PD paraqet 15 amendamente dhe deklarohet kundër Buxhetit 2018

Projektbuxheti dhe Paketa Fiskale për vitin e ardhshëm do diskutohen dhe miratohen nen për nen nesër në seancën maratonë të Kuvendit.

Partia Demokratike ka vendosur sot në mbledhjen e grupit parlamentar të bëjë 15 propozime për buxhetin e ardhshëm. Një pjesën e mirë e propozimeve janë të fokusuara për pronën bujqësore, taksa për banesat ku PD ka kërkuar taksimin e vetëm njërës dhe jo të dyja siç parashikon pr/ligji. Gjithashtu debate priten dhe për TVSH-në e biznesit të vogël apo dhe për uljen e TVSH-së për produktet e shportës.

Gjithashtu, PD ka propozuar një amendament edhe për zhvendosjen e fondeve në drejtim të sektorëve më problematikë të vendit si dhe shkurtimin e shpenzimeve të luksit në administratë. Seanca e ditës së nesërme, ku pritet të diskutohet dhe miratohet nen për nen projektbuxheti i shtetit për vitin 2018, do të jetë maratonë dhe pritet të ketë debate të nxehta.

Kryetari Lulzim Basha tha pas mbledhjes së grupit të deputetëve se kryeministri Edi Rama “ka ndërmend të finalizojë buxhetin e kriminalizuar”.

“Qëndrimi i opozitës i qartë, kundër buxhetit nesër, që ta ndalojmë si buxhet mafioz. Ne do të paraqesim amendamente për taksën e sheshtë 9%, TVSH-në 15% dhe që TVSH-në e biznesit të vogël 12 mln lekë dhe rritjen e fondit për pagat dhe pensionet”-tha ai.

Sipas zotit Basha, Qeveria duhet të mbajë nivelin për rritjen e pagave si në vitin elektoral, ndërsa PD propozon rritjen në 20% të fondit për ndihmë ekonomike dhe “qeverisë t’i shkurtojë mandatin”.

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka paralajmëruar betejë të fortë në Kuvend nga opozita kundër draftit të projektbuxhetit dhe paketës fiskale sipas propozimit të mbërritur nga qeveria.

Basha tha se buxheti është projekt mafioz në funksion të pastrimit të parave të krimit. Megjithatë, kreu i PD tha se opozita do bëjë propozime për amendimin e buxhetit, i cili sipas tij duhet të shkojë në funksion të qytetarëve dhe jo oligarkëve.

“Dua të sjell konkluzionet e grupit tonë parlamentar për mbledhjen e nesërme. Nesër, Edi Rama ka ndërmend të finalizojë buxhetin e pastrimit të parave të pastra, të goditjes së biznesit të vogël dhe të mesëm, të rrënimit të mëtejshëm të shëndetësisë, të ndotjes së Shqipërisë me skemën 400 mln euro të inceneratorëve.

Qëndrimi i PD, ka qenë dhe mbetet kundër këtij pr/buxheti i cili është dhe duhet të jetë akti i fundit i kësaj qeverie, të cilin ne nuk do ta lejojmë të zbatohet, pjesë e këtij qëndrimi do jetë dhe dita e nesërme në Parlament, për të bërë transparencën totale para qytetarëve, për ndalimin e këtij projekti mafioz. Do paraqesim amendamente në Kuvend të cilat synojnë të zhbëjnë sistemin kriminal të taksave që është ndërtuar në këto 4 vite duke propozuar taksën 9%, TVSH 15% dhe rritjen në 12 mln lekë të kufirit të TVSH-së për biznesin e vogël.

Blloku i parave që do u çohet si dhuratë përmes skemës së koncesioneve dhe pastrimit të parave të pista përmes PPP, të zhbëhet. Këto para të shkojnë naty ku shoqëria ka më shumë nevojë, te fëmijët të cilët nuk kanë pse të paguajnë tekste shkollore nga klasa e parë deri te klasa e 9. Te rritja e buxhetit për arsimin 5%, mbështetje për fermerët në 15 milionë euro të subvencioneve. Në programin tonë ekonomik kemi një mbështetje të fuqishme për fermerët. Kjo skemë u arrit në vitin 2013 dhe prejk atij viti nuk ekziston më. Sa marrin tre fabrika sallami në Korçë, marrin të gjtiha paratë e subvencioneve, ndërsa fermerët nuk marrin asnjë kacidhe. Qeveria të mbajë nivelin e pagave dhe pensioneve si në vitin elektoral, të mbajnë këtë nivel, kjo është plotësisht e mundur”, tha Basha.

shqiptarja.com

Comment

*