Për idenë e ndalimit të shfaqjes së filmave në kohën e diktaturës

Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika

Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika

Mendimi për të ndaluar shfaqjen e filmave të krijuar gjatë periudhës së diktaturës së komunizmit, më duket i nxituar. Më duket i nxituar për faktin se midis tyre ka shumë vepra me vlera të spikatura artistike që nuk ka pse të ndalohen. Eshtë e vërtetë se shfaqja e gjithë filmave të krijuar në atë kohë pa asnjë bisedë paraprirëse në TV me vlerësime specialistësh, ashtu si është bërë deri sot, ka ndihmuar për mbajtjen gjallë tek shumë persona të nostalgjisë për atë kohë. Shumica e atyre filmave e kanë pasqyruar realitetin e kohës në përputhje me normat e realizmit socialist, pra sipas kërkesave të partisë shtet për ta zbukuruar realitetin. Kjo është ana e dëmshme e tyre.
Gjatë këtyre viteve të tranzicionit, partitë politike, sidomos drejtimet e tyre, ishin të mbushura me ish anëtarë të PPSH-së dhe elementë të ish Sigurimit, prandaj ato edhe kur ishin në pozitë edhe kur ishin në opozitë nuk ishin të interesuara të organizonin analiza kritike shkencore për gjithë trashëgiminë letrare artistike e shkencore të periudhës 47-vjeçare të diktaturëstë. Nuk u ushqye mendimi kritik shkencor, por urrejtja e grupazheve dhe partive e simpatizantëve të tyre.
Nga ana tjetër shumica e krijuesve të asaj kohe nuk përqafuan një qëndrim qytetar të moralshëm sipas të cilit do të kishin dalë publikisht në shtyp e në TV me autokritika serioze për të treguar se e dënonin këtë e atë aspekt të veprës së vet të krijuar nën presionin e partisë shtet.
Veprat artistike populli i gjykon jo thjesht për përmbajtjen ideore por edhe për realizimin artistik. Ajo vepër që e tërheq nga përmbajtja ideore dhe artistike, populli dëshiron ta shohë ose ta dëgjojë përsëri (film ose këngë), kurse veprat artistike që nuk e tërheqin për përmbajtjen ideore dhe artistike ai nuk ka dëshirë t’i shohë a t’i lexojë sërisht. Mirëpo ka dhe vepra artistike që ndonëse nuk e kanë përmbajtjen ideore të pëlqyeshme, përsëri ato mund të pëlqehen në rast se e kanë realizimin artistik në nivel të lartë. Kështu ka ndodhur dhe ndodh me veprat e artit fetar. Ikonat e piktorëve Onufri, Shpataraku, Katro, Zografi, Kodheli, etj u pëlqejnë sot jo vetëm besimtarëve që admirojnë në to përmbajtjen fetare dhe artin, por edhe ateistëve, madje dhe besimtarëve myslimanë, budistë, hindu, etj, sepse në to ata pëlqejnë realizimin e kombinimit të ngjyrave. Po kështu sot vijojnë të na pëlqejnë veprat dramatike te Korneit, Rasinit, Molierit, etj krijues të periudhës së Klasicizmit. Këto vepra për nga përmbajtja ideore dhe për nga rregullat e hartimit nuk na tërheqin, por ne i lexojmë me kënaqësi, për faktin se në to janë realizuar me mjeshëri artistike karaktere atdhetarësh, për të cilët ka nevojë çdo shoqëri njerëzore.
Rruga më e mirë mendoj është që të organizohen simpoziume shkencore për të analizuar vlerat dhe antivlerat e veprave të letërisë, kinematografisë, shkencës, arteve figurative e muzikore të periudhës së diktaturës komuniste tek ne. Vetëm kështu do të ndihmojmë popullin të emancipohet e të dijë të vlerësojë jo me nostalgji, por sipas vlerave reale që kanë ato vepra…

2 Responses to “Për idenë e ndalimit të shfaqjes së filmave në kohën e diktaturës”

Read below or add a comment...

  1. Antikomunisti says:

    Filmat e vjeter jane thesar. Se pari kur i shikon filmat lidhur me Luften E dyte Boterore, e veren se barren kryesore te “qlirimit” te Shqiperise e kane zhvilluar femijet e moshes 8-15 vjeqare. Pramaendoni se qfar rezultati te luftes ndermjet Partizaneve dhe Gjermaneve , Italianeve…..do te ishte…sikur te luftonin e Partizanet e moshes Madhore. Keta filma jane treguesi me i mire i “luftes qlirimtare” qe e benin komunistet qe quheshin Partizan.
    Duke i bazuar ne filmat e Partizeneve…kuptohet shum lehte se ne SHQIPERI gjate LDB-se , zhvillhej lufte ndermjet kuislingeve komunist …….KUNDER SHQIPTAREVE……

  2. Thanas L. Gjika says:

    Te gjithe ata shqiptare qe morren pjese ne krijimin e filmave gjate kohes se diktatures komuniste, duhet te pranojne faktin se kane qene bashkepunetore te partise shtet, sepse nuk kishin mundesi tjeter per te krijuar filma. Partia mbulonte shpenzimet e krijimit te filmave dhe ajo diktonte dhe kontrollonte zbatimin e ideologjise se saj ne ato filma. Pra atehere u krijuan filma si i donte partia, te indoktrinuar, ku lavderohej jeta e popullit tone nen udheheqjen e partise, i thurreshin lavde partise komuniste (partise se punes) dhe ideologjise se saj. Aty shtremberohej e verteta e jetes, sepse populli yne realisht vuante si ne fshat e ne qytet nga sundimi diktatorial dhe fukaralleku, ndersa ne filmat e asaj kohe tregohej sikur populli ishte i lumtur. Si e tregoi z. Kastriot Dervishi te gjithe filmat (ne nivele te ndryshme) e kane deformuar te verteten e jetes te cdo periudhe historike kur ndodhin ngjarjet e filmave te realizmir socialist.
    Te gjithe krijuesit e filmave te asaj kohe (skenariste, regjizore, aktore, kompozitore, etj) duhet te pranojne faktin qe i krijuan ato vepra nga nevoja per te mbijetuar, per te marre rrogen dhe se u mungonte guximi per te mospranuar qe t’i sherbenin atij regjimi e te asaj ideologjie.
    Fatkeqesia e ketyre krijuesve eshte sepse sot po vijojne te mburren me ato vepra te indoktrinuara qe u krijuan ne ate kohe. Pra ata po perpiqen per ta mbajtur ende popullin te indoktrinuar (qorruar). Ky hap eshte nje mekat (krim) i dyte. Krimi i pare e ka nje fare justifikimi tek nevoja per te mbijetuar dhe tek te mosqenet trim, kurse ky krimi i dyte eshte me i rende sepse nuk ka justifikim logjik. Te vijosh sot te lavderosh filmat qe kane shtremberuar realitetin per te helmuar popullin, do te thote se krijuesve te tyre qe jane ende gjalle u mungon ndergjegja kritike, u mungon ndershmeria. Ata vuajne nga deliri i madheshtise qe u eshte krijuar nga lavderimet qe u jepte partia shtet me gjithe ato ndere si cmime, dergime jashte shtetit, leje krijuese, etj, etj.
    Niperit e mbesat e tyre qe po formohen ne Perendim do te ndjejne turp per kete qendrim te gjysherve te tyre, prandaj ju lutem per te miren e tyre, te largohen nga ky qendrim i turpshem ndaj gabimeve e krimeve te dikurshme, te kryera nen dhunen e partise shtet…

Comment

*