PD: Koncesionari i terminalit të Kontenierëve në Portin e Durrësit, i përfshirë “Panama Papers”

Deklarata e plotë e ish-deputetes demokrate opozitare Jorida Tabaku:

109 ditë para largimit, Edi Rama po lë pas tokën e djegur. Radha i ka ardhur Portit të Durrësit, një aferë korruptive 30 milionë euro, që ne e denoncuam 2 muaj më parë.

Njerëzit e papunë, të rinjtë që po e braktisin vendin se Rama nuk u la as edhe një mundësi për të shpresuar, biznesi dhe shtresa e mesme të rrjepur nga taksat nuk janë asgjë për Edi Ramën.

Edi Rama mendon vetëm për Edi Ramën, prandaj edhe një nga kalatat e Portit të Durrësit, i është dhënë me koncesion për 5 vjet një kompanie ofshore, pronarët e të cilës fshihen në parajsa fiskale.

Edi Rama ka detyrimin t’u thotë sot shqiptarëve kujt ia ka dhënë me koncesion kalatën e Portit të Durrësit për të futur në xhep 30 milionë euro nga taksat.

109 ditë para largimit Edi Rama nuk mund t’u fshihet më shqiptarëve.

Ata e dinë dhe e ndijejnë në lëkurë se për 8 vjet me radhë ky kryeministër i gënjeu, i mashtroi, shkatërroi ekonominë, rriti koston e jetesës dhe papunësinë.

Kur të votojnë në 25 prill, qytetarët do të kenë në listën e grabitjeve të taksave të tyre nga qeveria edhe Portin e Durrësit.

Kompania e shpallur fituese për koncesionin 30 milionë euro quhet “Hili Company Limited”. Ajo operon në Maltë dhe njihet ndërkombëtarisht për operacione të dyshimtë nga skandali i “Panama Papers”.

Administratori i kompanisë është hetuar në Maltë për pastrimin e parave dhe për mekanizma të ngjashëm. Prandaj, Edi Rama duhet të dalë sot para shqiptarëve dhe të thotë çfarë e detyroi të japë pasurinë e vendit, kalatën e Portit të Durrësit, tek një kompani fantazëm.

Kjo nuk është hera e parë që Edi Rama bën biznes të pistë me pasuritë dhe taksat e shqiptarëve.

Të njëjtën skemë ka ndjekur edhe me incineratorin e Tiranës, pronarët e të cilës janë të fshehur në llogari ofshore dhe paguhen miliona euro nga qeveria e Edi Ramës dhe bashkia e Erion Veliajt.

• Kush janë pronarët e vërtetë të kësaj kompanie?
• Çfarë dhe kush fshihet pas kompanisë malteze që do të marrë në dorëzim një pjesë të Portit të Durrësit?
• Pse Edi Rama po dorëzon një nga pikat e sigurisë kombëtare tek një kompani me pronarë të paidentifikuar?

Këto pyetje duan përgjigje konkrete nga përgjegjësi kryesor i shkatërrimit të ekonomisë sonë dhe i shpresës së mijëra të rinjve.

109 ditë para largimit të virusit më të keq për Shqipërinë, Partia Demokratike ka një angazhim konkret: Koncesioni 30 milionë euro në Portin e Durrësit do të hetohet me prioritet dhe ka për t’u anulluar!

Kushdo që fshihet pas tij nuk ka për të gëzuar vjedhjen e shqiptarëve!

###

Një nga nyjet më të rëndësishme të shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë do t’i kalojë për menaxhim privatit për 5 vite, raportoi Ora News.

Terminali i kontinierëve në Portin e Durrësit i ka kaluar HILI COMPANY LIMITED (LTD), një kompani me seli në Maltë për 3.1 miliardë lekë.

Pjesëmarrëse rezulton të kenë qenë dy operatorë ekonomikë, por njëri prej tyre është skualifikuar pasi në fazën e dytë ka tërhequr ofertën.

Sipas dokumenteve standarte të tenderit fituesi i kësaj kontrate do të kryejë procedurat e kontejnerëve në portin e Durrësit ku do të realizohet menaxhimi, operimi, mirëmbajtja, përmirësimin teknik dhe adaptimin për të përmbushur kërkesat aktuale dhe të ardhshme të trafikut në këtë port.

Në dokumente nuk përmendet investimi që do të kryejë privati, pasi të gjitha këto shërbime kryheshin edhe më parë në këtë Port.

Mësohet se burimi i financimit për këtë shërbim është i parashikuar nga të ardhurat, që sigurohen nga tarifat portuale për shërbimet me kontejnerët, në këtë mënyrë financimi dhe likujdimi ndër vite është i garantuar.

Më herët ky shërbim ofrohej nga kompania “Kurum” me të cilën Autoriteti Portual Durrës prishi kontratën.

Palët u përballën në gjykatë dhe pas humbjes së betejës ligjore në Shqipëri, çështja ka përfunduar në dyert e gjykatave ndërkombëtare ku kërkohet dëmshpërblimi prej 100 milionë eurosh.

Comment

*