Për dy shqiptarë të mirë dhe shoqatën tonë

 

Petrit Zanaj Ish kryetar dhe shef i financës së shoqatës "Bijte e Shqipes”

Petrit Zanaj
Ish kryetar dhe shef i financës së shoqatës “Bijte e Shqipes”

Në këtë 15 vjetor të krijimit të shoqatës së komunitetit shqiptar “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, Pensilvania, e ndjej si detyrim moral por edhe atdhetar, të shkruaj pak fjalë të thjeshta, për dy nga shokët dhe miqë e mi të mirë në këtë shoqatë. Për dy bashkatdhetarë që komuniteti shqiptar në Filadelfia, por edhe më gjerë, u ka borxhin e madh të nderimit përjetë, të respektit për veprimtarinë e punën e tyre, për mundin, energjinë, kohën e sakrificat familjare, që këta shokë nuk i kursyen për të mirën e këtij komuniteti: për dy miqtë e mi të vjetër Llazar Vero e Vlashi Fili, që në rrugëtimin e gjatë të krijimit, forcimit dhe rritjes së shoqatës “Bijtë e Shqipes”, punuam bashkë si vëllezër, gëzuam për sukseset, debatuam kur gjërat nuk shkonin mirë, gëzonim si fëmijë kur na u dhuruan dollarët për blerjen e godinës, dhe pa pyetur për moshë punuam për përshtatjen e saj për zyra e ambjente pune. Kur përqëndrimi për punët e shoqatës, për mbarëvajtjen e shkollës, për realizimin e veprimtarive masive, për menaxhimin e atyre pak fondeve që kishim, i kapercente nganjëherë edhe hallet familjare të një emigranti, të cilat i kemi patur me bollëk, ky është edhe rasti për të njohur edhe mundin dhe kontributin edhe të një djali të ri e atdhetar nga Berati, Sotiraq Pema, i cili dha një ndihmesë të madhe në vitet e para të krijimit të shoqatës, legalizimit të saj, dhe menaxhimit me kujdes të fondeve në vitet e para te jetës e veprimtarisë së saj. Po ashtu është një mirënjohje për mundin e përpjekjet e disa bashkëudhëtarëve të tjerë në këtë rrugëtim, si Xhorxh Ziu, Arbena Merolli, Ilir Mece, Elvira Budo, Suzana Vangjeli, Viktor Furxhiu, Ivzi Cipuri, Bashkim Berdufi, Sadik Elshani, Petrit Pasholli, Tajar Domi, Bujar Gjoka e të tjerë, të cilët kanë vendosur gurët e tyre në themelet e godinës së shoqatës sonë.
Llazari e Vlashi kanë meritën dhe kontributin kryesor në krijimin e shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Me ardhjen e brezit të ri të emigrantëve në Filadelfia në fund të viteve ’90, organizimi i tyre në një shoqatë të komunitetit shqiptar, kishte dalë si nevojë e kohës, si një kërkesë që duhej të merrte përgjigje nga bashkatdhetarë të zotë e të aftë, të cilët kishin përkushtimin, ndershmërinë, dhe respektin e njerëzve tanë, si dhe ishin në gjendje të jepnin ndihmesën e tyre në organizimin e këtij komuniteti këtu në mërgimin e largët.
