Për një votë

Ruben Avxhiu

Demokratja Shelly Simonds është zgjedhur anëtare e Dhomës së Përfaqësuesve të shtetit Virginia, në SHBA me vetëm një votë diferencë.
Ajo ka marrë 11,608 vota kundrejt 11,607 për kongresistin republikan David Yancey.
Sigurisht rezultati shumë i ngushtë kishte bërë që rezultati të mos deklarohej pa u bërë rinumërimi i të gjitha kutive të votimit. Në fund, doli që republikanët e kishin humbur vendin në Dhomën e Përfaqësuesve.
Sikur të mos mjaftonte kjo humbje, për këtë votë të vetme, Republikanët kanë humbur edhe shumicën në dhomën e ulët të legjislativit në Virginia, ku të dy partitë tani kanë nga 50% të vendeve.
Nuk ka histori më domethënëse për rëndësinë e një vote të vetme. Shpesh njerëzit përtojnë të votojnë ose paragjykojnë rezultatin duke humbur rastin për të dhënë kontributin e tyre të vogël në të ardhmen politike të shoqërisë ku jetojnë. Të tjerë e “shesin” votën e tyre shumë lirë. Mendojnë për fitimin apo përfitimin e menjëhershëm duke dënuar veten me politikanë të këqinj, të cilët edhe nëse i ke aleatë e miq do të sjellin pasoja edhe mbi ty.
Shqiptarët e Amerikës ashtu si shumë komunitete të tjera emigrantësh e kanë injoruar deri vonë të drejtën e tyre për votë. Kjo ka filluar të ndryshojë rrënjësisht tashmë.
Rreth 25 vjet më parë, në gusht, të vitit të largët 1992, një nismë e mbështetësve të kongresistit Engel, senatorit D’Amato e disa këshilltarëve lokalë si Guy Vellella (karriera e të cilit mbaroi në fund keq), degës lokale të Lidhjes Demokratike të Kosovës, “Illyria”, e themeluar dhe drejtuar nga Harry Bajraktari etj organizuan regjistrimin e parë masiv për të shqiptarëve në Bronx e New York për të votuar.
Lëvizje të ngjashme janë organizuar herë pas here edhe më vonë. Dr. Ilir Hysa, përvojën e fituar nga puna me Censusin e vitit 2010 e përdori për të regjistruar në mënyrë të ngjashme shqiptarët në votime. Një punë të mirë të ngjashme bëri fushata e fundit e Mark Gjonajt. Në mënyrë domethënëse votat shqiptare mund të kenë qenë kyçe në sigurimin e fitores së tij, në garën e vështirë brenda Partisë Demokrate për kandidaturën për Këshillin Bashkiak të Qytetit.
Po këto përpjekje nuk duhen lënë vetëm në prag të zgjedhjeve. Shpesh data e fundit për t’u regjistruar është shumë larg datës së votimeve dhe shpesh njerëzit kujtohen kur është shumë vonë për t’u regjistruar. Për ne që vijmë nga vende ku vota u është mohuar historikisht shqiptarëve, kjo është e pafalshme.
Është akoma më e rëndësishme në atdhe, pikërisht sepse ay ka munguar një traditë demokratike dhe e drejta e votimit është një risi për hapësirën shqiptare shtrirë në disa shtete të Ballkanit. Është dëshpëruese që në Shqipëri shitja e votës është bërë një dukuri në zgjerim. Teknollogjia e re po gërshetohet me format e vjetra të manipulimit që sjell jo vetëm shitjen e votës po edhe sigurimin e proves për votuesin e korruptuar.
Disa votues nisen thjesht nga frika për të ruajtur vendet e punës, të tjerë bazohen në premtimin për ndonjë shpërblim të mundshëm, e disa thjesht e përbuzin rëndësinë e votës.
Në fund përfundojmë me politikanë të korruptuar, me një shtet që u shërben më shumë klikave hajdute të partive politike sesa qytetarëve, me një paaftësi e pamundësi për të sundur me ligj e rregulla, për një kthim të arritjeve kolektive e personale në një kështjellë prej rëre që mund të shpërbëhet nga dallga më e lehtë e historisë.
Nga Virginia përtej Oqeanit, ku me sukses vazhdon ekspertimenti më i vjetër demokratik i kohës modern, vjen një mësim edhe për Shqipërinë e lashtë, me demokraci të njomë. Një votë e vetme, sado e vogël e pa rëndësi që duket mund të jetë ajo që përmbys pershoren e kohës dhe hap një kapitull të ri. Për mirë apo për keq, rezistenca ndaj presionit politik sjell në mënyrë të pashmangshme ndryshimin. Sado e pamundur që të duket, në demokraci qytetari fiton gjithmonë nëse i bën sfidë tundimit për t’u dorëzuar përpara kërcënimit politik.
Virgnia mund të jetë më mirë ose më keq me Demokratët sesa me Republikanët. Kjo mbetet për t’u parë, po mesiguri diku në shtetin mesatlantik ka plot njerëz që janë të lumtur e krenarë që nuk e humbën rastin të votojnë si ua donte ndërgjegjia e tyre dhe plot të tjerë që tani janë penduar rëndë që ditën e rëndësishme të zgjedhjeve nuk e shfrytëzuan të drejtën e tyre kushtetuese e nuk e plotësuan detyrën e tyre qytetare.

Pamje nga një prej fushatave të para për regjistrimin masiv të shqiptaro-amerikanëve në votime, në gusht 1992, Bronx, New York.

Comment

*