PDK: Qeveria “Hoti“ e humbi shansin historik në Uashington

Prishtinë, 12 shtator 2020 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka kritikuar punën 100 ditëshe të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti.

Në një komunikatë pë medie, PDK e cilëson të dështuar qeverisjen 100 ditëshe të Qeverisë “Hoti“, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në planin e jashtëm.

“Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të dështuar në qeverisjen e brendshme dhe politikën e jashtme, 100 ditëshin e punës së qeverisë të udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti.

Në planin e jashtëm, PDK e ktirikon Qeverinë “Hoti“ se në takimet e tij në Uashington, më 3 dhe 4 shtator, e “humbi shansin historik” për arritjen e një marrëveshjeje me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

“… delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga Kryeministri Hoti, humbi shansin historik për arritjen e një marrëveshje me njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, në Uashington“, thuhet në komunikatë.

Për më tepër, PDK e akuzon Qeverinë “Hoti“ se e pranoi ndarjen e pronësisë së Liqenit të Ujmanit me Serbinë dhe të negocionet për pasuritë kombëtare rë Kosovës.

“Nga përplasjet e brendshme fisnore të anëtarëve të delegacionit, u pranua të ndahet pronësia për Liqenin e Ujmanit me Serbinë; u lejua të negociohet për pasuritë kombëtare të Kosovës dhe u rrezikuan interesat strategjike të vendit. Qeveria Hoti dështoi të përmbushë pritjet e qytetarëve për arritjen e një marrëveshjeje historike finale duke rrëshqitur gradualisht drejt temave teknike me Serbinë. Ajo është e dobët, aspak transparente dhe pa kurrfarë mbështetje legjitime qytetare për të qeverisur me Kosovën”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Kjo parti e kritikon Qeverinë “Hoti“ edhe për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit, sidomos për pakon e rimëkëmbjes së ekonomisë të dëmtuar nga pandemia.

“Premtimet për ndarjen e fondit prej mbi 1 miliard eurosh për tejkalimin e krizës kanë mbetur në letër nga Qeveria Hoti, e cila nuk ka as vizon dhe as vullnet për t’u marrë me këtë problematikë”, thekson PDK.

Partia që e udhëheq Kadri Veseli, e cila doli e treta në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, vlerëson se besimi i qytetarëve të Kosovës në Qeverinë “Hoti“ është shumë i ulët dhe ky besim po bie përditë e më shumë.

PDK e cilëson si jostabile Qeverinë “Hoti“, për shkak të “përplasjeve dhe kërcënimeve të vazhdueshme brenda partnerëve të koalicionit“.

Ky vlerësim i PDK-së është bërë gjatë analizës 100 ditëshe të Qeverisë që e udhëheq Avdullah Hoti.

Koalicionin qeverisës në Kosovë e përbëjnë: Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe partitë e komuniteteve joshumicë.

Të gjitha së bashku kanë një shumicë të diskutueshme në Kuvendin e Kosovës. Me rastin e votimit të kabitetit qeveritar, ky koalicion ka arritur të sigurojë vetëm 61 vota. Mazhoranca ka dështuar të miratojë pakon e rimëkëmbjes ekonomike nga pandemia COVID-19, për shkak të mungesës së kuorumit ose të votave të nevojshme në Kuvend.

Komunikata e plotë:

Qeveria Hoti në 100 ditë të punës e futi Kosovën në listën e zezë për keqmenaxhimin e pandemisë dhe firmosi bashkëpronësinë e Ujmanit me Serbinë

Prishtinë, 12 Shtator 2020 – Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të dështuar në qeverisjen e brendshme dhe politikën e jashtme, 100 ditëshin e punës së qeverisë të udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti.

Kjo periudhë e qeverisjes u karakterizua me dështim në menaxhimin e pandemisë, ku Kosova shënoi ndër rastet më larta në botë sa i përket numrit të të infektuarve dhe të vdekurve për kokë banori. Kosova u fut në listën e zezë të udhëtimeve të qytetarëve tonë nga shumica e vendeve të rajonit dhe ato evropiane.

Krahas kësaj, Qeveria Hoti dështoi t’i dalë në ndihmë ekonomisë dhe qytetarëve të vendit duke mos përmbushur as për së afërmi premtimet për rimëkëmbje ekonomike. Mijëra punëtorë po rrezikojnë vendet e tyre të punës, ndërsa qindra biznese janë afër kolapsit si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia dhe paaftësisë së kësaj qeverie. Qytetarët e Kosovës po varfërohen çdo ditë e më shumë.

Premtimet për ndarjen e fondit mbi 1 miliard euro për tejkalimin e krizës kanë mbetur në letër nga Qeveria Hoti, e cila nuk ka as vizon dhe as vullnet për t’u marrë me këtë problematikë.

Në 100 ditë, Qeveria Hoti dështoi në përgatitjet për rifillimin me kohë të mësimit më 1 shtator duke krijuar konfuzitet të madh në mesin e shumë prindërve e mësimdhënësve. Me këtë qasje, kjo qeveri po rrezikon të ardhmen e mijëra fëmijve të Kosovës, të cilët ka mbi pesë muaj që janë shkëputur nga mësimi i rregulltë. Edhe rifillimi i mësimit i paralajmëruar më 14 shtator ka rrezik të dështoj sepse mungojnë përgatitjet e instruksionet si të veprohet në kushtet e pandemisë.

Për shkak të përplasjeve e kërcënimeve të vazhdueshme brenda partnerëve të koalicionit, kjo qeveri e ka besimin shumë të ulët dhe qytetarët po zhgënjehen çdo ditë.

Dështimi në qeverisjen e brendshme u karakterizua me dështimin në politikën e jashtme javën që shkoi, ku delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga Kryeministri Hoti, humbi shansin historik për arritjen e një marrëveshje me njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington.

Nga përplasjet e brendshme fisnore të anëtarëve të delegacionit, u pranua të ndahet pronësia për Liqenin e Ujmanit me Serbinë; u lejua të negociohet për pasuritë kombëtare të Kosovës dhe u rrezikuan interesat strategjike të vendit.

Qeveria Hoti dështoi të përmbushë pritjet e qytetarëve për arritjen e një marrëveshje historike finale duke rrëshqitur gradualisht drejt temave teknike me Serbinë.

Ajo është e dobët, aspak transparente dhe pa kurrfarë mbështetje legjitime qytetare për të qeverisur me Kosovën.

(r.m.)

Comment

*