18Gjenerata e re e emigrantëve të Amerikës nuk aspironte vetëm të krijonte kushte të mira ekonomike për familjet dhe të siguronin një të ardhme të sigurtë për fëmijet e tyre. Para tyre kishte dalë nevoja urgjente, që të bëheshin bashkë, t’i gjjendeshin njëri-tjetrit në ditë të mira e të vështira, të ruanin historinë, kulturën e traditat më të mira të kombit tonë. Gjithashtu fëmijët e tyre, të cilët kishin ardhur në moshë të vogël në Amerikë të mund të ruanin gjuhën shqipe, të flisnin, të shkruanin e ta lexonin atë. Ishte koha kur disa shoqatëza belbëzonin në Filadelfia, por asnjëra prej tyre nuk e kishte krijuar prestigjin dhe portretin atdhetar, për tu bërë gjithpërfshirëse. Dëshira e parë e këtyre shokëve ishte të kontribuonin sa më shumë në këto shoqata, t’i bënin më të hapura e më dinamike. Por pas disa kontakteve me to, dhe perpjekjeve për t’u organizuar më mire, për të dëgjuar e punuar me njëri-tjetrin, të dy këta shokë panë se ato i kishte lënë koha prapa. Ata dolën në përfundimin që më mirë do ishte të krijonin një shoqatë të re, një shoqatë gjithëpërfshirëse, ku nuk do kishte ndarje në emigrantë të gjeneratës së vjetër apo të gjeneratës së re, ku shqiptarët do ishin një, kristianë e myslimanë, veriorë e jugorë, pa dasi bindjesh politike, të gjithë për një qëllim, ruajtjen me dinjitet të identitetit tonë kombëtar shqiptar në SH.B.A. Do ishin bashkë fierakë e kuksianë, dibranë e vlonjatë, prishtinas dhe sarandiotë, shqiptarë të çamërisë apo ulqinakë, tetovarë e elbasanllinjë të gjithë vëllezër, bijë të asaj nëne që ne i themi Shqipëri. Do të kishte edhe një emër simbolik, “Bijtë e Shqipes”, duke shpallur që në emrin e saj, se kjo shoqatë do të ishte streha e bijëve të Shqipërisë, apo ”Shtëpia e Shqiptarit”, siç do ta quante më vonë Akil Kraja, studenti shqiptar nga Parisi, në videon e gjatë që bëri për punën e veprimtarinë e shoqatës sonë. Dhe në këtë rrugë të gjatë e të vështirë, vullnetare dhe me një mijë kokëçarje, ku e panjohura, mungesa e përvojës, gjykimet e nxituara, xhelozitë, keqdashjet e pengesat e çfardo lloji, të cilat ishin pjesë e procesit themelues, këta shokë nuk u frenuan, nuk u ligështuan apo dekurajuan. Ecën përpara, me atë grupin fillestar krijuan shoqatën, e legalizuan atë, dhe në rrugëtimin e tyre atdhetar, që në ditët e para të krijimit të saj, na gjetën ne të tjerëve, që po ashtu si ata e donim Shqipërinë, dhe donim që fëmijët tanë të ruanin një copëz Shqipërie në karakterin e tyre këtu në Amerikë.
I ardhur nga një ambjent gazetaresk, ku shkrimi e fjala ishte puna e përditshme, Llazari vinte me përvojë të paçmueshme në momentin e krijimit të shoqatës. Njerëzit donin dhe prisnin të dëgjonin fjalën e mirë, besimin dhe optimizmin për një të ardhme më të mirë të familjeve e fëmijëve të tyre, të ndjenjës së solidaritetit dhe ndihmës për njëri-tjetrin në ditë të mira e të këqija. Dhe tek Llazari e gjetën këtë fjale të ngrohtë qysh në kontaktet e para të grupit organizator. Por si profesionist Llazari e njihte shume mirë përpunimin e opinionit publik, tendencat e tij, përdorimin pozitiv të këtij opinioni në interes të shoqatës. Llazari me përvojën jetësore të tij ka një bagazh njohurish e ngjarjesh, si rrallë njeri tjetër që unë kam njohur në jetën time. Ndoshta puna si gazetar i kishte dhënë mundësi të kërkonte, të fitonte njohuri, të shkruante dhe të përjetonte shumë ngjarje në fusha të ndryshme të jetës. Në kujtesën time Llazari është skalitur si një njeri pa kompromis kur vjen puna për mbarëvajtjen e punëve dhe ecurisë së shoqatës.
I ardhur nga një ambjent shkencor, inxhinierik, Vlashi ka një natyrë kokulur, punëtor dhe shumë të saktë. Ndoshta ishte kjo natyrë dhe ky skrupulozitet që vendosi destinacionin e tij si sekretar të shoqatës së re që do formohej. E thënë me zë të lartë, Shoqata “Bijtë e Shqipes” ka qenë me fat që ka pasur Vlashin sekretar të saj. Ai është një arkivë e gjallë, por edhe dokumentare e jetës 15 vjeçare të shoqatës sonë.
