PDSH kërkon konsensus për asociacion të komunave shqiptare në Luginë të Preshevës

Preshevë, 1 korrik 2018 – Kryesia e Partisë Demokratike Shqiptare u ka bërë thirrje përfaqësuesve të partive politike shqiptare në pushtetin lokal Luginë të Preshevës që të harmonizojnë qëndrimet dhe të bashkërendojnë veprimet politike për realizimin e të drejtave dhe interesave të tyre kombëtare.

Në një kumtesë të kryesisë së PDSH-së, të lëshuar pas mbledhjes së mbajtur të shtunën, vlerësohet i nevojshëm një konsensus politik për krijimin e asociacionit të komunave më shumicë shqiptare nsë Luginë të Preshevës.

“Duke qenë se bisedimet Prishtinë-Beograd të udhëhequra e të lehtësuara nga Brukseli zyrtar janë në përmbyllje e sipër, sidomos në raportin shqiptaro-serb, në kuadër të kësaj: Partia Demokratike Shqiptare bën thirrje subjekteve politike shqiptare për mbajtjen e seancës së Kuvendit të Këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës brenda pesëmbëdhjetë ditësh, për të sjellë vendime kruciale për shqiptarët në Luginë të Preshevës, duke fuqizuar dhe sinkronizuar dokumentet e mëhershme të miratuara në këtë organ të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përfshirë edhe asociacionin e komunave me shumicë shqiptare autoktonë në Luginë të Preshevës”, thuhet në Kumtesën e PDSH-së.

Në kumtesë bëhet e ditur se, gjatë ditëve në vijim, PDSH do të organizojë një takim të përbashkët me liderët e subjekteve politike në Luginë të Preshevës, me përfaqësues të shoqërisë civile dhe me personalitete të respektuara shqiptare, për përgatitjen dhe organizimin e seancës së Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës.

Kryesia e PDSH-së vlerësoi se situata aktuale politike në Luginë të Preshevës vazhdon të përkeqësohet edhe më tej, si pasojë e largimit të shqiptarëve, për shkak të mungesës së perspektivës për një jetë më të mirë. (r.m.)

Comment

*