Për çka po protestoni se po dukeni vërtetë qesharakë?

Çun Lajçi

Nga Çun Lajçi/

Për çka po protestoni?

S’deshta,

o s’deshta me shkrua,

se dashtë e kam ma shumë se ju, që çirreni sheshit, tue derdhë lot pa lot, e tue mallkua pushtetin e Edin!

O dashtë e kam ma shum se ju, betohem, dhe e dini pse?

Se nji shekull m’ka nda me at teatër, nji bjeshkë kufi deri n’qiell,

– ju e kishit aty, unë veç n’andërra!

S’deshta, veç po iu them juve, që brenda hy s’i keni që dy dekada, e kam dashtë sa krejt atdheun, se viti 1972 m’futi n’zemrën e tij, e shfaqja “Viti 61” me mori me vete, e shpirti me mbeti tek Naimi, Pitarka, Edi, Ndreka, Maria, Agimi….

Por juve magjepsë iu kanë yjet që s’jetojnë, e arti i shpirtit tyne, e ditë s’keni për deshtoret e vogëla me tavane t’ulta, këthinat mizerje mbrapa s’kenës, tualetët që kutërbonin, e minjët që brenin kostumet!

Ju kurrë pyet s’keni për pluhnin që aktorët thithnin, e t’ftoftit që t’prente n’ije!

Zatën, këto kushte ia moren jetën Naim Frashêrit, e sa e sa të tjerëve!

Ju pelqye e keni nji sallë, e pyet si keni artistët për kushtet e vitit 1938 n’shekullin 21, ndaj shani e mallkoni e bani politikë me mjerimin e artistit!

Kjo asht turp!

Unë shkrova poezi për kolloset e tij, e mija rrole n’at skenë, jo për teatrin, se luejt kam edhe unë aty, dhe e di sa i mjerë ishte, dhe s’mund t’i dënoj artistet e rinjë me nji godinë që s’ishte kurrë teatër!

Tiranës i duhet teatri i ri, ashtu siç asht arti e koha, se e imja, dhe e atyne që ishin, nuk zhduket, pse rrenohet nji godinë. Ato mbesin n’letra, n’zemra, n’kujtime. Ajo mbetet histori që nuk rrenohet me nji godinë!

Ju betohem ma shumë se ju dashtë e kam, se dy vite emnin e Kosovë e mbajti, por pse protestoni tani, kur s’asht ma? Pse, kur 20 vjet iket nga ajo godinë!

Pse e politizoni? Për çka?

Për Shqipërinë? Për Kosovën?

Jo, s’asht e vërtetë, sepse po t’ishit patriot, do t’protestonit atë ditë, kur Vuçiç e Rama banin minishengene!

Teatri na duhet, e teatri do t’bahet, mija herë besoj, ma i mirë se ç’ishte. Edi ndofta asht i çmendun, por çmenduria e tij, mund ta sjell edhe nji teatër si ate të Shkupit! Duhet prit e duhet pa!

Mos bani politikë me nji ngrehinë që kishte mbetë si fantazmë, se po dukeni vërtetë qesharak!

One Response to “Për çka po protestoni se po dukeni vërtetë qesharakë?”

Read below or add a comment...

  1. G. K. says:

    Zotni.
    Tirana, Shqipnia ,Kombi, Artistët e mbi te gjitha admiruesit e teatrit e meritojne nje ndërtesë ku aktorët te luajne me dinjitet e spektatoret te admirojne me rehati.
    Por jo ne ate godinë. Ajo eshte pjese e historise se Tiranës e tere Shqipërisë.
    Do kaloj aty dhe kur nuk shoh me ate godinë do te ndjej te njejtin boshllek ashtu siç prej moshes 8 vjeçare e deri me sot kur shoh muzeun ” kombëtar” ne vend te nderteses madheshtore te bashkisë apo pallatet e shemtuara 9-kateshe ne vend te vilave e dyqaneve te rruges “mbretnore”
    Ka vende Tirana per te ndertuar nje teater modern.
    E nese nuk kane mbetur me asnje cope truall ne pronesi te bashkise le te sakrifikohet piramida.
    Edhe ajo ndërtesë pjesë e historise eshte fundja por dhemb me pak betoni i saj se pupuliti i ndërtesës se teatrit. Mos ju duket çudi. Konsiderohet si ndërtim modern i asaj kohe dhe ka vlerë muzeale dhe per projektin dhe konstruksionin përveçse vlerës historike dhe emocionale qe ka per ne.
    Zotni ke qene larg dhe e sheh ftohte thjesht si vend pune. Po ajo ndërtesë nuk i takon vetem aktoreve. Madje jo me prej kohesh. Ajo nuk ishte me godine funksionale per teater. Ajo ishte kthyer ne godine muze per sa thashe me siper. Ajo i takon Qytetit dhe trashegimise se tij qe eshte cunguar e tretur si ne benzine. E ketu mesa duket se eshte nje dore e mendje e keqe nga fqinjët tane qe pasi bëri rrenimin ekonomik e industrial (aq pak sa kishte) te Shqipërisë se pas 90′ tani po merret me eleminimin trashëgiminë e kulturore e shpirterore ta saj. Zotni. Na prune peshqesh komunizmin ne 41. Pastaj mbështetën pseudo-kapitalizmin alla shqiptar e po na shkatërrojnë ne keto 30 vjet me teper seç arriten ne 50 vjet komunizëm qe na dhuruan..
    Ndaj zotni. Ajo ndertese duhet te kthehet ne vend ku ishte dhe teatri duhet bere ne nje vend tjeter e fundja duke sakrifikuar piramiden e Enverit.

Comment

*