Ishte bashkëpunimi këtyre dy shokëve, me karaktere e dhunti të ndyshme, ajo që i bëri ata një faktor vendimtar në krijimin, rritjen e vazhdimin e jetës së shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Ligjet federale e të shteteve në Amerikë, nuk kanë ndonjë kufizim për të krijuar shoqata jofitimprurëse, përderisa ato i zbatojnë këto ligje, si dhe veprojnë në përputhje me misionin e tyre dhe me rregullat e rregulloret e institucioneve fiskale federale, shtetërore e lokale në USA. Kështu që, detyra e parë që doli para tyre, ishte formimi i shoqatës së re në bazë të këtyre ligjeve. Fillimisht të plotësoheshin e niseshin aplikimet në shtetin e Pensilvanisë për t’u legalizuar si etnitet i pavarur në formën e biznesit jofitimprurës. Të vazhdohej në rrugën e vështirë të aplikimeve e dokumentave të shumta që duheshin për të fituar statusin federal të përjashtimit nga taksat në IRS, nuk mjaftonte vetëm koha dhe përpjekjet për të bërë më të mirën e mundëshme. Duheshin gjetur njërëzit që kishin përvojë në këto punë, shqiptarë apo të komuniteteve të tjera, si dhe profesionistë të biznesit, të cilët mund të jepnin përvojën e tyre dhe të fillonin e ndiqnin procesin e legalizimit dhe marrjes së statusit të organizatës jofitimprurëse. Kjo përvojë mungonte, por dëshira dhe vullneti për ta realizuar këtë detyrim të madh atdhetar, i drejtoi këta shokë në burime të sigurta të informacionit dhe shërbimit profesionist për të përmbyllur procesin e themelimit të shoqatës. Dhe dora e parë e ndihmës erdhi nga vellezërit tanë të gjakut, arbëreshët e Italisë, të cilët kishin shoqatën e tyre në Filadelfia. Përvoja dhe ekspertiza e tyre në hartimin e draft-statutit të parë të shoqatës, ngelet e pashlyeshme në historikun e shoqatës sonë, “Bijtë e Shqipes”. Por e pashlyeshme do të ngelet edhe ndihma dhe shërbimi i kontabilistit profesionist publik (CPA) zotit McInerney, këtij burri të urtë e profesionisti të zotë, i cili me durim dhe merak përgatiti dosjet e shoqatës sonë për t’i dërguar ne IRS, duke përfunduar procesin legal të përfitimit të statusit të shoqatës jofitimprurëse, të përjashtuar nga taksat në nivelin shtetëror e federal. Ato pak vite që bashkëpunuam me të, kanë qenë vitet kur shërbimet e tij na ndihmuan të stabilizonim procedurat e raportimit në IRS dhe të paraqitjes së raporteve financiare në institucionet e tjera federale e shteterore. Llazari e Vlashi, së bashku me Sotiraqin kanë mertitën se krijuan vizionin dhe misionin e shoqatës, një platformë pune që do e shoqëronte veprimtarinë e saj nga dita e parë deri më sot. Eshtë ai vision dhe mision i përcaktuar atëhere, i cili ka drejtuar e orientuar shoqatën në shtigje të panjohura por me sukses. Thjesht e bukur, me pak fjalë, misioni (motoja) e shoqatës së re, i trupëzuar në Statutin e saj do të ishte: “Të kujdeset, të inkurajojë dhe të ngrejë lartë trashëgiminë, gjuhën dhe kulturën shqiptare”. Edhe profesionistët më të zotë, që kanë përgatitur me dhjetra profile (portofolio) të bizneseve të ndryshme, do ta kishin zili përqëndrimin e një misioni kaq të gjerë në kaq pak fjalë të thjeshta. Por me këtë mision fjalëpak, por të gjerë në kuptimin e vet, këta shokë i kishin dhënë mundësi ligjore shoqatës të operonte në të gjitha fushat e interesit publik të komunitetit shqiptar në Filadelfia, që do të sillnin plotësimin e këtij misioni. Përcaktimi i objektivave dhe mjeteve për të realizuar këtë mision në Statutin e Shoqatës, përbën atë vlerë të shtuar që e ka udhëhequr shoqatën në çdo ditë të veprimtarisë së saj. Po të lexohen këto objektiva do të shihni se fjalët që theksohen në çdo paragraf janë: “të kujdeset”, “të bashkojë”, “të forcojë”, “të ruajë”, “të inkurajojë”, “të mbajë gjallë”, të githa këto fjalë për trashëgiminë, gjuhën dhe kulturën shqiptare, Shqipërinë, si dhe për atdheun tonë të dytë SH.B.A. Por si vizionarë, këta shokë e shikonin shoqatën si një krijesë njerëzore, me shpirtin e një nëne, e cila do bëhej si një copëz Shqipëri për çdo bashkatdhetar këtu në Filadelfia, ku fondet e grumbulluara prej tyre, personave fizikë, bizneseve apo fondacioneve të ndryshme, do të riktheheshin përsëri në të mirë të fëmijve apo familjeve të tyre. Për ta kuptuar më mirë vizionin e tyre dhe misionin e shoqatës që u përcaktua në atë kohë, shikoni ç’kemi realizuar ne si shoqatë, që nga krijimi i saj e deri më sot.
