PDK: Prokuroria të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj ministrit në detyrë, Arben Vitia

Prishtinë, 1 maj 2020 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tha se vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese se vendimi për futjen në karantinë të Prizrenit ishte kundërkushtetues dëshmon se Ministria e Shëndetësisë e shkeli Kushtetutën për herë të dytë.

Deputetja e kësaj partie, Besa Ismaili, tha se PDK është e bindur se ministri i Shëndetësisë në detyrë ka kryer vepër penale, prandaj i bën thirrje prokurorisë së shtetit që të mdërmarrë hapa logjorë kundër tij.

“Ne jemi të bindur se marrja e vendimeve të paligjshme nga ministri i shkarkuar Vitia në tejkalim të kompetencave ligjore përbën gjithashtu një vepër penale. Prandaj, i bëjmë thirrje prokurorisë së shtetit që të ndërmarrë hapa ligjorë kundër këtij shkelësi”, tha ajo.

Verdikti i sotshëm i Gjykatës Kushtetuese, demonstron përsëri cenimet e rënda që qeveria e shkarkuar e Kurtit i ka bërë demokracisë dhe rendit kushtetues të Kosovës. Në këtë mënyrë dëshmohet edhe njëherë se Qeveria Kurti e ka merituar të shkarkohet me mbi 2/3-tat e votave të Kuvendit të Kosovës”, tha ajo.

Ismajli e shfrytëzoi rastin që përsëri të drejtojë kritika në adresë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“Aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese vërteton për herë të dytë radhazi se qeveria në ikje e Kurtit është përpjekur që të përqendrojë të gjitha pushtetet në duart e saj, duke shkelur rëndë liritë themelore të njeriut”, tha ajo.

“Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet duke mashtruar qytetarët si partia që do të garantojë në Kosovë sundimin e ligjit dhe, në pak javë pushtet, e diskreditoi veten duke shkelur së paku dy herë aktin më të lartë juridik të shtetit tonë, Kushtetutën”, tha ajo.

“Përpjekja për të marrë vendime që nuk i takojnë, duke anashkaluar e nëpërkëmbur pushtetin legjislativ, Kuvendin, demonstron një mungesë të theksuar të respektit që ka kjo parti për demokracinë dhe për institucionet e procedurat demokratike”, tha deputetja Ismaili.(r.m.)

Comment

*