Për çfarë i kërkon 53.4 milionë euro “Bechtel&Enka”?

Qeveria e Kosovës ia ka paguar konzorciumit amerikano-turk “Bechtel-Enka” pesë muaj rresht nga 2,573 euro në ditë, për një makineri gurëthyese.

Por, kjo nuk është e tëra. Me 53.4 milionë euro të skandalit më të madh financiar, i cili konsiderohet si plaçkitje e parave të shtetit në emër të penalltive për vonesat në ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani I Elezit, janë paguar edhe ushqime të personalit, vetura të papërdorura të kompanisë, makineri dhe sigurim objektesh. Disa prej këtyre shpenzime janë krejtësisht të pajustifikueshme.

Të gjitha këto janë të dokumentuara në një raport prej 91 faqesh, i cili është klasifikuar si “konfidencial”.

Gazeta “Fokus” e ka siguruar këtë dokument, ku figurojnë shifrat marramendëse të kërkuara nga kompania amerikano-turke “Bechtel&Enka” dhe arsyetimet e saj.

Krejt kjo, në emër të neglizhencës së shtetit për të ndarë buxhet të mjaftueshëm për ndërtimin e Autostradë “Arbën Xhaferi”, në bazë të marrëveshjes me kompaninë punëkryese.

Qeveria e Kosovës dhe konzorciumi amerikano-turk “Bechtel-Enka”, në vitin 2014 ishin dakorduar që për tri vjet ta ndërtonin autostradën Prishtinë-Hani i Elezit, për 599.9 milionë euro.

Punimet planifikohej të përfundonin më 20 janar 2018. Mirëpo, për shkak të vonesave në pagesa, Qeveria kërkoi që afati të shtyhej edhe për një vit, saktësisht deri më 31.12.2018.

Si pasojë e këtyre vonesave, “Bechtel-Enka” në fund të muajit nëntor 2017 dorëzoi një dokument në Ministri të Infrastrukturës  me pretendimin prej 63 milionë eurosh, e cila shumë pas negociatave u zbrit në 53.4 milionë euro.

Kompania e arsyetoi pretendimin me kërkesën e Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e afatit të punimeve.

Kështu për pagesën dhe për mbajtjen e personelit menaxhues për administrimin e projektit, “Bechtel” kërkoi 14.1 milionë euro, për pajisjet të cilat do të duhej të përdoreshin gjatë kësaj periudhe kërkoi 30.8 milionë euro, ndërsa për ndërprerjet e shkaktuara gjatë periudhës 2014-2017 i kërkoi 8.5 milionë euro tjera.

Gazeta “Fokus” ka gjetur se sipas këtij raporti, në vitin 2014 është dashur të paguhen 70 milionë euro, por janë paguar vetëm 55.4 milionë euro. Në vitin 2015 është dashur të paguhen 220 milionë euro, por janë paguar 112.1 milionë euro, ndërsa në vitin 2016 nga 205 milionë euro sa është dashur të paguhen sipas kontratës u paguan vetëm 155.9 milionë euro.

Faqe të tëra të raportit të siguruar nga Gazeta “Fokus” përmbajnë detaje të korrespodencave mes zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës e drejtuesve të kompanisë për “pazarin” e autostradës. (r.m.)

LINKU

 

Comment

*