-Tani që po shkruajmë, Shoqata “Bijtë e Shqipes” është një shoqatë e strukturuar, e testuar nga organet federale, shtetërore e locale, për zbatimin me korrektësi të ligjeve e rregullave të shtetit, të institucioneve fiskale të ç’do niveli, një shoqatë me një antarësi solide e financa të stabilizuara.
-Shoqata ka në pronësi godinën e saj të dhuruar nga atdhetari vlonjat Beniamin Risilia. Kjo ndërtesë e përshtatur për zyra e ambjente funksionale krijon mundësi normale për veprimtaritë ditore e periodike të shoqatës, për mbledhjet e saj, si dhe për përkujtimin e ngjarjeve apo personaliteteve të ndryshme historike të kombit shqiptar.
-Për 13 vjet nën kujdesin dhe përgjegjësinë e shoqatës, funksionon në ambjentet e saj, shkolla e gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Filadelfia e rrethinat. Një shkollë ku mësimi bëhet nga mësuese profesionistë, të diplomuar në Shqipëridhe të rivlerësuara edhe këtu në Amerikë, ku librat dhe pajisjet e tjera shkollore, sigurohen e ju jepen falas nxënësve e mësueseve, dhe ku femijët jo vetëm marrin njohuri të plota për gjuhën shqipe, por edhe njohuri të mjaftueshme për historinë, kulturën, gjeografinë e simbolet e kombit tonë. Dhe është kjo shkollë që shpesh kthehet në vend argëtimi për femijët, kur festohen ditëlindjet e tyre apo kur festohet në fillim e mbarim të semestrave shkollore.
-Për 15 vjet rrjesht, festohet me krenari, në një veprimtari massive, pavarësia e Shqipërisë, ose Festa e Flamurit siç i themi ne. Dhe jo vetëm nga shoqata jonë. Veprimtaria e parë serioze e kryer nga shoqata për Festën e Flamurit, qysh në vitin 2001 është përhapur edhe nga persona të tjerë apo biznesmenë, duke e kthyer këtë festë, si ditën simbol të festave të mëdha të kombit tone, këtu në emigracion. Por një arritje mbresëlënse është ngritja e përvitëshme e Flamurit Kombëtar Shqiptar, më 28 Nëntor, para ndërtesës së Bashkisë së Filadelfias, një ceremoni kjo që filloi me kremtimet e 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe po bëhet më e larmishme për çdo vit nga bashkatdhetarët tanë.
-Për çdo vit festohet e përkujtohet në një mbrëmje përkujtimore festa e Pavarësisë së Kosovës, me pjesëmarrjen nga gjithë trevat e Shqipërisë në emigracion.
-Për çdo vit festohen festat e 7-8 Marsit në një veprimtari masive në një nga restorantet e Filadelfias.
-Për çdo vit organizohet pikniku shqiptar në Filadelfia, me një pjesëmarrje masive, me lojra të larmishme tradicionale, të luajtura nga brezat e çdo moshe dhe me ushqime tradicionale të amvisave tona. Duke filluar prej këtij viti, filloi të festohet Dita e Verës, e cila për vetë interesin që tregoi komuniteti ynë, do të kthehet në një festë të përvitëshme ashtu sikurse festohet në Shqipëri.
-Gjatë gjithë vitit në vazhdim, në ambjentet e shoqatës, zhvillohen dy ose tre veprimtari të spikatura për personalitete të kulturës, letërsisë e historisë sonë në shekuj. Po ashtu shoqata është kthyer në një qendër të rëndësishme të promovimit të librave të rinjë, nga shkrimtarë me banim në Filadelfia, Neë York apo shtete të tjera të Amerikës. Gjithashtu përgjatë vitit në ambjente e shoqatës e jashtë saj, zhvillohen veprimtari masive për ditëlindjet e fëmijëve, moshave të treta etj.
-Vitet e fundit shoqata po bëhet qendër e besuar e komunitetit tonë për të ndihmuar njerëzit në nevojë, dhe për t’iu përgjigjur halleve të mëdha të ndonjë pjestari të komunitetit. Përvoja e fundit me rastin e largimit nga jeta të një anëtari të komunitetit tonë ishte shumë mbresëlënëse. Përgjigja e njerëzve te komunitetit tonë në thirrjen e shoqatës, ishte aq e shpejtë dhe efektive saqë, për vetëm pak ditë u grumbulluan me mijëra dollarë fonde, që mundësuan respektimin e kujtimit të tij këtu në Filadelfia e deri në vendbanimin e tij të fundit në Shqipëri.
