PD: Konfirmimi i Hallunajt – provë se vetingu kontrollohet nga Rama

Tiranë, 1 gusht 2018 – Partia Demokratike shpërtheu kundër vendimit të sotëm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e konfirmoi  në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Dritan Hallunaj, i cili shpalli të pafajshëm Arben Frrokun, që ishte dënuar nga gjykatat më të larta për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj.

Deputeti Enkelejd Alibeja tha se vendimi është “këmbanë alarmi” se vetingu nuk po i ndëshkon të korruptuarit dhe se ky proces është i diktuar nga Edi Rama.

“Konfirmimi në detyrë i gjyqtarit të Krimeve të Rënda Dritan Hallunaj,  përgjegjës për lirimin nga burgu të mikut të Edi Ramës Arben Frroku,  vrasësit të komisarit Dritan Lamaj, është këmbanë alarmi për sistemin e  ri të drejtësisë dhe provë e qartë se vettingu  nuk po ndëshkon gjyqtarët e prokurorët e korruptuar dhe të lidhur me  krimin e organizuar. Lirimi nga burgu i një vrasësi si Arben Frroku, që më pas në të gjitha  shkallët e gjykimit, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, u dënua me burgim  të përjetshëm, është shkak i mjaftueshëm për të shkarkuar nga detyra një  gjyqtar. Nëse gjyqtarët konfirmohen në detyrë pavarësisht se kanë liruar nga  burgu vrasës dhe individë të lidhur me krimin e organizuar, atëherë  vettingu ka dështuar të kthejë besimin e qytetarëve në sistemin e  drejtësisë”, tha ai, citon Ora News.tv.

Alibeaj kujtoi deklaratën e ambasadorit Donald Lu, tri vjet më parë, lidhur me rastin e Arben Frrokut dhe gjyqtarit që ia dha pafajësinë.

Ai theksoi se Hallumaj i duhet kryeministrit Edi Rama në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

“Me konfirmimin në detyrë të Dritan Hallunajt, jo vetëm po faktohet çdo  ditë se Edi Rama kontrollon politikisht procesin e vettingut, por po  faktohet gjithashtu se Pallati i Drejtësisë nuk po pastrohet nga  korrupsioni dhe krimi i organizuar.  Organet e vettingut e mbrojtën gjyqtarin Hallunaj që liroi nga burgu Arben Frrokun, sepse tani ai i duhet Edi Ramës në Këshillin e Lartë  Gjyqësor, për të vënë nën kontroll edhe qeverinë e re të gjyqësorit.  Nëse procesi i vettingut nuk do të ishte i korruptuar politikisht, sot  Dritan Hallunaj do të ishte shkarkuar nga detyra, si një nga gjyqtarët e  korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar”, u shpreh deputeti i PD-së.

Alibeaj shprehu shqetësimin se procesi i vettingut, i diktuar nga Edi Rama, po mban në sistem gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, në kundërshtim me pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë.  (r.m.)

Comment

*