PDK e thërret kryeministrin Hoti në interpelancë për dialogun

Prishtinë, 30 shtator 2020 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka thirrur në interpelancë kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

Deputetja Besa Ismaili, në emër të grupit parlamentar të PDK-së, ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës mocionin për interpelancë me kryeministrin lidhur me përgjegjësitë për procesin e dialogut në Bruksel dhe për punën e grupeve të ekspertëve.

Deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së, si parashtrues të këtij mocioni, kërkojnë që kryeministri të raportojë në Kuvend për secilën pikë të çështjeve të diskutuara në Bruksel nga grupet teknike dhe të njoftojë Kuvendin me zotimet dhe me përgjegjësitë e marra.

Siç bëhet e ditur në një komunikatë për media, Grupi Parlamentar i PDK-së ka kërkuar gjithashtu që kryeministri të arsyetojë secilin prej këtyre zotimeve, pasi që ai disa herë me radhë ka deklaruar se në Bruksel është draftuar kapitulli i marrëveshjes përfundimtare për të pagjeturit.

“Çështja e të pagjeturve është njëra nga problemet më të rëndësishme që kërkon zgjidhje, ndërkaq Qeveria dhe udhëheqësi i saj Hoti, nuk kanë treguar vullnetin më të vogël për të ofruar transparencën e nevojshme lidhur më këtë proces. Kryeministri nuk fshehur dhe nuk ka treguar as për aspektet organizative të procesit si, përbërja e grupit të ekspertëve, kredencialet personale, kombëtare apo akademike, dhe përvojën e tyre përkatëse”, thuhet në komunikatë.

Grupi Parlamentar i PDK-së kërkon nga kryeministri Hoti edhe transparencë për koncept dokumentin e bisedimeve për dëmet e luftës në Kosovë.

“Vazhdon të mbetet ende e paqartë se çka është duke kërkuar Qeveria dhe cili është plani konkret i saj për arritjen e zgjidhjes së këtij problemi, si njëra ndër temat më të rëndësishme të dialogut. Meqë Kryeministri z. Hoti vazhdimisht ka deklaruar suksese nga puna e grupeve teknike, Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të informohet për këto “suksese”, të cilat të paktën deri më tani, kanë mbetur në nivel deklarativ përderisa nuk ka asnjë hap konkret për zgjidhje, qoftë të një problemi të vetëm”, thuhet në komunikatën e Grupit Parlamentar të PDK-së.

(r.m.)

Comment

*