Pence do të marrë pjesë në inaugurimin e Bidenit

Uashington, 10 janar 2021 – Zëvëndëspresidenti amerikan, Mike Pence, do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, raportoi agjencia Reuters, duke u thirrur në deklaratën e një zyrtari të lartë të administratës amerikane, të cilin nuk e identifikoi.

Pence nuk iu përgjigj thirrjes së presidentit aktual, Donald Trump, për të kundërshtuar certifikimin votave të Kolegjit Elektoral nga ana e Kongresit. Një turmë mbështetësish të dhunshëm të Trumpit, sulmuan Kongresin të mërkurën në përpjekje për të ndaluar procedurën e certifikimit. Nga trazirat mbetën pesë persona të vdekur.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, në fillim të javës, tha se Pence do të ishte i mirëpritur në betimin e tij zyrtar më 20 janar.

“Ne do të ishim të nderuar ta kemi atë atje dhe të ecim përpara në tranzicion”, tha Biden.

Në postimin e fundit, para se llogaria e tij të hiqej përgjithmonë nga Twitter, Trump tha se nuk do të merrte pjesë në inaugurim.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, paralajmëroi se demokratët do të fillonin procesin e shkarkimit, nëse Trump nuk jep dorëheqjen. Ajo i bëri thirrje zëvëndëspresidentit Pence të thirret në Amendamentin e 25-të të Kushtetutës, i cili i lejon kabinetit qeveritar të heqë presidentin nga detyra.

Por, Pence nuk ka folur publikisht për këtë temë.

“New York Times” njoftoi të enjten se ai ishte kundër kësaj mase, e cila nuk është përdorur kurrë më parë në historinë e SHBA-së.

(REL)

Comment

*