Duke parë këto realizime, e shumë të tjera që nuk po i listojmë, na krijohet një pasqyrë e qartë se çfarë vizioni kanë patur këta shokë kur hodhën hapin parë, atë të krijimit të shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Prandaj kjo është një thirrje për çdo pjesëtar të komunitetit, se është koha kur duhet t’u shprehim mirënjohjen tonë të thellë, të fëmijëve e familjeve tona, Llazarit e Vlashit, të parëve, e pas tyre gjithë të tjerëve që kanë punuar e kontribuar për krijimin, legalizimin, rritjen dhe stabilizimin e shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Të dy këta bashkatdhetarë kanë vlerën e pamohueshme, se qysh në fillimin e procesit, kërkuan, kontaktuan dhe mundësuan të afrohen në drejtimin e shoqatës bashkatdhetarë të shkolluar e me kulturë, njerëz me personalitet në komunitetin shqiptar në Filadelfia dhe pasionantë për të bërë më të mirën për njerëzit tanë. Askush nuk mund të mohojë vlerën e tyre për krijimin qysh në themelimin e shoqatës, të një ekipi të respektuar e profesional në këshillin drejtues të saj. Mund ta them edhe nga përvoja ime se, ishte kontakti i parë me këta dy shokë, dhe kërkesa këmbëngulëse e tyre, për të qenë i angazhuar direkt në mbarëvajtjen e punëve të shoqatës dhe sidomos të financave të saj, momenti që më dha atë shtysë për të punuar krah tyre, për të mirën e komunitetit shqiptar në Filadelfia. Megjithëse isha me kohë të plotë në një pune ku kisha shumë kontakte me pjestarët e komunitetit shqiptar, si dhe student me kohë të plote në universitet, pasioni me të cilin folën këta shokë në ato ditë të para të krijimit të shoqatës, për nevojën e bashkimit të shqiptarëve, dora që duhet t’i shtrinim njëri-tjetrit në ditë të mira e të vështira, përvoja e mëparëshme jo shumë pozitive si komunitet në Filadelfia e më gjërë, dhe domosdoshmëria e organizimit në një shoqatë gjithpërfshirëse, më bëri edhe mua, ashtu si shumë shokë të tjerë, t’u bashkohesha përpjekjeve të tyre, për të mirën tonë e të femijëve tanë. Serioziteti dhe meraku për të patur sukses në këtë ndërmarrje të vështirë i drejtoi ata në rrugë të sigurta. Jo vetëm që në shoqatë të bashkoheshin njerëz të mirë, të zotë e profesionistë, por e rëndësishme, sipas tyre, ishte që në këtë shoqatë të përfaqësohej gjithë hapësira natyrale shqiptare. Kështu që, nëse Llazari është nga Fieri, Vlashi është nga Kuçova, nëse Suela është nga Çamëria, Tajari, kryetari actual i shoqatës, është nga Kukësi. Elvira është nga Gjirokastra kurse Suzana është nga Fieri; Bujari është nga Durrësi kurse Hakiu është nga Dibra; Bashkimi është nga Elbasani kurse Edmondi është nga Saranda. Njëri Petrit është nga Kërçova e Petriti tjetër është nga Vlora; Dritani është nga Korça kurse Sadiku është nga Suhareka e Kosovës. Të më falin gjithë ata shokë e miq që nuk mund t’i përmend dot. Gjithë Shqipëria ka punuar e drejtuar në këtë shoqatë. Ishin këta, e shumë shokë të tjerë, të afruar fillimisht nga Llazari e Vlashi, dhe në rrugëtimin tonë u afruan dhjetëra të tjerë, që jo vetëm e rritën dhe zbukuruan fizikisht shoqatën, ambjentet e saj, klasat, zyrat, kafenenë, por edhe i dhanë asaj gjithçka nga emri i tyre i mirë, nga ndershmëria dhe pasioni atdhetar, për ta bërë komunitetin shqiptar të ndihet sa më mirë dhe krenar këtu në kurbetin e largët, në Filadelfia. Kjo është një arsye më shumë për t’i respektuar këta dy shokë, që në vizionin e tyre fillestar, kishin projektuar një shoqatë jo të ngurtë, një shoqatë midis miqsh e shokësh, një shoqatë krahinore apo politikisht të orientuar. Projekti i tyre parashikonte një shoqatë të hapur, gjithpërfshirëse, të kulturuar, atdhetare, ku debati politik e fetar nuk ishte i mirëpritur në veprimtarinë ditore të saj, apo veprimtari