PDK e konsideron fundin e janarit kohë të përshtatshme për zgjedhjet

Prishtinë, 22 dhjetor 2020 – Memli Krasniqi, njëri ndër nënkryetarës e Partisë Demokratike e Kosovës, tha se fundi i muajit janar të vitit 2021 do të ishte kohë e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Krasniqi i bëri komentet pas takimit konsultativ me ushtruesen e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai tha se në këtë takim shprehu qëndrimin e partisë së tij, që data e zgjedhjeve të caktohet sa më parë.

“Besojmë se fundi i janarit është datë e përshtatshme. Presim që Gjykata Kushtetuese, sa më parë, të publikojë aktgjykimin e plotë, në mënyrë që ai të jetë i plotfuqishëm. Dhe, besojmë se është e domosdoshme që të mos humbet kohë”, tha Krasniqi.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i nisi konsultimet me partitë politike të martën, një ditë pasi Gjykata Kushtetuese konstatoi se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese.

(REL)

Comment

*