PDK e kritikon Hotin për takimin me Vuçiqin

Prishtinë, 18 korrik 2020 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka kritikuar kryeministrin Avdullah Hoti për pjesëmarrje në takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, që u mbajt të enjten, në Bruksel.

Deputeti i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se kryeministri Hoti u nxitua që shkoi në këtë takim pasi, sipas tij, procesi ka paqartësi, ndërsa vetë Hoti nuk e ka mbështetjen e nevojshme politike e institucionale.

“Jemi kundër qasjes dhe mënyrës se si Qeveria e Kosovës e ka filluar dialogun. Takimi i para dy ditëve tregoi se Kosova dhe Qeveria e Kosovës nuk është e përgatitur as politikisht e as përmbajtësish për një proces të tillë. Ajo ka hyrë në dialog pa platformë, pa strategji, pa konsensus, pa koordinim, pa përvojë në këtë proces dhe pa asnjë ekspert”, ka thënë Hoxhaj, në një konferencë për media.

Hoxhaj ka thënë se Qeveria “Hoti“ do të duhej të kërkonte shtyrjen e takimit dhe të përpiqej që të arrinte konsensus politik në vend.

Hoxhaj e ka kritikuan kryeministrin Hoti që ka pranuar që ndër temat e para të bisedimeve të jetë çështja e serbëve të zhvendosur nga Kosova.

“Për herë të parë është rikthyer në proces të dialogut tema e të zhvendosurve serbë nga Kosova, e cila është mbyllur para më shumë se një dekade, para 15 vjetësh. Kosova i ka përmbushur të gjitha obligimet sa i takon të zhvendosurve serbë”, ka deklaruar Hoxhaj.

Në takimin në Bruksel ndërmjet Hotit dhe Vuçiqit u tha se u bisedua për të pagjeturit dhe çështjet ekonomike.

(r.m.)

Comment

*