovës, si dhe të arriturat në kulturë, në art dhe në sport.

Filatelia e Postës së Kosovës ka arritur rezultate të shkëlqyeshme në konkurrencën ndërkombëtare. Vetëm gjatë vitit të kaluar asaj i janë ndarë dy çmime prestigjioze ndërkombëtare. Për pullën postare më të bukur në botë “Shenjtërimi i Nënës Terezë” është shpërblyer nga organizata International Philatelic Prize “Saint Gabriel”, në Verona të Italisë, ndërsa pulla “Evropa 2016 – Mendo gjelbër”, është renditur e pesta për pullën më të bukur postare, të ekspozitës ndërkombëtare “Grand Prix De L’Exposition Wipa”,  në Austri. (r.m.)

Comment

*