PD: Drejtori i policisë në Durrës i fshiu kamerat e sigurisë në Fushë Krujë

Tiranë, 3 tetor 2018 – Partia Demokratike i akuzon Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit se kanë urdhëruar fshirjen e regjistrimeve të kamerave të sigurisë që mund të provojnë praninë e Taulant Ballës, Rrahman Rrajës dhe Artur Bushit në komisariatin e policisë në Fushë Krujë, më 21  Korrik.

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj e akuzoi vetë drejtorin e policisë së qarkut të Durrësit, Alfred Çepe, se u përfshi personalisht në zhdukjen e provave.

“Me urdhër të Ardi Veliut, Drejtori i Policisë së Qarkut të Durrësit,  Alfred Çepe, ka ngritur një grup pune për të gjetur dhe fshirë çdo kamerë që mund të provojë praninë e Taulant Ballës, Rrahman Rrajës dhe Artur Bushit në Policinë e Fushë Krujës në 21  Korrik.  Policët e zonës e dinë se ky grup pune me detyrë specifike fshirjen e  kamerave dhe serverave të bizneseve pranë Policisë kanë kërcënuar me  tatimorë, banditë dhe armë këdo që ka refuzuar të bashkëpunojë për  shkatërrimin e provave”, tha Alibeaj, citon Ora News.com.

“Punonjësit e policisë dhe punonjësit e SHKB-së tregojnë se vetë  Drejtori i Policisë se Qarkut Durrës, Alfred Çepe është përfshirë  personalisht në operacionin për zhdukjen e provave që implikojnë  Taualant Ballën, Artri Bushin dhe Rrahman Rrajën në kërcënimin  me armë të nënkomisar Emiljano Nuhut”, shtoi ai.

Sipas Alibeajt, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, di për kërcënimin dhe për përpkekjet për fshehjen e tij.

“Ministri i Brendshëm është në dijeni të plotë të këtij operacioni,  por nuk ka ndërhyrë për ta ndaluar atë. SHKB-ja që varet direkt nga  Fatmir Xhafaj, duhet t’i kishte sekuestruar dhe administruar kamerat që  provojnë praninë e Taulant Ballës në Fushë Krujë,  por nuk e ka bërë këtë për t’i dhënë kohë shkatërrimit të provave”, theksoi ai.

Alibeaj e akuzon Kryeministrin Edi Rama se po perdor propagandën me qëllim që të mos zbulohet e vërteta.

“Edi Rama po përdor të gjithë makinerinë e tij të propagandës  që  askush të mos flasë për denoncimin e oficerit të policisë, Emiljano  Nuhu, i cili përmend me emra mbrojtësit politikë të bandës famëkeqe të  Fushë Krujës Taulant Balla, Artur Bushi dhe Rrahman Rraja.  Ata janë të përfshirë në kërcënimin me pistoletë në kokë të  nënkomisar Emiljano Nuhut natën e 21 Korrikut, por Policia ka bërë  gjithçka për ta fshehur ngjarjen dhe për të zhdukur çdo gjurmë që mund  ta vërtetojë atë”, u shpreh deputeti i PD-së, Enlejd Alibeaj.

Nënkomisari Emiljano Nuhu dëshmoi se Taulant Balla, Rrahman Rraja dhe Artur Bushi kanë qenë në komisariatin e Fushë Krujës për ta kërcënuar atë pasi e kishte pranuar kallëzimin e shtetases Xhisiela Maloku ndaj të riut Rexhep Rraja, djalit të deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rrahja.

Aktualisht Rexhep Rraja ndodhet nen masen e arrestit me burg, per akuzen e perndjekjes së Xhisiela Malokut. (r.m.)

Comment

*