Për herë të parë në 75 vjet, udhëheqësit botërorë nuk do të mblidhen këtë shtator në New York

Nga Ruben Avxhiu

Presidenti i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se për shkak të pandemisë nga COVID-19, grumbullimi tradicional në New York City për hapjen e sesionit të ri të Asamblesë së Përgjithshme nuk do të ndodhë.
Sigurisht disa qindra kryetarë shtetesh e qeverish nuk do të ishin mbase problem, nëse nuk do të udhëtonin me delegacionet e tyre të mëdha, duke bllokuar çdo vit trafikun dhe jetën normale në Manhattan.
Paralelisht me mbledhjen e Asamblesë në OKB, në Manhattan organizohen mijëra veprimtari që caktohen për atë periudhë që të rastisin me praninë e udhëheqësve të njohur. Edhe komuniteti shqiptaro-amerikan rregullisht organizon një numër takimesh e aktivitetesh pikërisht në atë periudhë, duke shfrytëzuar praninë e miqve nga Tirana, Prishtina, e trojeve mbarëkombëtare.
Presidenti i Asamblesë Tijjani Muhammad-Bande tha se ai pret që udhëheqësit e 193 shteteve anëtare të përgatisin video me fjalime që normalisht do t’i kishin mbajtur në sallën e madhe të Asamblesë. Mbledhja virtuale do t’u ngjasë mbase atyre që po bëhen të zakonshme në të gjitha fushat e jetës.
OKB u themelua pikërisht 75 vjet më parë, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria arriti të bëhet anëtare në vitin 1955, kurse Kosova është ende duke luftuar për këtë të drejtë.

Comment

*