PDK: Letra e Kurtit presion i hapur ndaj Gjykatës Kushtetuese

Prishtinë, 2 maj 2020 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka dënuar cilësuar si kërcënim ndaj Gjykatën Kushtetuese të Kosovës letrën e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti drejtuar kësaj gjykatr.

“Teksti i asaj letre duhet konsideruar si një cenim i rëndë i pavarësisë së institucionit më të lartë të vendit që bën interpretimin përfundimtar të aktit themeltar të shtetit të Kosovës. Ky sulm nuk është rast i shkëputur, por është vazhdimësi sulmeve nga më të ulëtat që Kurti dhe partia e tij Lëvizja Vetëvendosje, kanë bërë gjatë viteve të kaluara ndaj këtij institucioni kaq të rëndësishëm të shtetit tonë”, thuhet në një komunikatë të PDK-së.

Ajo ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka sulmuar shumë herë Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, ka krijuar edhe precedentin e rrezikshëm të moszbatimit të vendimeve të kësaj gjykate.

“Tendenca për të ndikuar përmes kërcënimit, shantazhit, gjuhës së urrejtjes dhe dhunës në vendimit e institucionit të Gjykatës Kushtetuese por edhe të institucioneve të tjera të pavarura, është tashmë një praktikë e njohur e Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet më tutje në komunikatë.

PDK i ka bërë thirrje Kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, që “të heqë dorë nga presionet, sulmet, hakërrimet apo kërcënimet që është duke i bërë Gjykatës Kushtetuese dhe kujtdo institucioni tjetër të pavarur”.

Ajo u bën thirrje partite politike dhe institucioneve shtetërore që të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pa përjashtim, si edhe pavarësinë dhe autoritetin e këtij institucioni.

“Vetëm në këtë mënyrë mund të mbrojmë rendin demokratik dhe kushtetues të shtetit tonë dhe të garantojmë sundimin e ligjit në Kosovë”, thekson PDK-ja në komunikatën e saj. (r.m.)

Comment

*