PD kërkon që vota e Shqipërisë për Jeruzalemin të ndryshojë me rezolutë

Tiranë, 8 shkurt 2018 – Partia Demokratike (PD) ka dorëzuar në Kuvend një projekt-rezolutë, përmes së cilës kërkon ndryshimin e votës së Shqipërisë në Rezolutën për Jerusalemin të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, të miratuar në muajin dhjetor.

PD ka thënë se projektrezoluta lindi si domosdoshmëri e mungesës së konsultimit të Ministrisë së Jashtme me pushtetin ligjvënës.

“Në këtë frymë mungese bashkëpunimi dhe konsultimi ishte edhe qëndrimi i mbajtur nga Shqipëria në Stamboll, më 13 dhjetor, në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik lidhur me statusin e Jeruzalemit”, thuhet në projektrezolutën e demokratëve.

Opozita deklaron se kjo ka shkaktuar “sulme të padrejta e të padobishme ndaj Shteteve të Bashkuara” e për këtë propozon që vota e Shqipërisë në OKB të anulohet nga Kuvendi i Shqipërisë.

“Kuvendi duhet menjëherë të distancohet dhe të kërkojë nga Qeveria që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për rregullimin e kësaj situate”, thuhet në projektrezolutën e PD-së.

Partia Demokratike thekson qëndrimet e tilla ndaj SHBA-së bien ndesh me interesin kombëtar dhe të qytetarëve shqiptarë, raporton Top-Channel. (r.m.)

Comment

*