të tjera masive. Në këtë funksion ishte edhe procedura që themeluesit e parë të shoqatës vendosën në statut, për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të këshillit drejtues të saj. Një procedurë transparente, demokratike dhe e hapur, në mbledhjen e përgjithshme të shoqatës në çdo dy vjet. Kjo procedure, ku secili anëtar i këshillit drejtues zgjidhet nga masa e pjesëmarrësve në mbledhje, pa asnjë kufizim apo favorizim, ka ndikuar direkt në zgjedhjen dhe përfshirjen, në drejtimin e saj, të personave më të mirë, më me emër të mirë e më të përkushtuar, për të punuar në të mirën e komunitetit tonë. Janë këto arsyet përse pjesëtarët e komunitetit shqiptar në Filadelfia e duan shoqatën e tyre, e besojnë atë, i sjellin fëmijët në shkollën e drejtuar prej saj, japin dhurime të ndryshme e të vazhdueshme, që shoqata të vazhdojë normalisht veprimtarinë e saj. Eshtë për t’u theksuar se respekti dhe besimi i komunitetit tone, për drejtuesit e shoqatës, marrëdhëniet e ndërsjellta njerëzore midis tyre, kanë kaluar nëpërmjet një kurbe ngjitëse gjatë viteve të jetës së saj, dhe sot është në nivele të tilla që e bëjnë me të lehtë komunikimin midis tyre dhe realizimin e veprimtarive të çdo përmase. Duke vazhduar në rrugën e afrimit të bashkatdhetarëve të zotë, të ndershëm, të kulturuar e shkolluar, me vullnet dhe pasion për të punuar për komunitetin tonë, gjatë tërë këtyre 15 viteve shoqata ka patur e ka në drejtimin e saj të rinjë atdhetarë si Erblina Koka, Bujar Gjoka, Dritan Matraku, Suela Teme, Bujar Çela, Sokol Hasa, e të tjerë, të cilët janë ajo garanci që siguron një vazhdimësi të punës e jetës së shoqatës në plotësim të misionit të saj në të mirë të komunitetit shqiptar në Filadelfia. Një arritje e padiskutueshme e Llazarit dhe Vlashi, së bashku me Sotiraqin dhe Elvirën, është krijimi dhe organizimi i shkollës shqipe për femijët e emigrantëve shqiptarë në Filadelfia e rethinat. Ata jo vetëm që ishin vendimtarë në krijimin e kësaj shkolle në kuadrin e shoqatës, por në vizionin e tyre dhe të shoqatës e kanë përcatuar atë, si veprimtarinë bazë që krijon profilin atdhetar të shoqatës. Edhe sot pas 13 viteve të jetës së shkollës, janë dhjetëra probleme që nuk janë zgjidhur e duhen menaxhuar. Në kushtet e mungesës absolute të ndihmës nga shteti Shqiptar, për programet e detajuara mësimore për femijët e emigranteve, për librat e bazën tjetër materiale të domosdoshme për mësim, apo edhe materialet audiovizive, këto probleme janë zgjidhur e përballuar nga vetë stafi drejtues i shoqatës. Kur përjetojmë sot gjithë këto vështirësi, atëhere e kuptojmë se në kohën e hapjes së shkollës, këta shokë vepruan në kushtet e të pamundurës dhe e realizuan. Megjithatë shkolla u hap, u rrit e u shumua për çdo vit, dhe sot mund të jemi krenarë që nga klasat e saj kanë dalë me qindra fëmijë të familjeve shqiptare, të cilët flasin dhe shkruajnë bukur gjuhën e të parëve të tyre. Përpjekja e drejtuesve të parë të shoqatës e cila synoi gjetjen në radhë të parë të mësuesve profesionistë, atdhetarë dhe pasionantë, për të punuar në kushte minimale të zhvillimit e pa pagesë të mësimit, doli me sukses mbresëlenës. Mësueset tona, të mira, si nëna te dhëmbshura punuan me fëmijët jo vetëm për t’u mësuar gjuhën, por edhe për të ruajtur dashurinë për atdheun nga kishin ardhur, Shqipërinë, i edukuan të ishin krenarë për origjinën e tyre, dhe të bëheshin të zotë në jetë e qytetarë të mirë të shtetit ku jetonin, SH.B.A. Prandaj është rasti për të bërë të njohur gadishmërinë dhe profesionalizmin e këtyre mësueseve të para të shkollës si Mirela Qirici, Luljana Toshi, Mirjana Kina, Elvira Budo, Mimoza Priftanji, Liljana Gaba etj, të cilat në një mision vullnetar, në mungesë