PDK konteston rezultatin zgjedhor për kryetar të Prizrenit

Prishtinë, 30 nëntor 2017 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i është drejtuar me ankesa Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në lidhje me rezultatin zgjedhor për kryertar të komunës së Prizrenit.

Blerand Stavileci, nga PDK, gjatë një konference për media, ka thënëse Vetëvendosje ka ndërmarrë shumë veprime abuzive ditën e zgjedhjeve, por edhe gjatë numërimit të votave, në Prizren.

“Kishte veprime abuzive, shantazhe, kërcënime, sulme ndaj organeve dhe zyrtarëve shtetëror dhe është përdorur fenomeni i njohur si ‘treni bullgar’”, ka thënë Stavileci, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Gjatë konferencës janë publikuar edhe disa video-xhirime ku shihen disa lëvizje të dyshimta të transportimit të votave nëpër qendra të votimit.

Sipas Blerand Stavilecit, në pamje shihen persona të paautorizuar duke bartur kuti votimi.

Stavileci ka thënë se PDK-ja nuk i frikësohet rikthimit të procesit, qoftë në rinumërim apo edhe në rivotim.

Kandidati i PDK-së për kryeytar të Prizrenit, Shaqir Totaj, sipas rezultateve aktuale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e ka humbur garën nga kandidati i Vetëvendosjes, Mutahir Haskukaj.

PDK pretendon se ka pasur manipulime gjatë procesit, sidomos gjatë numërimit të votave me kusht dhe të votave me postë. (r.m.)

Comment

*