Për FLAMURIN, për SHTETIN e Kosovës

Arben Fetoshi

Loja me FLAMUJT (shtetërorin dhe kombëtarin) tregon frikshëm problemet tona serioze psikologjike e morale.

S’jemi SHTET dhe s’e duam atë, sepse flamurin e tij e vendosim tinëz, natën, dhunshëm, kundër flamurit kombëtar, në mënyrë që po në terr, “kushdo” të mund ta heqë sërish atë në emër të KOMBËTARES.

Në këtë përvjetor jubilar, Shteti i Kosovës vazhdon të jetë:

– arenë e garës për “patriotizmin” (ku përplasen kombëtaristët antipavarësistë dhe pavarësistët antikombëtaristë);

– “plaçkë” e pangopësisë së politikanëve (pozitë e opozitë) që janë të angazhuar (disa me e shumica pa vetëdije) për ta zhbërë shtetin;

– republikë karikaturë, pa rend e pa ligj, ku hajnia ka arritur majat, deri edhe te flamuri, në emër të Meritave e të Kontributeve Kombëtare, dhe ku profesorë, mjekë, ministra, deputetë… e kush jo, janë diagnostikuar si KLEPTOMANË;

– skenë tragjikomedie, ku budallai shet “mend”, matrapazi është i “zoti”, profesionisti “idiot” dhe i ndershmi i “paaftë”.

Prandaj, në vend të provokimeve ditën e natën, në vend të aktrimeve për Lavdinë e Marrëzisë si Shpëtimtarë e Mashtrues, patriotët e të dy krahëve është mirë t’i lënë rehat FLAMUJT. Ata s’na kanë faj.

Nëse festa e 10 vjetorit na është e zbehtë, s’na jep emocion, nuk ka faj flamuri.

Nëse kjo s’është Kosova që kemi dashur në 10 vjet SHTET, nuk ka faj flamuri, fajet i kemi vetë.

 

(Autori është ligjërues në universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”. Ky shkrim është postuar në Facebook)

No automatic alt text available.No automatic alt text available.

Comment

*