të mjeteve fillestare të zhvillimit të mësimit, e zhvlluan atë me cilësi të lartë dhe me përkushtim të tillë, që rrallë e kanë patur mësues të cilët edhe paguhen sot për punën e bërë. Por dëshira e pasioni i këtyre dy shokëve dhe i drejtuesve të sotëm të shoqatës, shkon përtej këtij realiteti. Synimi i tanishëm është, dhe nisma është ndërmarrë, për të grumbulluar fonde të cilat do të përdoren për blerjen e një godine të re, në të cilën do të ndërtohen e kompletohen klasat moderne për fëmijët dhe mësueset, si dhe mjedise të tjera për veprimtarinë e shoqatës. Pak e vështirë duket si fillim, por dëshira dhe vullneti janë të tilla që të mbushin me besim se ky synim do të arrihet. Dhe patjetër do arrihet. Ashtu sikurse para 15 viteve na dukej ëndërr të kishim godinën tonë, zyrat tona, ku do zhvillohej veprimtaria ditore normale e shoqatës, klasat për të zhvilluar mësim fëmijët tanë për mësimin e gjuhës shqipe, kafenenë në shërbim të pjesëtarëve të komunitetit tonë, edhe sot mund të na duket e largët dita kur do kemi godinë të re, e më të madhe. E sigurtë është se brezi tjetër i emigrantve shqiptarë në Filadelfia do ta ketë këtë mundësi e gëzim, ashtu siç patëm ne, 10 vjet më parë kur blame dërtesën që ka sot shoqata. Llazari si kryetar dhe Vlashi si sekretar i shoqatës, kanë meritën e parashikimit, organizimit dhe zhvillimit të veprimtarive masive atdhetare, të cilat edhe sot janë veprimtaritë bazë të shoqatës. Tani Shoqata “Bijtë e Shqipes” ka një kalendar të larmishëm të veprimtarive që zhvillohen përgjatë gjithë vitit. Veprimtaritë si: Festa e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, apo Festa e Flamurit, veprimtaritë për festat e 7-8 Marsit, organizimi me një larmi veprimtarish të piknikut të komunitetit shqiptar në Filadelfia, apo veprimtaritë e përvitshme për kujtimin dhe nderimin e jetës dhe veprës të njerëzve më të shquar të historisë e kulturës shqiptare, kanë vulën e emrit dhe punës së tyre. Jo veprimtari të vogla e simbolike, por veprimtari me pjesëmarrjen e qindrave pjestarëve të komuniteti shqiptar, me pjesëmarrjen e këngëtarëve e grupeve muzikore më të shquara të kohes, si dhe me vlerësime për persona të dalluar të komunitetit tonë në fusha të ndryshme të interesit të shoqatës. Në shtesë të këtyre, shkolla e gjuhës shqipe ka krijuar tani një traditë të shëndoshë në organizimin e disa veprimtarive që me larminë, sinqeritetin, entusiazmin dhe dinamikën e tyre, janë kthyer në veprimtari bazë të shoqatës. Sot kjo shkollë nuk mund të kuptohet pa festat e mrekullueshme të fillimit e të mbarimit të vitit shkollor e të festimit të ditëlindjeve të nxënësve të shkollës. Afrimi në shoqatë i artistëve profesionistë si mjeshtri i muzikës Hamdi Gjana, i ka kthyer këto veprimtari nga një ceremoni festive, në një paraqitje me nivel profesional të fëmijëve që këndojnë apo kërcejnë. Qysh nga fillimi i veprimtarisë legale të shoqatës të dy këta shokë kanë patur dhe ende kanë një ndikim të madh për ecurinë pa pengesa të veprimtarisë normale e punëve të përditëshme të saj. Mënyra se si e konceptuam dhe e ndërtuam shoqatën në atë kohe, së bashku me këta shokë, ishe ajo e një biznesi jofitimprurës. Ashtu sikurse çdo biznes, edhe shoqata ka nje dinamikë që kërkon përgjigje në kohë, me përgjegjshmëri dhe të bazuar në ligjet e shtetit të Pensilvanias dhe ato federale. Duke qënë se edhe vetë për shumë kohë kam qënë i angazhuar në këtë drejtim, më duhet ta them sot, se sa kujdes e kishin dhe e kanë këta dy shokë veprimtarinë normale ditore të shoqatës. Koha që kërkohej të përballoheshin problemet e “vogla” ditore nuk ishte e mjaftueshme, po qe se nuk do kishte sakrificën brënda. Dhe këta shokë kanë sakrifkuar orë të tëra që mund t’i kalonin