PD e kushtëzon kthimin në Kuvend me vettingun e politikës

Tiranë. 28 shtator 2018 – Në Shqipëri, Partia Demokratike (PD) duket se nga marrëdhënie e kushtëzuar po shkon drejt bojkotit total të parlamentit dhe të institucioneve tjera shtetërore.

Sipas nënkryetarit të PD-së, Edi Paloka, ky hap do të merret për shkak të lidhjeve të Qeverisë së Edi Ramës më krimin dhe për shkak të refuzimit të vettingut në politikë.

“Do të reagojmë në formë tjetër. Absolutisht jashtë parlamentit. Në cilin parlament të shkojmë ne? Në atë parlament ku janë përdhunuesit, ata që mbrojnë përdhunuesit, përfaqësuesit e krimit, aty të shkojmë dhe ne, të bëhemi fasadë që Rama të bëjë ato batutat e tij bajate që i janë shpifur dhe neveritur kujdo. Për këtë duhet të shkojmë ne në parlament?!”, ka thënë Paloka.

Nënkryetari i PD-së, Paloka ka paralajmëruar se po përgatitet edhe për protesta kundër qeverisë.

“Ajo që duhet të bëjë opozita është që, përveç pjesës që i takon dhe e bën çdo ditë, denoncimin e skandaleve të kësaj qeverie, është që duhet ti bëjë thirrje popullit të dalë në rrugë dhe të rrëzojë këtë qeveri.Populli e rrëzon. Se ka shumë aludime, çabën opozita, ku është opozita, pse nuk reagon. Opozita, në qoftë se ju mendoni se 40 deputetë sa jemi ne në parlament do të rrëzojmë Edi Ramën me ‘frymën e shenjtë’, kjo nuk ndodh”, ka thënë ai.

Paloka ka folur edhe për rastin e dhunimit të vajzës Xhisela Maloku nga djali i deputetit socialist Rrahja. Ai i ka akuzuar strukturat shtetërore se e kanë braktisur vajzën e dhunuar.

“Ngjarja në Fushë Krujë është vetëm një argument plus se Kryeministri po i mbron bandat dhe kriminelët”, ka thënë ai.

“Është përdhunuar një vajzë jetime dhe shteti në vend që të mbrojë vajzën është lëshuar të mbrojë përdhunuesit. Pse? Sepse babai i përdhuesit është deputet i Rilindjes, ky është skandali.

Nënkryetari demokrat dënon heshtjen e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se ai po i mbron dhunuesit e vajzës.

“Shteti nuk e mbron vajzën 24-vjeçare, por i sulmon nënkomisarin dhe opozitën”, ka theksuar Paloka, transmeton Ora News.tv.

(r.m.)

One Response to “PD e kushtëzon kthimin në Kuvend me vettingun e politikës”

Read below or add a comment...

  1. Mati says:

    Vettinga per politikanet, domosdo te filloje. Ama, jo vetem per individet, pa familjaret e tyre,nese nuk merret keshtu,nuk do te kete kurfare suksesi e kuptimi Vettingu.Ç’do behet me Salihun e Bashen, nese aty nuk meren edhe familjaret e bashkepuntoret-kualicioni i Salihut, djali,bashkshortja,vajza dhe familjaret e tjere te kriminalizuar.

Comment

*