PDK do të kërkojë formimin e komisionit hetimor për vdekjen e 26-vjeçarit në Qendrën e Studentëve

Prishtinë, 5 maj 2020 – Partia Demokratike e Kosovës [PDK] do të iniciojë në Kuvend formimin e një komisioni hetimor për rastin e vdekjes së 26-vjeçarit në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, e cila është shndërruar në karantinë për qytetarët që vijnë në Kosovë nga jashtë.

Këtë e ka bërë të ditur sot, në një konferencë për media, deputetja e kësaj partie, Eliza Hoxha.

“Grupi parlamentar propozon krijimin e një komisioni hetimor parlamentar. Ky komision parlamentar do të duhej të hetojë sjelljen e qeverisë gjatë kësaj kohe të pandemisë. Shefi i Grupit parlamentar do të kontaktojë me grupet e tjera paralementare. Krijimi i këtij komisioni të posaçëm dhe ata që do të jenë në përbërje të tij, do të hetojnë këtë rast”, ka thënë Hoxha.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, ka thënë se edhe kjo parti do të iniciojë themelimin e komisionit hetimor lidhur me këtë rast.

Studenti Agon Musliu nga Livoçi i Epërm i komunës së Gjilanit të dielën është hedhur nga kati i pestë i njërit prej konvikteve të Qendrës së Studentëve, ku ishte karantinuar një ditë më pare, pas kthimit nga Gjermania, ku kishte shkuar për të vazhduar studimet për master.

Familja Musliu e ka akuzuar Kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Brendshme dhe ministrin e Shëndetësisë për vdekjen e të birit. Ai ka thënë se djali i tij kishte pasur probleme me veshkë, prandaj ka kërkuar që të mos dërgohet në karantinë.

Sipas babait të tij, Naimit, autoritetet e shëndëtësisë në Aeroportin e Prishtinës dhe në Qendrën e Studentëve nuk e kanë marrë parasysh dokumentacionin që kishte ofruar ai vetë lidhur me shëndetin e të birit tashmë të ndjerë.

[r.m.]

Comment

*