pranë familjeve të tyre, apo me shokë duke pirë ndonjë kafe në lokalet shqiptare. Jo orë bisedash, por orë pune, në përshtatjen e ambjenteve për klasa e zyra, për pastrimin e rregullimin e tyre, për përgatitjen e materialeve mësimore, librave e fletoreve, mbajtjen e dokumentave bazë të anëtarëve e nxënësve, pritjeve e përcjelljeve të bashkatdhetarëve apo personalitete të ndryshme. Punohej në pasdite intensive e fundjava, si në ditë të zakonëshme, për të përgatitur festat e Nëntorit, të Marsit apo veprimtari te tjera. Me kujdes të madh për të gjetur një restorant me sallë të madhe dhe me skenë të përshtatëshme për muzikantët, për këngëtarët cilësore që duhej të vinin apo për menunë e ushqimit që do i kënaqte pjësmarrësit në këto festa. Por ato punët e vogla të tjera ishin pa fund. Përgatitja e biletave, buqetat me lule, diplomat apo çmimet që do jepeshin, lotaria që do zhvillohej, program i detajuar i mbrëmjes, fjala e përshëndetjes, gjetja e rojeve të sigurisë, menaxhimi i sallës së veprimtarive, nderimi i të ftuarve, e plot punë të tjera, janë organizuar e drejtuar në mënyrë të shkëlqyer nga këta dy shokë e të tjerët që punuan bashkë me ta, ndër vite. Përveçse një biznes, shoqata ka qënë edhe si një familje. Një familje e madhe ku shumë pjestarë të komunitetit tonë kërkonin e prisnin përgjigje për probleme të cilat besonin se shoqata do ua zgjidhte. Një familje dhe vatër ku bashkëpatriotët tanë të dëgjojnin vetëm fjalën e mirë e të ngrohtë, duke patur parasysh atë mendim të mënçur që Llazari ua thotë shokëve: “Në këtë botë çdo ditë vdesin me qindra e mijëra njërëz të dëshiruar për një fjalë të mirë, por asnjë nuk ka vdekur nga fjala e mirë”. “Shtëpia e shqiptarit”, siç e thërrasin tani Qendrën Kulturore, është vendi ku nxënësit e shkollës priten e trajtohen me kujdesin e një prindi dhe hallet e gëzimet e personave të veçantë shpesh janë bërë hallet e gëzimet e të gjithë drejtuesve të shoqatës. Me rritjen e shoqatës këto veprimtari janë shtuar dhe po ashtu është shtuar edhe angazhimi i këtyre shokëve dhe anëtarëve të tjerë të kryesisë për t’i realizuar ato.
Të dy miqtë e mi të mire, akoma vazhdojnë të punojnë, pa pyetur për moshën, sidomos për të patur një veprimtari normale të shkollës së gjuhës shqipe, në përgatitjen e drejtimin e veprimtarive të ndryshme dhe si gjithmonë pa u lodhur në kohën e lirë kur shkojmë të shlodhemi me shokë te klubi i shoqatës. Mund të shkruaja shumë gjatë për këta dy shokë e atdhetarë të mirë. Gëzimet dhe kënaqësitë i kemi patur me shumicë, por edhe debatet nuk kanë munguar kur punët nuk shkonin ashtu siç e mendonim apo e kërkonte interesi i shoqatës. Kjo “punë e dytë” për ta e për gjithë ne të tjerët, ka qënë një dinamikë që na ka mbajtur të freskët e na ka motivuar për të bëre gjithçka është në dorën e mundësitë tona, në të mirë të komunitetit shqiptar në Filadelfia, për të mirën e familjeve, të fëmijve tanë e gjeneratave të reja të emigrantëve shqiptarë në Filadelfia. Sikur të kishim mundësi, t’i mblidhnim gjithë fjalët që shprehin mirënjohje, ne si komunitet shqiptar në Filadelfia do të nderonim veten po t’i thoshim ato fjalë për këta dy shokë. Ata e kanë shkruar tashmë emrin e tyre në historikun e suksesshëm të shoqatës sonë dhe të komunitetit shqiptar në Filadelfia në këto 15 vjet. Ata e bënë dhe po e bëjnë akoma me pasion punën e tyre, bashkë me ne të tjerët. Edhe bashkatdhetarët e tjerë më të rinjë të shoqatës do ta bëjnë. Sepse ata janë nga i njëjti gen, nga i njëjti komb. Sepse Shoqata “Bijtë e Shqipes”, kjo “Shtëpi e Shqiptarit” do të jetojë sa të ketë frymë shqiptari në Filadelfia.
PETRIT ZANAJ,
Ish kryetar dhe shef i financës së shoqatës “Bijte e Shqipes”

 

16

18

20

23

25

26

Comment

*