PDK nuk e voton Hardinajn, e hapur për “një president dinjitoz”

Prishtinë, 9 dhjetor 2020 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i është kundërpërgjigjur kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili ka kohë që është vetofruar si kandidat për president të vendit.

PDK-ja ka thënë se vendit i duhet një president dinjitoz dhe se kushdo që kërkon votat e saj duhet ta ketë parasysh se në paketë shkon edhe kandidati i kësaj partie për president.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk shantazhohet dhe as nuk do të lejoj që dikush ta marr peng shtetin e Kosovës. Jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë me çdo parti politike parlamentare që ta tejkalojmë krizën institucionale në vend dhe ta zgjedhim një president dinjitoz që i shërben unitetit të brendshëm dhe thellon partneritetin me aleatët tonë. Por, PDK-ja nuk do të bëhet palë e një procesi që do të prodhonte një president që thellon përçarjen e brendshme dhe e izolon Kosovën jashtë. Republika jonë është mbi interesat politike dhe egot personale. Kushdo që kërkon votat e deputetëve të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, duhet ta kuptoj njëherë e përgjithmonë, që në atë propozim e ka brenda edhe kandidatin e PDK-së. Barrikadimi pas propozimeve individuale, ende pa filluar një diskutim politik ndërmjet partive parlamentare, është i dëmshëm dhe nuk e ndihmon tejkalimin e krizës por vetëm thellimin e saj”, ka shkruar ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, në Facebook.

 

Haradinaj ka kushtëzuar votat e AAK-së me zgjedhjen e tij president, përndryshe do ta çojë vendin në zgjedhje të reja. Ai llogarit edhe Lëvizjen Vetëvendosje, e cila kërkon me ngulm zgjedhje të parakoshshme parlamentare, para se të vijë koha për zgjedhjen e presidentit.

Debati mes këtyre dy partive është ndezur ditëve të fundit. Haradinaj ka thënë se ai kritikuar që ka bashkëpunuar me PDK-në, apo, siç është shprehur, “hajnat e Prontos”. Ai i është referuar kohës kur AAK ka qenë pjesen e koalicionit PDK-AAK-MNISMA (PAN).

Ndërkaq, PDK-ja ka thënë se një herë e ka bërë Haradinajn kryeministër dhe se nuk do ta bëjë atë president.

(r.m.)

Comment

*