PDK e cilëson të rëndë situatën në Kosovë, kërkon maturi, urtësi dhe unitet

Prishtinë, 6 nëntor 2020 – Enver Hoxhaj, ushtrues i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë se Kosova është në një situatë të rëndë pas konfirmimit të aktakuzave ndaj tashmë ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

“Konfirmimi i aktakuzës ndaj Veselit e Thaçit flet që Kosova është në një situatë të rëndë dhe në një proces të vështirë të shtetndërtimit. E një situatë e tillë e vështirë është edhe për PDK-në. Unë jam i bindur që ata do të dalin faqebardhë. Ne miqtë e bashkëpunëtorët e Veselit e Thaçit, jemi krenarë me arritjet e tyre dhe sjelljen shembullore. Ata ishin në lartësinë e burrështetasve që para interesit të tyre e vunë interesin e shtetit, ashtu edhe siç është parë dje”, ka thënë Hoxha, në një konferencë për media, të premten.

Hoxhaj ka thënë se nuk duhet të lejohet që në Kosovë të krijohet krizë institucionale apo politike.

“Në këtë kohë duhet të tregojmë maturi, urtësi, unitet. Nuk duhet të lejojmë në asnjë mënyrë krizë institucionale. Situata e vështirë pandemike e ekonomike nuk kanë nevojë të shoqërohen me një krizë politike prej nesh”, ka shtuar ai.

Hoxhaj ka njoftuar edhe për vendimet që janë marrë në mbledhjen e fundit të kryesisë së partisë.

“Kryesia e partisë ma ka besuar mua detyrën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të partisë. Kjo është një përgjegjësi e madhe për mua e për këdo që do të gjendej në pozicionin tim, një sfidë e cila mund të përballohet vetëm nëse forcojmë solidaritetin dhe unitetin brenda partisë”, ka thënë ai.

Hoxhaj e ka prekur pak edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit. Ai ka thënë se ka kohë “për këtë”

(r.m.)

Comment

*