Për ndërtimet në Vjosë, shkarkohet drejtori i policisë Përmet dhe disa vartës

Shefi i Policisë së Komisariatit Përmet, Kryekomisar Gazment Shehu dhe dy vartës të tij janë shkarkuar nga detyra, pasi nuk kanë raportuar tek autoritetet një ndërtim pa leje në në Grykën e Këlcyrës, në lumin Vjosë.

Ministria e Brendshme thotë në një njoftim se pas analizë për këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur disa masa për punonjësit e Policisë, të cilët janë evidentuar me përgjegjësi administrative dhe penale.

Për shkeljet dhe mangësitë e konstatuara u morën këto masa:

-U shkarkua nga detyra Shefi i Komisariatit të Policisë Përmet, Kryekomisar Gazment Shehu;
-U shkarkua nga detyra Shefi i Stacionit të Policisë Këlcyrë, Nënkomisar Edmond Anxhara;
-U përjashtua nga Policia e Shtetit Inspektor Dashnor Jakupi, Specialist i Policisë së Zonës;
-U dha ‘Vërejtje me paralajmërim’, për Zëvendësdrejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Drejtues Koço Dafa;
-U dha ‘Vërejtje’, për Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Drejtues i Parë Lorenc Panganika.

Ndërkohë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme pas veprimeve hetimore, referoi materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Përmet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, në bazë të nenit 248 të Kodit Penal për punonjësit e Policisë:

-Kryekomisar Gazment Shehu, Shefi i Komisariatit të Policisë Përmet;
-Nënkomisar Edmond Anxhara, Shefi i Stacionit të Policisë Këlcyrë;
-Inspektor Dashnor Jakupi, Specialist i Policisë së Zonës.

Ndërkohë në reagim të kësaj problematike ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, përmes një letre dërguar drejtuesve të Policisë së Shtetit, dënon ashpër mos reagimin e strukturave përgjegjëse në kohën e konstatimit të punimeve, duke nënvizuar nevojën për kontrollin e territorit dhe tërheq vëmendjen e strukturave vendore të policisë lidhur me përgjegjësinë ligjore që ato kanë për parandalimin, evidentimin dhë ndëshkimin e shkeljeve të ligjit, të cilat lidhen me ndërtimin në territor, si dhe me ruajtjen e mjedisit.

/Oranews.tv/

Comment

*