PDK kërkon shkarkimin e dy ministrave të Qeverisë Hoti

Prishtinë, 31 tetor 2020 – Partia Demokratike e Kosovës, ka kërkuar shkarkimin e ministres së Financave, Hykmete Bajrami dhe ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, si dhe ka kërkuar që Qeveria Hoti të shfuqizojë vendimin për shuarjen e Task-Forcës kundër korrupsionit.

Deputeti i partisë opozitare PDK, Abelard Tahiri, në një konferencë për media tha se skandalet e fundit në qeverinë e udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti, nuk mund të kalojnë pa përgjegjësi.

“Shkarkimi i Task-forcës anti-korrupsion në Policinë e Kosovës, ka qenë një vendim i dëmshëm, i paarsyeshëm, i pabazë dhe i motivuar politikisht për të goditur rendin dhe ligjin në vendin tonë”, tha Tahiri.

Qeveria e Kosovës në mes të muajit tetor vendosi që të shuajë këtë Task-Forcë, pasi argumentoi se ky organ ishte formuar kundërligjshëm.

Departamenti Special Anti-Korrupsioni, apo e ashtuquajtura ‘Task-Forca Anti-Korrupsion” ishte pjesë e policisë, që kishte për qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprave penale kundër ekonomisë, financave dhe korrupsionit, por edhe hetimin dhe luftimin e korrupsionit në nivel të lartë në Kosovë.

Deputeti Tahiri po ashtu tha se ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, duhet të shkarkohet për shkak të transferimit të mbi 2 milionë eurove nga një zyrtar i Thesarit të Kosovës në një kompani private.

Për këtë ngjarje, punëtori i Thesarit, Labinot Gruda dhe njëri nga pronarët e kompanisë LDA Group, me inicialet K.Sh – ku u transferuan mbi 2 milionë euro –janë në paraburgim, ndërkaq, një person tjetër vazhdon të jetë në arrati.

Ndërkaq, sa i përket shkarkimit të ministrit Kuçi, Tahiri argumentoi se kjo duhet të bëhet për shkak se kompania “Hidroterm” ku ministri Kuçi është pronar, ka fituar një tender publik për ndërtimin e një spitali në qytetin e Prizrenit, në vlerë prej pesë milionë eurosh.

(REL)

Comment

*